Kjo fundjavë në futbollit italian kulmon me derbin e Madonninas, Milan-Inter. Por si është gjendja e skuadrave në këtë moment dhe çfarë formacioni kanë projektuar trajnerët Giampaolo dhe Conte?
Trajneri i kuqezinjve nuk do të ketë në dispozicion Calabrian, që është i pezulluar, ndaj me shumë mundësi në krahun e djathtë do të luajë Conti. Në të majtë është i konfirmuar Rodriguez, ndërsa në mesfushë, para mbrojtjes, Biglia është më i avantazhuar në raport me Bennacer. Në fazën sulmuese e kanë të sigurt vendin e titullarit Suso e Piatek, ndërsa për fanellën e tretë janë në garë Rebic (mbetet më i favorizuar, Paquetà dhe Leao.
Nga ana tjetër, Conte pritet të bëjë ndryshime nga formacioni që dështoi të merrte fitoren ndaj Slavias së Pragës në Champions. Candreva, i detyruar të largohej që në fillim të pjesës së dytë ndaj skuadrës çeke për arsye fizike, nëse do të jetë 100% gati për ta nisur titullar derbin, do të ulë në stol D’Ambrosion.
Në qendër të mbrojtjes do të rreshtohet treshja Godin-De Vrij-Skriniar. Në mesfushë, ka sërish balotazh mes Barellas dhe Vecinos (i pari ka më shumë përparësi). Surpriza mund të jetë në vijën e parë. Politano është në formë të mirë dhe mund të aktivizohet në vend të Lautaros në rreshtimin 3-4-2-1, ku me Sensin do të jetë në mbështetje të Lukakut.