Mimoza Kore, historiane gjuhe e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv foli për historinë e emrit shqiptar. Profesoresha thotë se për herë të parë emri “shqiptar” dokumentohet në fjalorin e Françesko Maria Da Leçe, në vitin 1702, për t’u pasuar me të tjerë studiues të huaj që kanë përfshirë në veprat e tyre emrin shqiptar dhe gjuhën shqipe.
“Emri shqiptar për herë të parë dokumentohet në fjalorin e Françesko Maria Da Leçes në vitin 1702 në parathënie të fjalorit diksionar italiano-shqiptar. Aty thotë: “O shqiptar i dashur!”. Dhe aty del për herë të parë fjala shqiptar dhe e shpjegon. Para disa viteve unë u thosha studentëve që emri shqiptar ka dalë për herë të parë në aktet e Kuvendit të Arbrit në 1703-shit, të cilat u botuan në latinisht dhe shqip në 1706-ën. Aty shkruhet një thirrje: “Kush do të bëhet misionar duhet të jetë shqiptar!” Nga studiuesit arbëreshë, nga profesor Matteo Mandala, ne e dinim dorëshkrimin e Françesko Da Leçes, por ai bëri të mundur bashkë me një kolegun tonë në Itali, botimin e këtij fjalori dhe aty u njohëm tamam me emrin shqiptar. “Në çështjet e historisë së gjuhës”, porosiste profesor Çabej “duhet të ecim me këpucë plumbi, ngadalë, drejt viteve të errëta.” Unë tani u them studentëve që për herë të parë emri shqiptar ka dalë në vitin 1702, i dokumentuar.
Gjatë periudhës së Mesjetës emri ynë ka qenë “Arbër”. Ne njihemi për herë të parë në hartën gjeografike të Ptolemeut në shekullin e dytë të erës sonë me emrin albanoi, fisi ilir dhe qyteti Albanopolis. Në shekullin e 11 ridalim përsëri te Michael Attaleiates, i cili e përdor emrin në formën “arvanitai”, në vitin 1078. Në 1078-ën Ana Komenne e përshkruan vendin “Arvanon” dhe “arvanit” quan popullin. Me emrin e parë na njohin popujt e tjerë. Italianët me rrënjën “ar” në “al”, na quajnë albaneze, grekët alvanos. Edhe arbëreshët i quajtën arvanitas, turqit arnavut, gjermanët albaner. Të gjithë popujt e kanë përshtatur emrin shqiptar sipas rregullave të gjuhës së tyre. Edhe në jug edhe në veri në Mesjetë ne njiheshim si arbër. Por çfarë ndodhi që ne e bëmë shqiptar. Në bazë është fjala shqip, e cila në fjalorin e Françesko Da Leçes e shpjeguar brenda në fjalor, në italisht thotë: “Shqip do të thotë, qartë dhe dituri”. Ndërsa shqiptar e përkthen me njeri që flet mirë dhe qartë. Këtë kuptim ka pasur. Dhe ai pastaj përdor emrin shqiptar si etnonimin tonë.”, tha gjuhëtarja në DritareTV.