Në më pak se 100 vite, njerëzimi kaloi nga kuajt tek udhëtimet hapësinore.
Dëshira jonë e pashuar për të zbuluar dhe nevoja e vazhduar për të udhëtuar u bënë bashkë, për të bërë që sektori i transportit të pësonte një progres të jashtëzakonshëm.
Ne jetojmë në kohën e teknologjive të reja, automatizimit, Inteligjencës Artificiale (AI), zhvillimeve të energjisë së rinovueshme dhe standardeve të reja në udhëtim – ndaj është e sigurt që në dekadat e ardhshme, mjetet me të cilat ne udhëtojmë do të ndryshojnë në mënyrë radikale.
Lëvizja tek energjia elektrike
Efektet e vazhduara të pandemisë dhe përkeqësimi i klimës po luajnë një rol të rëndësishëm në rikonceptimin e të të udhëtuarit. Për shumë, e ardhmja është elektrike.
“Me pak fjalë, çdo gjë që punon duke djegur diçka do të ketë ndaluar,” – shprehet CEO i firmës daneze Fastned, Michiel Langezaal.
Sidoqoftë, për ekonomistin nga Universiteti i Cambridge, Dr. Justin Bishop transferimi tek elektriket nuk është aq i thjesht sa mendohet, duke qenë se mund të kërkojë sasi edhe më të mëdha energjie.
Ja pse, Bishop shprehet se ‘udhëtimi pro-aktiv’ ka nisur të kthehet në një qëllim në vetë vete.
Ideja e tij anon nga “qytetet 15-minutëshe” ku integrimi i planifikimit urban dhe shkurtimi i distancave, do t’i lejojë banorët t’i përshkojnë distancat e përditshëme ose me këmbë dhe biçikletë, ose me transport publik.
Hidrogjen vs. Elektrike
Kompania franceze Hopium ka dizajnuar një makinë sportive tejet elegante të furnizuar me hidrogjen, e cila shpreson të konkurrojë Tesla-n në garën drejt emetimeve-zero.
Kjo makinë sportive furnizohet me hidrogjen, elementin më të gjendur në univers. Hopium e quan atë “të ardhmen e botës”.
Sistemi furnizues ‘Machina’ transformon oksigjenin dhe hidrogjenin në elektricitet, duke mos çliruar asgjë veç ujit.
Depozitat e karburantit me hidrogjen nuk e ruajnë elektricitetin në të njëjtën mënyrë si një bateri. Në të kundërt, ato e tërheqin hidrogjenin nga një cisternë që mund të rimbushet për punë minutash.
Një disavantazh i makinave elektrike është se në bateritë e tyre gjenden elementë si litiumi apo kobalti, ekstraktimi i të cilëve arrihet me anë të gërmimeve të dëmshme për ambientin.
Lombard pretendon se serbatorët e Machina përmbajnë më pak “substanca të dëmshme”.
Një tjetër karakteristikë e kësaj makine sipas Lombard, është ndjesia e vozitjes e cila është mjaft e ndryshme nga rivalët e tyre elektrikë.
“Diçka interesante është eksperienca fonike, pasi me makinat elektrike të gjithë thonë që nuk janë të zhurmshme por me hidrogjenin është një eksperiencë krejt e veçantë,” tha ai.
Por makinat e hidrogjenit nuk janë ende tërësisht gati për të marrë titullin “makinat e së ardhmes”.
Stacionet e hidrogjenit janë të pakta dhe larg njëri tjetrit. Në Europë, ka vetëm rreth 100 syresh ndërsa në SHBA edhe më pak.
Hopium nuk ka të njëjtat mjete dhe kushte si Tesla për të zhvilluar një rrjet të mirëfilltë stacionesh furnizuese. Kjo është edhe arsyeja përse Lombard po shpreson në mbështetjen që mund t’i ofrohet nga shtete të ndryshme që besojnë në modelin e tij të biznesit.
Një shoqëri pa makina
Disa të tjerë ama mendojnë se makinat kanë vdekur tërësisht.
