Papërgjegjësi, neglizhencë, korrupsion dhe “komandantë” nga lufta civile – ky kombinim solli deri te shpërthimi në Bejrut. Rezultati tragjik deri më tani: mbi 130 të vdekur, 5000 të plagosur, 300 mijë të pastrehë. Disa paralele me “elitat” politike në Prishtinë dhe Tiranë janë shumë të dukshme.
Nga Enver Robelli
Solidaritet me Libanin. Solidaritet me viktimat. Solidaritet me qytetarët e Bejrutit. Aty-këtu ndonjë shënim se dikur një zyrtar osman me origjinë shqiptare ka qenë guvernator i Libanit dhe fotografitë e pashmangshme të kërpudhës prej tymi që si miniaturë e Hiroshimës dhe Nagasakit ngjitet në qiell nga porti i kryeqytetit libanez. Këto janë, pak a shumë, reagimet në botën shqiptare të mediave sociale pas shpërthimit në Portin e Bejrutit. Kuptohet se në këso rastesh nguten të thonë ndonjë fjalë solidariteti edhe politikanët e Prishtinës dhe Tiranës, pa marrë parasysh a janë në pushtet apo opozitë.
Paralelet mes klasës politike të korruptuar të Libanit dhe atyre që qeverisin Shqipërinë nga rënia e komunizimit dhe atyre që sundojnë Kosovën nga viti 1999 janë të dukshme, por për këtë pak më vonë në këtë tekst. Fillimisht një përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes: çfarë ndodhi në Bejrut?
Prej vitesh në portin e Bejrutit po ruheshin 2750 tonelata nitrat amoni (grup i përbërë nga azoti dhe hidrogjeni). Ky mall shpërthyes që përdoret si pleh artificial ishte konfiskuar nga një anije e kontrolluar nga rusët, e cila për shkak të problemeve teknike nuk u lejua të vazhdojë lundrimin drejt Mozambikut. Autoritetet doganore të Libanit i kishin bërë thirrje qeverisë të gjejë një zgjidhje, sepse mbajtja më tutje e nitratit në port paraqiste rrezik. Raportohet për së paku gjashtë letra që zyra doganore ia ka dërguar autoriteteve të drejtësisë me kërkesën eksplicite për të gjetur një zgjidhje. Asgjë nuk ndodhi. Malli shpërthyes po mbahej në një hangar përkundër rrezikut të eksplodimit.
Të martën në mbrëmje gjatë punëve të saldimit në “Hangarin numër 12” ndodhi ajo që pritej: zjarri u përhap shpejt dhe shkaktoi katastrofën. Qeveria premtoi se viktimat do të dëmshpërblehen dhe fajtorët do të nxirren para gjyqit.
Në Liban, një shtet i përbërë nga disa etni dhe shumë bashkësi fetare, besimi ndaj qeverisë dhe politikës në përgjithësi është nën zero. Klasa politike perceptohet si e korruptuar, klienteliste dhe nepotiste, një turmë “komandantësh” që i ka rrënjët në luftën civile të Libanit që formalisht mori fund para 30 vitesh. Që nga atëherë pothuaj secili nga këta politikanë ka pasur parasysh interesin e grupit të vet politik apo etnik dhe jo interesin e përgjithshëm.
Në vjeshtën e kaluar në Liban pati shpërthyer një bombë tjetër, kur hap pas hapi kolapsoi sistemi bankar dhe valuta e vendit humbi vlerën e saj në mënyrë drastike. Kjo ndodhi për shkak se klasa politike e futi vendin në borxhe të thella me kamata astronomike. Dikur qytetarët humbën durimin dhe dolën në rrugë. Kur ngushtohen punët, “elita” e urryer bëhet bashkë dhe mbron interesat e saj. Kështu ndodhi edhe muajve të fundit, ndërsa bankat praktikisht përvetësuan kursimet e qytetarëve. Dy shifra ilustrojnë më së miri krizën ekonomike libaneze: brenda pak muajsh valuta e vendit ka humbur 80 për qind të vlerës, ndërsa çmimet janë rritur deri në 300 për qind. Premtimet për reforma janë një tufë fjalish që avullohen shpejt. Një ndër personalitetet e pakta të pavarura në kabinetin qeveritar, ministri i Jashtëm Nazif Hiti, dha dorëheqje dhe tha: “Libani është në rrugë për t’u bërë shtet i dështuar”.
Papërgjegjësia, neglizhenca, korrupsioni dhe “komandantët” nga lufta civile – ky kombinim solli shpërthimin në Bejrut, me ç’rast u shkatërrua pothuaj plotësisht një nga lagjet më të bukura të këtij qyteti. Guvernatori i Bejrutit deklaroi se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi sillen mes 3 dhe 5 miliardë dollarë. Dikur Libani quhej “Zvicra e Lindjes së Afërt”, sot është një shtet i kapur, ku qeveria nuk është në gjendje të ofrojë shërbimet bazë si heqja e bërllokut, furnizimi me energji elektrike dhe sistemi arsimor. Për shkak se ndërmarrja shtetërore e energjisë nuk arrin të furnizojë si duhet amvisëritë, dhjetëra qytetarë të martën u përpoqën të hyjnë me forcë në objektin e Ministrisë së Energjetikës.
