Zv. presidentja e Argjentinës ka arritur t’i shpëtojë për mrekulli një atentati teksa një person u përpoq ta godiste me armë.
Cristina Fernandez de Kirchner ishte duke përshëndetur mbështetësit jashtë shtëpisë së saj kur një djalë doli nga turma dhe i drejtoi një pistoletë në fytyrë.
Autori është një 35-vjeçar nga Brazili, ai u arrestua nga policia e cila po heton për arsyet e këtij veprimi.
Pas kësaj ngjarje, Presidenti Fernandez iu drejtua vendit me një fjalim në orët e vona.
“Cristina është gjallë sepse për një arsye ende të pakonfirmuar, arma që ishte me 5 plumba, nuk shkrepi”, tha ai duke shtuar se përpjekja për të vrarë zv/Presidenten është një nga incidentet më serioze që prej vitit 1983 kur vendi u kthye në demokraci.
“Ne nuk mund të mos biem dakord, mund të kemi mosmarrëveshje, por gjuha e urrejtjes nuk mund të pranohet sepse ushqen dhunën dhe nuk ka asnjë shans që dhuna të bashkëjetojë me demokracinë”, tha Presidenti Fernandez.
El video del arma contra @CFKArgentina pic.twitter.com/8j1xpMnPoe
— Lautaro Maislin (@LautaroMaislin) September 2, 2022
Zv. presidentja është përfshirë në një gjyq korrupsioni dhe po kthehej nga gjykata. Ajo i mohon akuzat.
Ditët e fundit qindra protestues janë mbledhur në mbështetje të saj jashtë shtëpisë së 69-vjeçares në kryeqytet. Zonja Fernández de Kirchner akuzohet për mashtrimin e shtetit dhe për dhënien e kontratave të punëve publike në bastionin e saj në Patagoni, ndërsa ishte presidente midis 2007 dhe 2015.
Nëse shpallet fajtore prokurorët kanë kërkuar që ish-presidentja të përballet me 12 vjet burg dhe përjashtimi nga politika. Megjithatë, de Kirchner është presidente e Senatit dhe kështu gëzon imunitet parlamentar.
Ajo nuk do të burgoset nëse dënimi nuk ratifikohet nga Gjykata e Lartë e vendit. Ajo është përballur me shumë gjyqe të tjera për korrupsion pas kohës së saj si presidente.