Për shumë ekonomistë, modeli i një skeme të shkarkimit të përkohshëm nga puna, ka qenë Gjermania, shkruan The Economist. Edhe më parë, ajo ka pasur ecuri të mirë, duke arritur të shmangë humbjet e mëdha të vendeve të punës gjatë krizës globale financiare 2008-2009.
Më pas, qeveria gjermane pagoi pjesën më të madhe të pagave të njerëzve që kishin ndalur përkohësisht punën, duke mos i lejuar punëdhënësit e tyre t’i pushonin njëherë e mirë. Kjo nuk e parandaloi një recesion të keq, por u humbën shumë pak vende pune.
A mund ta kopjojnë me sukses Gjermaninë vendet e tjera?
Ekonomistët gjermanë përgjigjen “Jein” – po dhe jo. Para së gjithash, Kurzarbeit (skema e shkarkimeve të përkohshme në Gjermani) po vihet në provë në një shkallë të paparë. Ndërkohë që në kulmin e krizës financiare në maj 2009, më pak se 1.5 milionë punëtorë gjermanë u pezulluan, 7.3 milionë të punësuar në Gjermani ishin në punë afatshkurtra në maj, sipas Institutit Ifo për Kërkime Ekonomike.
Së dyti, askush nuk e di se kur do të përfundojnë efektet e pandemisë, apo nëse do të ketë një valë të dytë, ndërsa gjatë krizës financiare përgjithësisht (dhe me të drejtë), supozohej se recesioni do të ishte i egër, por i shkurtër. Gjithashtu, skema e Gjermanisë është përputhur me aspektet e tjera të qeverisjes korporative gjermane, siç është përfaqësimi i punëtorëve në bordet e kompanive. Këta faktorë e ndaluan që shefat t’i pushonin punonjësit sapo të rëndohej gjendja ekonomike.
Një mjet i dobishëm
Pothuajse të gjithë ekspertët janë dakord se Kurzarbeit është një mjet i dobishëm. Alexander Herzog-Stein nga Instituti Hans Böckler, i ngjashëm me sindikatat, e krahason sistemin me një urë – “por duhet të ketë një breg në anën tjetër”. Skema gjermane është e kufizuar në 12 muaj. Shteti zakonisht paguan 60% të pagave neto (67% për punonjësit me fëmijë), megjithëse qeveria kohët e fundit vendosi t’i rrisë këto kontribute në mënyrë graduale, deri në një maksimum prej 80% (dhe 87%) për punonjësit që janë pezulluar për shtatë muaj ose më gjatë.
Gjatë krizës financiare, shumë punëtorë të pezulluar, kishin punë me paga të mira në fabrikat prodhuese. Këtë herë, shumë prej tyre kanë paga të ulëta në sektorët e shitjes me pakicë ose hoteleri. Ata do ta kishin të vështirë të përmbushnin nevojat vetëm me 60% të pagës.
Skema gjermane ka funksionuar. Shkalla e papunësisë u rrit në 6.3% në maj, nga 5.8% në prill. Por pushimet masive nga puna janë shmangur. E njëjta gjë vlen edhe për programet e shkarkimeve të përkohshme në Francë, Itali, Holandë dhe Spanjë. Nga sistemi chômage partiel i Francës, kanë përfituar 8.6 milionë punonjës deri në fund të prillit. Shteti paguan deri në 84% të pagës neto, me një tavan prej 4,608 euro në muaj. Punonjësit me pagë minimale përfitojnë shumën e plotë. Ashtu si skema gjermane, edhe ajo franceze është elastike: kompanitë mund të kërkojnë vetëm një pjesë të pagës së një punonjësi, nëse ai ose ajo punon me orë të shkurtuara.
Skepticizmi dhe mashtrimi
Këto skema bujare në Francë dhe Gjermani kanë tërhequr mashtrues. Ministria franceze e Punës ka vërejtur disa lloje mashtrimesh. Disa ndërmarrje kanë pretenduar paga të subvencionuara për punonjës që kanë vazhduar punën (ndonjëherë edhe me kohë shtesë). Të tjerë kanë paraqitur kërkesa për më shumë sesa fitojnë punonjësit në të vërtetë. Sipas disa vlerësimeve, deri në 10% e pagës në këto raste humbet në mashtrim. Muriel Pénicaud, ministri i Punës në Francë, ka njoftuar se fitimet e 50,000 kompanive do të shqyrtohen deri në fund të verës.
Personat që janë skeptikë ndaj skemave të shkarkimeve të përkohshme, argumentojnë se ato janë të kushtueshme dhe mbajnë gjallë kompani të drejtuara keq, që duhet të falimentojnë. Kostoja është me të vërtetë e madhe, por po ashtu edhe kostoja e recesioneve të thella.
Paga tipike gjermane nga Kurzarbeit është ekuivalente me shumën që paguhen mesatarisht njerëzit më të rinj se 50 vjeç, në vitin e parë të punës. Disa punëtorë do të qëndronin gjithsesi në punë, kështu që paga për ta është e humbur. Megjithatë, ia vlen subvencionimi i tyre, nëse ky sistem kursen në total me dhjetëra mijë vende pune, edhe nëse një gjë e tillë, mban gjallë kompani krejt të dështuara, për një kohë pak më të gjatë.
Oliver Stettes nga Instituti i Kërkimeve Ekonomike në Këln, thotë se Austria është një shembull që na tregon pse po funksionojnë skema të tilla. Shkalla e papunësisë atje u rrit në 12.8% në prill (5.5% më shumë se një vit më parë). Sidoqoftë, skema u përmirësua, duke zëvendësuar deri në 90% të pagave, dhe shkalla e papunësisë u ul në 11.5% në maj.
Skemat e punës me kohë të shkurtër janë një mënyrë e dobishme për të kapërcyer një periudhë të shkurtër të kërkesës së ulët për ekonomitë që nuk vuajnë nga dobësi themelore strukturore. Në varësi të formës së rimëkëmbjes, papunësia në vendet e Eurozonës mund të rritet pasi të mbarojnë paratë – por më pak sesa do të ishte rritur pa skemat e punës.