Ishte ora 19:45 kur 24 marsin e dy dekadave më parë, avionët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e mbetura të ish Federatës Jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi këtë si mundësinë e vetme për t’u dhënë fund tmerreve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s bëmë të gjitha përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, zgjodhi agresionin në vend të paqes”, tha Klinton atëherë.
Këto ishin të parat bombardime të kësaj natyre në historinë e aleancës veri-atlantike. Shqiptarët e Kosovës kishin që në 1989-ën që ishin shënjestra të përndjekjeve, pasi Sllobodan Millosheviçi vendosi që Kosovës t’i hiqej autonomia, e cila ndonëse nuk i jepte të drejta tërësisht të barabarta me qytetarët e republikave të tjera, sillte ditë të mira për stabilitetin social.
Fushata ajrore kundër forcave serbe zgjati 78 ditë dhe përfundoi në 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, që shënoi kapitullimin e “Kasapit” të Ballkanit. Kosova kaloi në fillim në administrimin e OKB-së dhe në vitin 2008 deklaroi pavarësinë.
Më shumë se 100 shtete, midis tyre Gjermania, e njohën shtetin e ri shqiptar, ndërsa të tjerë, përfshirë Rusinë, Kinën e pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e kanë bërë këtë akoma. Në vitin 2000 Millosheviçin e rrëzoi vetë populli i tij dhe qeveria e re serbe ia dorëzoi Gjykatës së Hagës për Krime Lufte, ku do të vdiste 6 vjet më vonë, përpara se procesi i tij gjyqësor të merrte fund.