Kryesore Si do të ndikojë Baza e Kuçovës: A do kthehet Shqipëria në...

Si do të ndikojë Baza e Kuçovës: A do kthehet Shqipëria në një “superfuqi” ushtarake në Ballkan?

Është përuruar në Kuçovë baza ajrore e restauruar që tashmë është vënë në dispozicion të Aleancës së Atlantikut Verior, një bazë e cila do të shërbejë si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore të vendit.

Kjo bazë e ndërtuar për herë të parë gjatë periudhës së komunizmit në vitin 1952, vjen tani me një infrastrukturë të re, moderne dhe me kushte bashkëkohore.

Shqipëria përmes kësaj baze do të japë kontributin e saj në ndihmë të ruajtjes së vlerave dhe paqes. Por çfarë fiton vendi ynë nga kjo bazë? Përveç zhvillimit të aftësive mbrojtëse dhe pozicionit mjaft të mirë që ka, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin, kjo bazë do të zhvillojë edhe ekonominë e qytetit përmes punësimit.

Sipas të dhënave, për këtë projekt janë investuar rreth 55 milionë euro, ku nga NATO u investuan afërsisht 50 milionë euro dhe nga qeveria shqiptare rreth 5 milionë euro. Nga ana tjetër, 3 dronë “Bayraktar” janë tashmë pjesë e arsenalit të forcave tona të armatosura.

Dronët e blerë në Turqi, mbërritën në Shqipëri pas firmosjes së marrëveshjes në dhjetorit të vitit 2022.

Nisur nga kjo, “Scan Intel” ka kryer një analizë të thelluar duke marrë në konsideratë të dhënat e publikuara nga “Global Firepower” në një indeks i cili e përcakton rezultatin e një shteti të caktuar në varësi të kapacitetit për t’u mbrojtur apo për të kryer operacione ushtarake. Për llogaritjen e këtij treguesi merren në konsideratë faktorë si: numri i trupave ushtarakë, financat, teknologjia e artilerisë, aftësitë logjistike etj.

Shqipëria renditet në vendin e 90-të, nga 145 vende të botës, në indeksin e fuqisë ushtarake për vitin 2024, duke u përmirësuar, krahasuar me edicionin e një viti më parë. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat nga ky raport për të parë se sa e gatshme është Shqipëria të mbrohet përmes ajrit. Sipas të dhënave të indeksit vendi ynë disponon vetëm 19 avionë në total, ndërkohë nuk regjistron asnjë avion që përdoret për trajnim, asnjë avion luftarak, asnjë avion të misioneve speciale ushtarake dhe asnjë avion apo helikopter sulmues.

Pra sa i përket hapësirës ajrore Shqipëria renditet në vend të 100 nga 145 shtete në total. Por si krahasohemi me vendet e rajonit në këtë aspekt? Edhe pse në indeksin e përgjithshëm renditemi në vend të dytë pas Serbisë, të dhënat sa i përket forcave ajrore nuk janë aq optimiste.

Shqipëria renditet e katërta në rajon pas Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, duke lënë pas Kosovën dhe Malin e Zi. Të dhënat tregojnë se sa i përket renditjes së forcave ajrore Shqipëria dhe Maqedonia Veriut kanë diferencë më një pozicion në renditje.

Megjithatë, inaugurimi i bazës në Kuçovë si dhe dronët “Bayraktar”, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, janë një sinjal pozitiv në fushën e mbrojtjes në Shqipëri. Këto investime pritet të përmirësojnë edhe pozicionin e vendit tonën në indeks mes vendeve të botës, por sidomos mes vendeve të rajonit.

Nga stërvitjet e NATO, te patrullimi i hapësirës ajrore, shefi i shtabit tregon misionet e bazës në Kuçovë

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Arben Kingji u shpreh se baza ajrore e Kuçovës, e vetmja e llojit të saj në Ballkan do të ketë rëndësi të veçantë në këto kohë sfidash që po kalon Aleanca, në kufirin lindor të saj.

Sipas tij, baza do të shërbejë për stërvitjet e aleancës, patrullime të hapësirës ajrore dhe do të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe garantimit të paqes në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Inaugurimi i kësaj baze si një bazë e NATO, është një ngjarje e rëndësishme për ne dhe aleancën. Afrohet një vlerë e shtuar në infrastrukturën e mbrojtjes që tregon përkushtimin e aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe më gjerë. Kjo bazë do të afrojë infrastrukturë të avancuar dhe do të shërbejë si qendër për forcën tonë ajrore.

Në një epokë me sfida, nevoja për një infrastrukturë mbrojtëse është bërë e domosdoshme. Kjo bazë do të luajë një rol për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor i aleancës dhe në rritjen e aftësive tona të sigurisë kolektive, duke promovuar ndërveprimin ndërmjet forcave dhe mundësuar një përgjigje të fortë dhe efektive ndaj çdo sfide.

Baza ajrore e Kuçovës, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor, në mbështetjen e stërvitjeve të aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore, mbështetje logjistike si kapacitet i vendit mikpritës apo për qëllime e situata të tjera”, u shpreh mes të tjerash Kingji.