Disa video tregojnë se si një rrjet spiunazhi rus kryen misionet e tij në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje.
Një grua me xhaketë të bardhë shkon në Ambasadën Ruse, shihet duke biseduar me dikë, ndërsa brenda godinës, kamera e sigurisë kap një burrë duke numëruar paratë në tryezën e punës, që mendohet se ishin shpërblimi për spiunazhin.
Prokurorët njoftuan se 6 shtetas bullgarë akuzohen për spiunazh për Rusinë. Disa prej tyre kanë qenë ish-zyrtarë të mbrojtjes. Prokurorët thanë se grupi “përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, pasi mbledh dhe dorëzon te Rusia sekretet e Bullgarisë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.
Sipas prokurorëve, interes të veçantë për spiunët përbënte Qendra e Koordinimit të Marinës së NATO-s, e inauguruar në mënyrë sekrete në Varna.
Ata bënë me dije se gruaja e arrestuar ka dy shtetësi, atë bullgare dhe atë ruse, dhe shërbente si ndërmjetëse me ambasadën. Gjithashtu, ajo ishte gruaja e kreut të këtij rrjeti spiunazhi, i cili mendohet se është një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë.