Luftërat jugosllave ishin një katalizator për transformimin e ushtrisë gjermane dhe rolin ndërkombëtar të Gjermanisë. Ajo u rendit krah për krah me SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe.
“Vitet 1990 ishin një dekadë kyçe për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë – gjatë kësaj periudhe, roli i saj ndërkombëtar u ripërcaktua. Gjermania e bashkuar ka rifituar pozicionin e saj të vjetër gjeopolitik si një fuqi qendrore në zemër të Evropës, por e ka ripërcaktuar atë në një ndarje të vetëdijshme nga e kaluara,” shkruan Michael Staack në hyrje të recensionit të tij për librin “Bundeswehri në Ballkan. Mes luftës dhe ruajtjes së paqes” të Agilolf Kesselring, botuar në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
Në një pjesë të shkurtër të librit, për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore deri në ribashkimin e vendit, autori thekson se Gjermania (Perëndimore) përmes “integrimit vullnetar” në Komunitetin Evropian, NATO dhe KSBE “dëshiroi të kontribuojë në bashkimin e Evropës në tërësi, duke përfshirë Rusinë dhe të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore”. Në të njëjtën kohë, “zhvillohej roli më i gjerë udhëheqës i Gjermanisë në Evropë”, megjithëse ende i ankoruar fort në aleancën me Francën, e krijuar në vitin 1963. Roli i Berlinit në politikën ndërkombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë “u përkufizua kryesisht si një reagim ndaj krizave dhe konflikteve. ”
Në vitin 1991, lufta u kthye në Evropë
“Në vitin 1991, lufta u kthye në Evropë me agresionin kundër Sllovenisë dhe Kroacisë nga JNA e udhëhequr nga serbët,” shkruan Staack dhe thekson se “angazhimi ndërkombëtar i dominuar nga Perëndimi, me synimin për t’i dhënë fund luftërave jugosllave, u bë katalizator për transformimin e Bundeswehrit – nga një forcë parandaluese në konfliktin Lindje-Perëndim, në një ushtri që është e përfshirë në mënyrë aktive në operacione luftarake”.
Autori më pas shkruan se në librin e tij, Agilolf Kesselring dëshiron të paraqesë një rindërtim ushtarak-historik të misioneve të Bundeswehrit në Ballkan, dhe se ai është veçanërisht i interesuar – “nëse ato 25 apo më shumë misione individuale bazoheshin në strategjinë e vetë Gjermanisë për Evropën Juglindore”.
Fokusi i këtij studimi është në angazhimin e Bundeswehrit në Bosnjë-Hercegovinë deri në vitin 1998. “Konflikti jashtëzakonisht i rëndësishëm në Kosovë, dhe konfliktet rreth Maqedonisë së Veriut të sotme, trajtohen vetëm sipërfaqësisht. Në këtë kuptim, titulli i librit është i gabuar, sepse nuk jepet përshkrimi i përgjithshëm i operacioneve të Bundeswehrit në Ballkan”, beson autori i tekstit për FAZ, Michael Saack (1959), politolog dhe profesor në Universitetin e Bundeswehrit në Hamburg.
Staack thotë se në vitet 1980, pas vdekjes së Josip Broz Titos (1892-1980), ekspertët nga Perëndimi “e panë skenarin e shpërbërjes së Jugosllavisë si zhvillimin më të mundshëm, duke përfshirë rrezikun e përshkallëzimit të dhunshëm”. Ai shkruan se ngjarjet në Jugosllavi ishin nën hijet e trazirave epokale në Bashkimin Sovjetik dhe më pas në të gjithë ish bllokun Lindor. “Kur kolapsi në fakt ndodhi, komuniteti ndërkombëtar u tregua kryesisht i papërgatitur. Instrumentet diplomatike doli të ishin po aq të padobishme sa misionet e helmetave blu”.
1994 – viti i kthesës
Më tej në tekst thuhet se “aktorët ndërkombëtarë duhej të rrisnin shtrirjen dhe intensitetin e angazhimit ushtarak – hap pas hapi – gjithmonë si reagim ndaj përshkallëzimit të dhunës që udhëheqja serbe nën Millosheviqin kreu jashtëzakonisht brutalisht, përfshirë strategjinë kriminale të pastrimeve etnike”.
NATO mori kështu një detyrë të re. Bundeswehri nuk ishte i përfshirë në misionet e helmetave blu, por mori pjesë në operacionet e NATO-s pothuajse që në fillim, shkruan FAZ. Për këtë Gjermanisë së pari i duhej të krijonte parakushte politike dhe ligjore. Pasi Gjermania (Perëndimore) u anëtarësua në OKB (1973), qëndrimi i Berlinit ishte gjithmonë se, “Bundeswehri mund të mbrojë vetëm territore të NATO-s”.
Më pas Staack thekson se “pika e kthesës erdhi me vendimin e 12 korrikut 1994, kur Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë i hapi rrugën të gjithë spektrit të misioneve ushtarake gjermane jashtë vendit”.
Përfundimi i doktrinës së Kohlit
Teksti vazhdon duke thënë se “në portretizimin e tij të debateve të nxehta për këtë çështje, Kesselring e bën të qartë se përkatësia e një brezi të caktuar ishte më e rëndësishme se linjat ndarëse partiake-politike”.
E ashtuquajtura “Doktrina Kohl”, përjashtimi i operacioneve të Bundeswehrit në vendet e pushtuara nga Wehrmacht nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore – “nuk mund të mbahej më”. Gjermania ka arritur të jetë krah për krah me SHBA-të, Francën dhe Britaninë e Madhe në politikën e sigurisë”.
FAZ shkruan se Kesselring “pohon bindshëm se politika gjermane në Ballkan nuk bazohej në ndonjë strategji gjithëpërfshirëse.” Megjithatë, “gjatë misionit, Gjermania u zhvillua nga një aktor në kornizat e ngjarjeve ushtarake në një lojtar të rëndësishëm diplomatik dhe ushtarak, veçanërisht në konfliktin e Kosovës”.
Staack thotë gjithashtu se Kesselring me të drejtë thekson se, “megjithë përfshirjen e madhe të BE-së dhe NATO-s në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, tani “nuk ka luftë, por nuk ka as paqe të përhershme”. Prandaj, një mësim tjetër nga përvoja ballkanike e Bundeswehrit është, “që kur nisin misione jashtë vendit, ata duhet të marrin parasysh kufijtë e efektivitetit të tyre”, përfundon Mihael Staack në një artikull për Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Bundesveri në Ballkan. Midis Luftës dhe Paqes”, një studim i krijuar për Qendrën për Historinë Ushtarake dhe Shkenca Sociale të Forcave të Armatosura Gjermane, botuar nga V&R, Göttingen 2023. (386 faqe, 45 euro)
*Autori i librit, Agilolf Kesselring (1972), është nënkolonel i Bundeswehrit, specialist i dronëve dhe historian. Në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Helsinki, ai ligjëron historinë e luftës evropiane, merret me Finlandën dhe vendet baltike, si dhe historinë e Evropës Juglindore, veçanërisht të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut. Babai i tij, Rainer Keserling, punonte në ambasadën gjermane në Tokio, ku lindi autori dhe më vonë ishte nënkryetar i BND. Gjyshi i tij, Albert Kesselring (1885-1960), feldmarshall i Wehrmacht-it dhe aviacionit, ishte kriminel lufte, besnik i Hitlerit deri në fund. Ai u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake britanike në Itali, por më vonë u fal disa herë, kështu që vdiq në liri./DW