Pjesa e dytë/ Baronët e Kokainës Kolumbiane
Nga Raimonda MOISIU
Ishte ora 2:35 pm e datës 11 Korrik 1979, kur në Departamentin e Policisë të Qarkut Dadeland, mbërriti një telefonatë se po ndodhte shkëmbim zjarri mes grupeve rivale latine në qendrën tregtare të Dadeland, qendra më e madhe në jug të shtetit të Floridës.
Një kamion i bardhë furnizimi i tipit FORD kishte hyrë në parkingun e qendrës tregtare (Dadeland Mall), dhe në rast se një sy i kujdesshëm do e kishte vënë re nga afër kamionin, do kuptonte se mbishkrimet komerciale në dy anët e kamionit nuk kombinonin mes tyre; në anën e majtë shkruhej diçka që ishte gati e njëjta me atë që shkruhej në anën e djathtë por me të vetmin ndryshim se në të majtë ishte fjala “party supply” ndërsa në të djathtën shkruhej “supply party” dhe mbishkrimet ishin shkarravitur me bojë të kuqe. Poshtë këtyre mbishkrimeve komerciale gjendej edhe një numër telefoni, por nëse dikush i telefononte atij numri, kurrë nuk do e kuptonte se çfarë nënkuptonte “party supplies”! Kamioni lëvizi drejt kthesës juglindore të qendrës tregtare, dhe qëndroi përballë një dyqanit pijesh, Crown Liquors, i cili ndodhej midis dyqanit të ushqimeve dhe një salloni bukurie.
Qyteza e Dadeland-it njihet si fasada tradicionale e jetës periferike subtropikale me lëndina të praruara dhe shtëpitë në stilin tradicional fermer. Kamioni i bardhë që binte në sy që nuk ishte i zonës, kishte ardhur në Dadeland mbasi ishte në dijeni për një porosi që German Jimenez Panesco do e bënte në Crown Liquors.
German Jimenez ishte koka e shitjes dhe shpërndarjes së kokainës në Miami. Burrat që ndodheshin në kamionin e bardhë ishin edhe ata shpërndarës kokaine si Jimenez, por kolumbianë në origjinë. Kamioni i bardhë parkoi shumë pranë dyqanit të pijeve, me gjasë po bënte furnizimin e dyqanit, dhe qëndronte ende i ndezur. Ndërkohë rreth orës 2 p.m., Jimenez dhe bodigardi i tij 22-vjeçar, Juan Carlos Hernandez hynë në parkingun e qendrës tregtare (Dadeland Mall) në një Benz Mercedes të bardhë, dhe si lënë pisqollën Browning automatike 9-mm në sediljen e pasme, ata hynë të paarmatosur brenda Crown Liquors. Menjëherë Hernandez i kërkon shitësit të dyqanit, Thomas Capozzit, një shishe Chivas Regal për bosin e tij. Pasi Capozzi iu tregoi me dorë raftin se ku ndodhej shishja, Hernandez shkoi ta marrë atë dhe pikërisht në atë kohë, dy burra dalin nga kamioni i bardhë dhe hyjnë brenda në dyqan. Njëri prej tyre i drejtoi armën automatike silenciator 380 Beretta, Jimenez-it dhe hapi zjarr ndaj tij. Ndërsa tjetri me një pistoletë Ingram MAC-10 i bashkohet dhe që të dy qëllojnë me breshëri ndaj Jimenezit dhe Hernandez duke thyer shishe të shumta ndër raftet. Hernandez vdiq në vend, ndërsa Jimenez bëri disa hapa në përpjekje për të dalë jashtë dyqanit, dhe në pak sekonda ra përtokë. Një pjesë e kokës së tij ishte bërë copë nga plumbat 45- kalibër të MAC-10. Ndërsa shitësi i dyqanit Capozzi u plagos nga një plumb rikoshet, ndërsa vraponte jashtë dyqanit i tronditur. Pasi zbrazën armët plot 60-t herë, vrasësit i flakën armët brenda dyqanit, vrapuan jashtë dhe hipin me shpejtësi në kamionin i bardhë. Për të mbuluar gjurmët dhe të mos i njihnin, në largim e sipër ata bëjnë terror, duke qëlluar me armë në tërë parking-un e qendrës tregtare. Ata ishin në ekstazë edhe kur gjuanin me armë pasqyrat e kamionit të tyre teksa plumbat rikoshetë godisnin në xhamat e dritareve të makinave të tjera, të parkuara aty. Të shtënat zgjatën jo më pak se tre minuta derisa kamioni i bardhë u zhduk në pjesën jugore të qendrës tregtare.
