Bota Si e përjetova tërmetin në Kroaci?

Si e përjetova tërmetin në Kroaci?

Bashkëpunëtori i Deutsche Welle-s, Matthias Grimm raporton nga qyteti i Petrinjes, që është goditur rëndë nga tërmeti. Për dy ditë me radhë tërmetet kanë tronditur Kroacinë.

Kur mbërrita në Petrinje të hënën pasdite, atje tashmë kishte pasur dy tronditje të mëdha të tokës. Tërmeti ishte i fuqisë prej 5.2 ballë, që përshkruhet si “fuqi mesatare”. Kishte vetëm dëmtime të lehta: disa gota të thyera, vazo të rëna dhe një shqetësim i vogël i banorëve. Petrinja është një qytet i vogël me rreth 25.000 banorë në mes të Kroacisë, ku ende shihen pasojat e luftës së vitit 1991-1995.

Të martën diku nga mesdita isha tek një kushëri, kur papritur filluan fuqishëm të lëkunden muret dhe gjësendet në shtëpi. Gjëra të tilla nuk mund të paramendojnë njerëzit që nuk i kanë përjetuar. Kushërinjtë filluan të bërtasin me zë të lartë. I zuri paniku, sepse shtëpia dridhej me të madhe. Një gjë të tillë nuk mund ta kisha paramenduar kurrë më parë. Të gjitha rekomandimet nga teoria, që të futesh nën ndonjë tavolinë të madhe, të ikësh nga muret dhe dollapet… u zhdukën në moment. Mendimi i vetëm ishte si të shpëtojmë dhe të dalim jashtë. Por më parë ishte e domosdoshme të nxjerrim nga shtëpia gjyshin e kushëririt tim.

Rënia e oxhakut

Nuk e di saktë sa kohë kemi qenë në shtëpi, gjatë tërmetit. Sipas raporteve të mëvonshme, dridhja e parë zgjati 20-30 sekonda. Ndërsa nga jashtë shihej se oxhaku kishte rënë nga çatia dhe pas vetes kishte lënë një vrimë të madhe. Më pas toka u lëkund sërish. Gjithçka dridhej nën këmbët tona. Pasuan edhe rreth 20 tërmete të tjera më të vogla gjatë ditës.

Gjatë gjithë ditës dëgjoheshin sirenat e makinave të ambulancave dhe të zjarrfikësve, por edhe zhurma e kamionëve dhe ekskavatorëve që përpiqeshin të ndihmojnë. Në këtë kohë, nuk e dinim ende se cilat janë pasojat për njerëz. Më pas dolëm kushëriri dhe unë nëpër qytet për të parë nëse dikush kishte nevojë për ndihmë. Përgjatë rrugës shiheshin shtëpi të rrënuara dhe njerëz të tronditur, të shokuar.

Dëmtimet

Vizituam një të moshuar 92-vjeç për të cilin kushëriri im kujdesej, prej fillimit të pandemisë. Kulmi i shtëpisë së tij ishte tërësisht i rrënuar, por për fat të mirë kishte shpëtuar pa asnjë lëndim. Ai në asnjë mënyrë nuk donte të largohej nga shtëpia. Më pas vendosëm të shkojmë tek gjyshja ime në Bjellovar, në një vend më të sigurt, që është rreth 1,5 orë larg Petrinjes. Shkova për të marrë dokumentet në shtëpi dhe deri sa kërkoja nëpër gërmadha, ndodhi edhe një lëkundje tjetër. Lëkundja ishte e vogël por frika e madhe. Të tjerët refuzuan të vijnë me ne në Bjellovar tek gjyshja ime. Nuk donin të largoheshin nga shtëpia e tyre. Gjyshja e kushëririt tim thoshte se kur e ka mbijetuar luftën, do ta mbijetojë edhe këtë tërmet. Mbetën në shtëpi.

Gërmadhat

Ndarja prej tyre ishte përplot me lot. U futëm në makinë dhe përgjatë rrugës gjithandej shiheshin gërmadha, kulme të rrënuara, makina të dëmtuara. Në pikat e karburanteve kishte radhë të gjata, sepse njerëzit donin të iknin nga ky rajon. Blinin karburant dhe ujë.

Rruga deri në Bjellovar zgjati disa orë. Ishim të lumtur që mbërritëm dhe tani kishim një kulm mbi kokë. Por dridhjet u dëgjuan edhe të mërkurën në mëngjes. Menjëherë kërcyem nga shtrati dhe ikëm jashtë. Epiqendra e tërmetit ishte prapë Petrinja. Toka u drodh edhe disa herë më pas. Kushërinjtë e mi thoshin se kanë frikë dhe se kurrë më nuk do të ndjehen të sigurtë. Të mërkurën unë u ktheva në Këln, ndërsa njerëzit në Kroaci do t’i shoqërojë pasiguria dhe frika për një kohë të gjatë./DW