Republikanët në Senat bllokuan projekt-ligjin e propozuar nga demokratët për ngritjen e një komisioni hetimor mbi sulmin e 6 janarit në Kapitol. Fitorja e republikanëve mund t’i shtyjë demokratët të luftojnë më intensivisht për të eliminuar taktikën proceduriale, të njohur si “filibuster” që mundësoi bllokimin e propozimit.
Ja si funksionon kjo taktikë:
TAKTIKA QË PENGON MIRATIMIN E PROPOZIMEVE LEGJISLATIVE
Ndryshe nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati nuk u vë shumë kufizime të drejtave të anëtarëve të tij për të folur para sallës. Senatorët mund të shfrytëzojnë një numër rregulloresh për të penguar ose bllokuar votimin e nismave të ndryshme legjislative. Këto rregullore njihen si “filibuster” termi që përmbledh taktikat që mundësojnë bllokimin apo vonimin e hedhjes në votë të propozimeve.
Arkivat e Senatit tregojnë se termi filloi të përdorej në mes të shekullit të 19-të. Termi rrjedh nga fjala në gjuhën flamande “freebooter” dhe termi në spanjisht “filibusteros” që përdoreshin në këto gjuhë për të përshkruar piratët.
Për amerikanët këto taktika vonimi ose bllokimi u bënë të njohura në filmin e vitit 1939, “Zoti Smith Shkon në Uashington” në të cilën aktori Jimmy Stewart luan një senator i cili e merr fjalën në Senat dhe flet për orë të tëra deri sa rrëzohet nga lodhja. Në realitet, Senatori republikan nga Karolina e Jugut Strom Thurmond qëndroi për 24 orë e 18 minuta rresht më këmbë në vitin 1957, duke folur para senatorëve, në përpjekje për të mos lejuar hedhjen në vote dhe miratimin e Ligjit për të Drejta Civile. Ky mbetet fjalimi më i gjatë i mbajtur ndonjëherë nga një senator, sipas historikut të Senatit.
Këto ditë nuk ndesh më në fjalime të tilla. Senatorët zakonisht u thonë udhëheqësve të Senatit ose e deklarojnë haptazi se kanë në plan të marrin fjalën me një fjalim të gjatë për të bllokuar votimin e një nisme legjislative, por mbajtja e fjalimit nuk është e nevojshme.
SI MUND TË KAPËRCEHET OSE NDALET PRAKTIKA E FJALIMEVE PA FUND?
Arkivat nga Kongresi i parë i vitit 1789 tregojnë se senatorët ankoheshin pasi fjalimet e gjata zinin orë të tëra deri sa kalonte afati për të hedhur në votë një projektligj. Irritimi u bë më i dukshëm me kalimin e viteve dhe në 1917 anëtarët e Senatit votuan për të lejuar që masat bllokuese të anashkaloheshin, ose të thyhej praktika “filibuster” nëse këtë e mbështeste 2/3 e anëtarëve.
Në 1975, Senati e uli nga 2/3 në 3/5 shumicën e nevojshme për të kapërcyer masat bllokuese ndaj hedhjes në votë të një propozimi. Kjo rregullore mbulon thuajse çdo projekt-ligj që propozohet në Senat, por jo kandidaturat për poste federale apo ambasadorë.
Demokratët, të cilët kontrollonin Senatin në 2013, të zemëruar pasi republikanët po vononin miratimin e kandidatëve të Presidentit Obama për poste zyrtare, e ulën në shumicë të thjeshtë numrin e nevojshëm të senatorëve që duhet të votojnë për të kapërcyer praktikat bllokuese ndaj emërimeve për poste zyrtare, me përjashtim të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në 2017, republikanët të cilët kishin kontrollin në këtë Senat, në përpjekje për të siguruar miratimin e anëtarëve konservatorë në Gjykatën e Lartë ndryshuan rregulloret dhe tani nevojitet një shumicë e thjeshtë për të kapëcyer taktikat penguese që bllokojnë miratimin e kandidaturave.
KU QËNDRON PROBLEMI?
Pas zgjedhjeve të 2020, demokratët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë, Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Ata duan të miratojnë një axhendë ambicioze, ku përfshihen projekte prej triliona dollarësh në infrastrukturë, masa kundër pandemisë, zgjerimin e të drejtës së votës si dhe ndihma për miliona imigrantë që ndodhen ilegalisht në SHBA.