Teksa ulte receptorin e telefonit, detektivi Al Singleton coi nëpër mend: “Dreqi e mori këtë punë. Lufta për kontrollin e trafikut të drogës sapo filloi!”
Për muaj me radhë aty në qytezën e Dadeland-it, në jug të Floridës raportet dhe të dhënat e policisë tregonin se lufta po zhvillohej më e fortë dhe më e përgjakshme mes karteleve e rrjeteve të drogës për të kontrolluar trafikun e kokainës drejt SHBA-së dhe trafikut ndërkombëtar të saj. Brenda një kohe relativisht të shkurtër mujore, dhjetëra kolumbianë ishin regjistruar të vrarë në Dade County, dhe asnjëra prej vrasjeve nuk ishte zbardhur. Detektivi Singleton, një ish-marins trup elegant me veshët e mëdhenj, hipi në makinën e tij dhe mori autostradën Dolphin në jugperëndim të qytezës Dadeland që të çonte në parking-un e qendrës tregtare aty ku kishte ndodhur ngjarja. Asnjë prej njerëzve të ligjit dhe policisë nuk e kishin të qartë se çfarë po ndodhte dhe pse lufta për kontrollin e kokainës vazhdonte dhe nga dita në ditë po bëhej më e ashpër dhe e frikshme. Një hipotezë inkoporonte rivalitetin mes karteleve të kokainës kolumbiane, të tjerë mendonin se ishin vrasjet mes bandave kolumbiane dhe atyre kubane.
Për vite me radhë, ekuilibrat i fuqisë së tregut midis distributorëve kubanë dhe furnizuesve të tyre kolumbianë patën qenë në nivele të barabarta. Kolumbianët blinin gjethen e kokainës në Bolivi dhe Peru, e përpunonin atë në makineri laboratorike, prodhonin pluhurin e saj, më pas e paketonin, dhe e shpërndanin kontrabandë në rrugë tokësore e detare nëpërmjet rrjeteve të shpërndarjes në vendin e tyre, dhe në tregun amerikan të drogës, që transportohej përgjatë vijës bregdetare drejt veriut, kryesisht në Floridën e Jugut.
Të shtënat me armë zjarri në parking-un e qendrës tregtare të qytezës Dadeland, në jug të Floridës, u bënë menjëherë “Breaking news & Top Stories” në gjithë Amerikën dhe personat e përfshirë në atë ngjarje prezantoheshin me termin “cowboy cocaine”. Trafikantët kolumbianë krijuan një situatë të zymtë, luftë të ashpër, të frikshme, të pashmangshme, dhe pasiguri, saqë ligjvënësit amerikanë nuk e kishin hasur kurrë më parë.
