“Instagrami po na shkatërron fshatin”. Kjo është thirrja e dëshpëruar të banorëve të Hallstat, një fshat magjik buzë maleve Salzkammergut në Austri i pagëzuar si fshati që ka frymëzuar Arendelle, mbretërinë e motrave Elsa dhe Anna në filmin e animuar “Frozen”.
Edhe pse në fshatin alpin jetojnë vetëm 780 vetë, dhe është shpallur vend i trashëgimisë botërore nga UNESCO që prej vitit 1997, vitet e fundit është “pushtuar” nga turistët, në pjesën më të madhe të kohës 10 mijë vetë e vizitojnë çdo ditë.
Ata bëjnë selfie, foto dasme dhe shpesh futen edhe në shtëpitë e banorëve vendas për të përdorur tualetet e tyre. Kryetari i bashkisë së vogël, Alexander Scheutz, iu është lutur “hordhive” që të qëndrojnë larg fshatit të shekullit XVI dhe madje ka mbyllur edhe rrugët për të mos i lejuar të futen brenda. “Hallstatt ësht ënjë pjesë e rëndësishme e kulturës historike, nuk është muze. Duam të pakësojmë me të paktën 1/3-tën numrin e turistëve, por nuk kemi se si t’i ndalim”, tha ai.
Fshati nisi të tërhiqte vizitorë që kur u shfaq në një emision për turizmin në Korenë e Jugut në vitin 2006. Në vitin 2011, një pasanik kinez shpenzoi gati 1 miliardë dollarë për të krijuar një qytezë identike pranë vendlindjes së tij. Dhe pas suksesit të filmit “Frozen” në vitin 2013 popullariteti i Hallstatt u rrit edhe më shumë. Tani, aty shkojnë turistë 6 herë më shumë se në Venecia ndërsa çmimet e dhomave të hoteleve kanë arritur deri në 400 dollarë për një natë.