Si e feston bota, Vitin e Ri? Nga pureja e patateve, te shegët apo ëmbëlsira tradicionale e Qipros, mesnata ka të përbashkëta të mëdha, por edhe shumë të veçanta në vende të ndryshme të kontinentit të vjetër.
Vasilopita e Greqisë ka një monedhë brenda dhe, kush e gjen, supozohet që do të ketë fat gjatë vitit në vazhdim! Ai ama duhet ta mbajë në portofol, që t’i qëndrojë i mbushur me parà.
Shega konsiderohet gjithashtu simbol i lashtë i mbarësisë. Hungaria nuk e mendon dot ndërrimin e viteve pa pjatën që përfshin kekë të kripur, derr të pjekur, supë thjerrëzash dhe salçiçe.
Por nuk do të gjeni hungarez që ha mish pule në natën e Vitit të Ri, sepse mendohet që shpendët e largojnë fatin e mirë.
Në Itali, tryeza duhet të ketë patjetër thjerrëza dhe “cotechino” (sallam me mish derri). Dy gjëra janë të rëndësishme për Vitin e Ri në Gjermani: shkrirja e plumbit dhe fishekzjarret.
Në Danimarkë ndiqet shumë fjalimi i përvitshëm i Mbretëreshës; në Bullgari gjejmë “Survakane”-n, një ritual i lashtë ende i preferuar atje, në të cilin mëngjesin e Vitit të Ri, fëmijët godasin lehtë në shpinë anëtarët e familjes me një shkop të zbukuruar, të njohur si “survaknitsa”.
Në Rusi, ndërrimi i viteve është një festë e kremtuar edhe më shumë sesa Krishtlindja. Përveç të tjerash, ajo është e shtrirë në 11 fasha kohore, ndaj teorikisht, nëse udhëton nga Kamçatka në Kaliningrad do të shohësh 11 festa fundviti!
Në Meksikë dhe vendet e Amerikës Latine, vendasit mendojnë se veshjet e brendshme të kuqe, jeshile e ngjyrë të artë apo të verdhë do t’i sjellin pasuri, një dashuri të re dhe nëse mbajnë ngjyrën e bardhë, atëherë gjatë vitit në vazhdim do të përjetojnë shumë paqe. Kolumbianët janë të bindur se po t’i marrin valixhet me vete gjatë ditës së sotme, viti që vjen do t’i sjellë me shumë udhëtime.
Disa në Spanjë betohen se po të hash 12 kokra rrushi në mesnatë, të cilat përfaqësojnë 12 muajt e vitit, dhe të shprehesh një dëshirë për secilin prej tyre, në mos njëra, tjetra do të të plotësohet!
Shumë banorë të vendeve të Amerikës Latine e largojnë negativitetin me ato që njihen ndryshe si fasule syzeza.
Në Ekuador ndërkohe e kanë zakon që të djegin një dordolec të mbushur me gazeta; ai përfaqëson sipas tyre çdo të keqe që ndodh gjate vitit e supozohet, që flaket, do të trembin negativitetin në vitin e ri.