Trafikantët kolumbianë dhe kartelet e tyre të drogës do ta shndërronin Majamin në Kazablankën e kokainës të viteve ’80-ë, dhe kërkesa për kokainën kolumbiane rritej me përmasa gjigande në SHBA veçmas në dekadën e fundit të shekullit 20-ë. Në vitin 1988, 6 milion amerikanë ishin përdorues të rregullt të kokainës dhe tre prej tyre vdisnin çdo ditë prej saj. Kokaina kolumbiane, për herë të parë në histori, u shndërrua kërcënim i përhershëm dhe i frikshëm për sigurinë kombëtare të Amerikës. Por sidoqoftë në 1979-ë, ishte e qartë dhe e vështirë, ndoshta edhe e pamundur, për detektivin Singleton dhe kolegët e tij, të kuptonin dhe shihnin me dhimbje rritjen e një bisnesi vdekjeprurës, që po shndërrohej nga një tregti individuale kontrabandiste, në një industri fitimprurëse ndërkombëtare, miliona e miliona dollarë. Teksa Singleton po hynte në parking-un e qendrës tregtare në Dadeland, vuri re se nuk ishte krim nga kriminelë ordinerë e amatorë, por ishte krim profesionistësh të sprovuar, ku në majë të kupolës qëndronin një grusht kolumbianë, të cilët më vonë do të bëheshin,- Baronët e Kokainës! Ata do të testoheshin e sfidoheshin vazhdimisht prej trafikantëve rivalë, nga policia dhe qeveritë. Por ata gjithmonë mbijetonin, ia dilnin duke u renditur në kriminelët më të pasur në histori, të gjallë e të vdekur. Ata katër burra latinë njihen si Karteli Medelin (Cartel Medellín), i cili dendur konkurronte me kartelet rivale brenda dhe jashtë vendit, duke rezultuar në masakra dhe vrasje të oficerëve të policisë, gjykatësve, vendasve dhe politikanëve me emër e reputacion.
Kush ishin ata, -të quajturit-Mbretërit e Kokainës (Kings of Cocaine), nga vinin dhe si u përfshinë ata në këtë biznes marramendës fitimprurës.
Ata ishin vetëm katër djem të rinj, të pashëm e të fortë, që vinin nga shtresa sociale të mesme dhe të varfra, dhe mosha e tyre varionte nga 30 vjet e lart. Mes tyre ishte edhe një i ri nga Medellin i cili nga mesi i viteve 1970-ë ishte bërë në heshtje një nga trafikantët më të rëndësishëm të kokainës në botë.
Pablo Emilio Gaviria (Escobar), i mbiquajturi El Padrino, 39 vjeç, dhe konsiderohet “The Godfather”, -i cili nga një vrasës rruge, rrëmbime dhe pengmarrje, vjedhës makinash, cigare kontrabandë, lotari të rreme, u shndërrua në trafikant kokaine dhe koka e kartelit Medellin të drogës. Të ardhurat nga trafiku i kokainës mendohej të ishin mbi 21.9 miliard dollar për çdo vit.
Ai arriti të krijonte reputacionin e mirë të Kartelit Medellin përmes donacioneve financiare për familjet në nevojë dhe shtresën e varfër nga e cila ai vinte.
Jorge Luis Vasquez, El Gordo-“The Fat Man” (Trashaluqi)-konsiderohet njeriu nr 2 në Kartelin Medellin, një njeri fjalë pakë, i cili vinte nga shtresa e mesme më e ulët sociale, dhe gjithë jetën ishte në kërkim të një jete më të mirë për familjen e tij, të cilën e gjeti te kokaina. Arriti të bëhej lideri i një bande vëllezërish që i përkisnin familjes të kondrabandistëve Ochoa. Mendohet se ka fituar miliarda dollarë në trafikun e kokainës.
Carlos Lehder Rivas –alias-“Joe Lehder”, -gjermano- kolumbiani, që konsiderohet nr 3 dhe bashkëthemelues i Kartelit Medellin të Kokainës. Djaloshi inteligjent dhe admirues i flaktë i grupit muzikor të “Beatles”-ave, i cili ëndërroi të krijonte rrjetin më të madh në botë të transoprtimit të kokainës.
Jose Gonzalo Rodriguez Gacha, El Mejicano-alias –“The Mexican” (Meksikani), i cili pastroi të ardhurat nga trafiku i kokainës duke blerë klubet e futbollit, fushat e hipizmit për garat me kuaj dhe pasuri private të patundshme, toka bujqësore, livadhe dhe pyje pafund.
VIJON
Pjesën e parë e gjeni KËTU