Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se duke filluar që nga kjo e hënë ai do të jetë aktivë edhe në rrjetin e komunikimit digjital, podcast.
Përmes një postimi në Facebook Berisha, thumbon kryeministrin Rama dhe njoftimin që ky i fundit bëri përpara disa ditësh për angazhimin e tij në rrjetin e komunikimeve me qytetarët përmes podcast.
Berisha deklaron se ai e ka pasur që prej dhjetorit planin për të qenë aktiv në këtë platformë, por u shty për shkak të angazhimeve dhe ngjarjeve gjatë kësaj periudhe.
“Si gjithmonë Rama disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj”, deklaron Berisha.
“Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re.
Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj.
Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar.
Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin.
Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time”, shkruan Berisha.