“Në 50 vitet e ardhshme, udhëtimi do të jetë 100 % i ndarë mes njerëzve, ai do të merret me qera, do të jetë autonom dhe do të mundësohet nga bateritë dhe hidrogjeni,” – thotë Adetayo Bamiduro, CEO i Max.ng.
Shumë shpejt, thotë ai, askush nuk do të ketë nevojë të ketë një makinë personale, as në Amerikë as në Afrikë. Dhe po, fluturimet për në hënë shumë shpejt do të bëhen të përballueshme nga klasa e mesme.
Edhe pse udhëtimet komerciale për në hapësirë janë ende një pikëpyetje, eksperimentet me transportin publik kanë arritur një pikë kulminante, dhe një shembull konkret është projekti futuristik Hyperloop – një tren elegant që qëndron mbi tokë dhe udhëton me anë të një tubi që e lejon të arrij shpejtësi marramendëse – duke eliminuar forcën e fërkimit që vjen nga rrotat dhe shinat në trenat apo autobusët normalë.
“Koncepti i blerjes apo pronësisë së një makine shumë shpejt do të zhduket,” – thotë Bibop Gresta, CEO i Hyperloop Italia.
Taksitë fluturuese
Duke vazhduar edhe më tej, ka edhe nga ata që mendojnë se të fluturuarit nga një vend në tjetrin do të jetë normalja e së ardhmes. Christine Wang, Drejtore në Innovation Hub Lufthana, beson se fluturimi autonom gjithashtu do të jetë më i përhapur.
“Mbase, brenda 50 vitesh, ne do të kemi bërë të mundur taksitë ajrore dhe të tjera teknologji që përdorin qelizat e hidrogjenit,” – thotë ajo.
Sigurisht nëse do të na duhet të fluturojmë, pasi teknologjitë e realitetit të augmentuar, po avancojnë dita ditës dhe mund të na çojnë deri në pikën ku eksperienca e të udhëtuarit mund të jetë më interesante nga karrigia e shtëpisë se sa duke i bërë ato fizikisht, – thotë Wang.
Hyperloop
Përfytyroni këtë: është viti 2045. Po qëndroni mbi një platformë në Berlin, duke pritur të hipni në një nga kapsulat e trenit elegant Hyperloop, i cili do t’ju dërgojë për 1 orë të vetme në mbledhjen tuaj të radhës në Paris.
Në mbrëmje do të hipni në një tjetër tren me drejtimin jug, pasi do të kaloni fundjavën në Barcelonë – një udhëtim që do t’ju zgjasë jo më shumë se 90 minuta.
Koncepti i trenave të shpejtë Hyperloop i ka rrënjët që prej fillimit të shekullit të 19-të, kur inxhinieri mekanik George Medhurst propozoi metodën e parë për t’i transportuar njerëzit dhe mallrat me ‘tuba pneumatik’.
Ama ishte miliarderi Elon Musk, që i dha jetë kësaj ideje kur prezantoi konceptin e Hyperloop, si një sistem transporti masiv në vitin 2013.
Qëllimi është të arrihen shpejtësi deri në 1,000 km/orë, dhe asnjë emetim i dëmshëm.
Si funksionon?
Hyperloop është mënyra më e re e transportit që praktikisht e redukton fërkimin, i cili është burimi kryesor i mungesës së efikasitetit, thotë Juan Vicén, bashkë themelues i Zeleros Hyperloop.
“Dy fërkimet kryesore janë ai aerodinamik: kur mjeti lëviz, përballet me një sasi rezistence nga ajri. Dhe tjetri është ai që vjen nga toka, që ndodh kur rrotat prekin tokën.
Në mënyrë që ta evitojmë këtë, ne e vendosim mjetin në një tub, duke eliminuar kështu pjesën më të madhe të fërkimit që vjen nga ajri dhe në të njëjtën kohë e bëjmë trenin të qëndrojë pezull duke mos e prekur kurrë tokën. Duke reduktuar burimin kryesor të fërkimit, ne punojmë me një energji 5 deri 10 herë më të madhe se avioni”.