Por demokratët kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Senati është i ndarë barazisht 50-50 dhe vota e Nënpresidentes Harris shërben për të marrë vendime në rast se rezultati në votime është i ndarë. Kjo nënkupton që për të kapërcyer taktikat që bllokojnë hedhjen në votë të nismave legjislative, demokratëve u duhen votat e 10 republikanëve. Në këtë periudhë tensionesh të ndezura partiake kjo bëhet shumë e vështirë.
Senatorë progresistë si dhe grupe liberale i kanë bërë presion udhëheqësit të shumicës në Senat, demokratit Chuck Schumer të eliminojë procedurat e vonimit ose bllokimit të votës mbi nisma legjislative.
Sipas arkivave të Senatit që datojnë që nga Lufta I Botërore, numri i votave për të anashkaluar këto procedura kurrë nuk arriti në 100 deri në Kongresin e viteve 2007-2008. Në Kongresin e 2019-2020, 298 votuan pro kapërcimit të këtyre procedurave ndërkohë që republikanët po përpiqeshin të siguronin miratimin e kandidatëve të Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë.
Këtë vit, në pesë muajt e administratës aktuale, 41 senatorë kanë votuar për të kapërcyer këtë procedurë, në mënyrë që të hidheshin në votë emërimet e Presidentit Biden për poste zyrtare.
ÇFARË MUND TË BËJNË DEMOKRATËT?
Një shumicë e thjeshtë, pra 51 vota mjaftojnë për të ndryshuar rregulloret e Senatit mbi procedurat që pengojnë votimet. Republikanët i mbështesin këto procedura. Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell ka thënë se demokratët duan ta eliminojnë këtë procedurë pasi po rendin pas “pushtetit të pakontrolluar”.
Demokratët duan të miratojnë axhendën e tyre legjislative tani që kanë kontrollin e të dyja Dhomave dhe Shtëpisë së Bardhë. Të ndeshur me një shumicë të vogël, demokratët duken më të interesuar për të eliminuar procedurat që bllokojnë votimin. Presidenti Biden ka thënë se këto praktika “po abuzohen në mënyrë ekstreme”.
Por demokratëve u mungojnë votat e nevojshme për t’ia arritur qëllimit. Dy ndër demokratët më konservatorë, Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore dhe Kyrsten Sinema nga Arizona, janë kundër ndryshimeve duke argumentuar se këto praktika ekzistuese ushqejnë bashkëpunimin dypartiak në Kongres gjë që i shërben të mirës së vendit.
SI MUND TË NDIKOJË VOTA PËR KOMISIONIN E 6 JANARIT TEK KËTO PROCEDURA?
Demokratët e konsiderojnë ngritjen e komisionit për të hetuar sulmin e 6 janarit në Kapitol si një ndër temat e shumta që kërkon baza e tyre. Të tjerat përfshijnë masa për të lehtësuar qasjen në votime, zgjerimin e mundësisë që imigrantët pa dokumente të marrin shtetësinë si dhe kontrollin mbi armët.
Deri tani Senatori Schumer nuk ka kërkuar të hedhë në votë shumë prej këtyre nismave. Por aktivistët shpresojnë se pas bllokimit të nismës për ngritjen e komisionit hetimor, do të shtohet presioni ndaj demokratëve si Schumer, Manchin dhe Sinema për të eliminuar procedurat që krijojnë vonesa ose pengesa për miratimin e nismave legjislative.
Zoti Schumer nuk e ka vënë plotësisht në përdorim kapitalin e tij politik por e ka lënë të hapur mundësinë që mund të shtojë presionin në këtë drejtim. Këtë javë Senati shpenzoi një kohë të gjatë duke debatuar një projektligj me mbështetje dypartiake mbi masa që do ta ndihmojnë Amerikën të konkurrojë më me sukses me Kinën.
Demokratët shfrytëzuan procedura specifike për buxhetin për të siguruar miratim kur u hodh në votë paketa stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh në mars. Ata mund të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë kur të vijë radha e hedhjes në votë të projektit të Presidentit Biden për infrastrukturën, por rregulloret ekzistuese në Senat e kufizojnë përdorimin e këtyre taktikave.