Në momentin kur gjyqtari Jesús Gil Manzano i tregoi Diego Costas kartonin e kuq në minutën e 28-të të sfidës Barcelona-Atletico Madrid (2-0), Gerard Pique u shfaq për të qetësuar shpirtin e trazuar të sulmuesit të “Los Colchoneros”.
Sipas gazetës “AS”, mbrojtësi qendror i Barcelonës, i cili ka qenë shok ekipi me sulmuesin braziliano-spanjoll te “La Roja”, i tha në vesh: “Mbylle tani! Çfarë do, që të dënojnë katër ndeshje?”
Diego Costa u duk se e mori parasysh këtë këshillë, pasi i ndërpreu fjalët (fyese) ndaj Manzanos dhe iu drejtua dhomave të zhveshjes.
Por çfarë kishte thënë Diego Costa që e detyroi kryesorin t’i nxirrte kartonin e kuq?
Po sipas “AS”, Manzano ka pasqyruar në procesverbal të gjitha ofendimet e sulmuesit, si: “Të… nënën tënde kurvë!”
Në fund të ndeshjes, trajneri i Atleticos, Diego Pablo Simeone, u shpreh se nëse e ka fyer arbitrin, e ka merituar kartonin, por Koke zbuloi se “Diego Costa ka kërkuar falje para ekipit.”