Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë hapjes së Panairit të 88-të Ndërkombëtar të Selanikut foli për marrëdhënien me Shqipërinë.
Ai tha se pas 19 vitesh Athina ka aprovuar fillimin e punimeve të aksit rrugor Janinë-Kakavijë.
Mitsotakis u shpreh se kjo është një autostradë shumë e rëndësishme për lëvizjen e mijërave automjeteve çdo ditë drejt dy vendeve.
Gjithashtu, kryeministri grek foli edhe për marrëdhënien mes tij dhe Edi Ramës, tashmë që Fredi Beleri u lirua nga burgu. Ai shpreh se kjo ka qenë një periudhë e tensionuar mes Athinës dhe Tiranës, por është i kënaqur tani që Beleri u la i lirë.
Më tej ai shtoi se dëshiron që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë të mira, por kjo mund të ndodhi vetëm kur respektohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
“Ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët tanë, përfshi edhe Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë dhe nuk dua të flas me detaje për rastin e Fredi Belerit. Dua të shpreh kënaqësinë time për faktin që ai ishte me ne në Panairin Ndërkombëtare dhe që kjo aventurë krejtësisht e padrejtë dhe e panevojshme që ai kaloi, më në fund mbaroi.
Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet, duke parë imazhin e gjerë, pra marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë shumë të mira, kalojnë nga respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
Çështja e të drejtave pronësore nuk ka dalë asnjëherë nga axhenda jonë. Ajo po rikthehet dhe ajo që ne do të bëjmë është të sigurojmë, me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht. Dhe do të thoja se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”, tha Mitsotakis.
Kujtojmë, se gjatë arrestimit të Fredi Belerit, Greqia ka kërcënuar me bllokimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Po ashtu, gjatë kohës kur Beleri ishte në burg, Mitsotakis e zgjodhi atë si eurodeputet i Greqisë nga radhët e partisë Demokracia e re. Por duket se pas lirimit të tij, marrëdhëniet mes dy vendeve po normalizohen.