Agron Llakaj, dy muaj më parë humbi të shoqen, Kostandinën, e cila vuante nga një sëmundje. Ai shpeshherë i ka kushtuar dedikime në rrjetet sociale, ku shpreh mungesën e madhe dhe dhimbjen që ndjen nga kjo humbje. Rishtazi, ka bërë një tjetër postim, ku ndër të tjera thotë se ushqehet me shpresën se ajo do të rikthehet.
“Sot, 2 muaj pa ty! Kalojnë ditët dhe sërish mbetem i pushtuar nga mungesa jote, Kostandina dhe jetën e shikoj krejt ndryshe. Sa i pakuptimtë ky fati ynë! Shtyj një ditë, një javë, sot 2 muaj…ushqej mendimin se do më kthehesh sërish dhe s’do…eci rrugës dhe më duket se përpara do më shfaqesh ti, ke qenë në punë, në bankë a diku”, shprehet ai.
Më tej, vijon: “Eci nga liqeni dhe hapat që vijnë mbrapa nga kushdo më ngjajnë me ritmin e hapave të tu. Sa herë, instinktivisht kthej kokën, ul ritmin dhe të pres…dhe sërish vetëm. Ulem te vendi ynë në kafene dhe porosis gjithmonë dy, dy gjysma kafe dhe një shishe ujë. Në shtëpi, çdo lëvizje, hapje e mbyllje dere…më rrëqeth të gjithin. Mos po vjen ti?!”.
“Të kam sjellë dy bluza, provoji cila të rri më mirë?” Më mungon e qeshura jote, malli më shqyen për zërin tënd në telefon: “Hë mo, Agron? Pusho pak, mos rri pa ngrënë. Të të pres apo vonon?” E ditët shtyjnë njëra-tjetrën, e hëna me diellin vazhdojnë ndërrojnë vendet…unë jo…të pres ty. E si Hachiko jam shndërruar në pritje deri në amshim. Nuk kam një vend ku të të pres e në çdo vend më mungon ti”, përmbyll postimin aktori i humorit.