Shumë njerëzve në Liban nuk u mbetet rrugë tjetër përveç se të emigrojnë. Dhe të parët që emigrojnë janë të rinjtë dhe pjesëtarët e shtresës së mesme, pra shtresa kritike, e cila nuk pajtohet me pushtetin. Për pushtetin kjo ikje është e mirëseardhur: kështu hiqen qafe mendjet kritike. Ndërkohë secila nga fuqitë rajonale si Irani, Arabia Saudite, Izraeli zien çorbën e vet në Liban. Vendi mbetet i kurthuar në betejën mes forcave proiraniane dhe atyre prosaudite. Forca më e rëndësishme ushtarake brenda shtetit është Hizbollahu, që përkrahet nga Irani, një shtet që pretendon të jetë mbrojtës i interesave të shiitëve kundër myslimanëve sunitë.
Në fund të kësaj jave ishte paraparë shpallej aktgjykimi kundër vrasësve të ish-kryeministrit Rafik Hariri. Për shkak të tragjedisë vendimi pritet të shpallet më vonë. Hariri, i vrarë më 2005, ishte, përndryshe, mik i ngushtë i ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano. Për shkak se drejtësia e Libanit nuk qe në gjendje të zbulojë vrasësit e Haririt, Organizata e Kombeve të Bashkuara themeloi një Tribunal Special, i cili po i gjykon në mungesë katër luftëtarë të Hizbollahut.
Ndonëse krahasimet e drejtpërdrejta mes vendeve të ndryshme janë të pamundshme, disa paralele mes Libanit dhe “elitave” politike në Tiranë dhe Prishtinë janë shumë të dukshme. Shpërthimi i muncionit në Gërdec afër Tiranës në vitin 2008 është shembull i përgjakshëm i keqmenaxhimit dhe ambicies kriminale të pushtetarëve dhe familjeve të tyre për t’u pasuruar shpejt. Për gati 30 të vdekur, qindra të plagosur dhe mijëra të mbetur pa strehë nuk është dënuar askush nga përgjegjësit kryesorë. Pothuaj normale konsiderohet që një ministër i Brendshëm është i përzier me allishverishe e dallavere me celula të drogës dhe drejtësia shqiptare e trajton atë si të privilegjuar. Kur një komandant policie denoncon trafikun e drogës, pushteti etiketon komandantin si tradhtar dhe e detyron të ikën në ekzil. Raportet hulumtuese ndërkombëtare tregojnë se Porti i Durrësit shërben edhe si qendër distribuimi për narkotikë nga Amerika Latine. Për shkak të presionit nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës viteve të fundit policia është më aktive në luftimin e kontrabandës, por kjo luftë ende nuk është aq intensive sa duhet të jetë.
Në Kosovë, e cila u çlirua si rrjedhojë e kryengritjes së armatosur, viktimave të shumta civile të shkaktuara nga regjimi serb dhe ndërhyrjes së NATO-s, pas luftës shumëçka i ngjante një lufte civile me dhjetëra rivalë politikë të vrarë. Një pjesë e atyre që rrezikuan jetën dhe sakrifikuan për çlirimin e vendit, vendosën për sakrificën e radhës: çlirimin e pikave të karburantit (burimi i parë i madh financiar i “komandantëve”). Mandej biznesi u zgjerua dhe kulmoi me kapjen komplete të shtetit nga PDK dhe imituesit e saj. Vite më parë një ish-guvernator i Bankës Qendrore tregonte se si krerë të PDK-së ndërhynin në punën e bankës dhe si i bënin presion për veprime potencialisht të paligjshme.
20 vjet pas luftës fjalën kryesore e kanë “elitat” e njëjta, pothuaj përherë të përkrahura nga LDK gjoja në emër të “interesave të larta shtetërore”. Pa përkrahjen shumëvjeçare të LDK-së politika kosovare nuk do të ishte “libanizuar” kështu. Andaj është plotësisht “normale” që LDK të akuzojë me dekada figura të larta të ish-UÇK-së për “vrasje politike” dhe pastaj për mbrojtjen e tyre të ndajë nga buxheti rreth 20 milionë euro. Kështu funksionon “pakti” për mbrojtjen e interesave të përbashkëta. Kosova do të ishte vend më i mirë po të ekzistonte solidaritet i tillë jo vetëm financiar edhe me viktimat e vrasjeve politike brendashqiptare. Por viktimat deri më tani kanë qenë vetëm “aksione” për investim në “bursën politike” gjatë fushatave elektorale.
20 vjet as luftës nuk ka transparencë si janë shitur shumë ndërmarrje shtetërore, sa kanë kushtuar autostradat, si është e mundur që ende qytetarëve u ndalet rryma në mënyrë arbitrare, si është e mundur që 20 vjet pas luftës Ambasada e SHBA-ve ende bën thirrje që në zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës të mos përzihet politika? A nuk do të duhej të ishte kjo e vetëkuptueshme? Kolapsi që po kërcënon në fushën e shëndetësisë është një kapitull tjetër i “libanizimit” të politikēs kosovare.
Në një shkrim të gazetës gjermane “Die Zeit” mbi Libanin, një qytetar i Bejrutit thoshte: “Duket se lordët e dikurshëm të luftës me paktin e tyre për paqe në fund të luftës kanë krijuar një siguri relative. Shtetin për të cilin luftonin e kanë ndarë mes vete si një tortë. Dhe janë pasuruar pa fund”. Por qytetari libanez ishte i sinqertë dhe i ashpër: ai tha se edhe bashkëvendësit e tij nuk janë aq të mirë, ata më me dëshirë i paguajnë ryshfet policit të trafikut se sa gjobën që u shqiptohet. Morali i këtij rrëfimi: një sistem i korruptuar qëndron në këmbë për aq sa e durojnë qytetarët. Në Liban qe 30 vjet, në Shqipëri po ashtu, në Kosovë qe 20 vjet.