Territori dhe popullsia
Në periudhën antike treva që nga malet e Llogarasë dhe të Kudhësit me rrjedhjen e mesme të Vjosës në veri dhe deri në gjirin e Ambrakisë dhe në kufijtë e Etolisë në jug, që nga malet e Pindit në lindje e deri tek brigjet e detit Jon në perëndim, përbënte një njësi gjeografike-politike më vete të formuar historikisht dhe të njohur me emrin Epir, nga greqishtja e vjetër Apeiros që do të thotë stere, tokë.
Me fjalën Epir autorët grekë nënkuptonin në fillim çdo vend kontinental përballë ishujve. Po me këtë kuptim, p.sh., Homeri e quan Akarnaninë Epir, gjithashtu më vonë edhe Tukididi. Kështu i quanin edhe brigjet përkundrejt tyre banorët e ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e vet ishullore.
Ky emër i përdorur në fillim si një emër i përgjithshëm për të caktuar pozitën kontinentale të krahinës etnikisht ilire, që ndodhej përballë tyre, u shndërrua më vonë në një nocion të përveçëm gjeografik, që i atribuohej një krahine të veçantë me kufijtë pak a shumë të përcaktuar historikisht.
Në këtë kuptim emri Epir ndeshet për të parën herë tek shkrimtari grek i fundit të shek. VI p.e.sonë, Hekateu, kur thotë se Oriku është liman i Epirit, dhe pak më vonë tek Pindari, i cili e quan Epirin “të famshëm me hapësira kodrash të shkëlqyeshme … që fillojnë nga Dodona e deri në brigjet e Jonit”.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, me transformimin e bashkësisë molose në një shtet të ri federativ, të quajtur epirot, që përfshinte pjesën më të madhe të popullsisë së këtij territori duke pasur një nënshtetësi të vetme, epirote, emri Epir merr tani një kuptim të përcaktuar qartë politik.
Shkrimtari grek i shek. IV p.e.sonë numëron në këtë kohë në Epir vetëm 14 fise, por nga burimet e tjera historike-epigrafike rezulton që ky numër të ketë qenë shumë më i madh.
Nga fiset më kryesore ilire, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë politike të kësaj krahine, përmenden sidomos thesprotët, kaonët, molosët etj. Ndërmjet këtyre fiseve ndodhnin luftëra të vazhdueshme për epërsi territoriale dhe politike dhe kishte një prirje për separatizëm midis sundimtarëve të veçantë të tyre. Kjo gjendje vazhdoi të paktën deri në fillim të shek. IV p.e.sonë, kur mbretërit molosë arritën t’u imponohen shumë prej fiseve fqinje epirote dhe të krijonin një mbretëri të fuqishme, me bazë federative, që autorët grekë e quanin Koinon të molosëve.
ALEANCA (SYMAHIA) EPIROTE
Formimi i shtetit të epirotëve dhe organizimi politik i tij
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ndodhën ndryshime të një rëndësie të veçantë në organizimin shtetëror të Epirit. Lidhja e Molosëve shndërrohet tani në një formë të re shtetërore të një karakteri gjithnjë federativ, si edhe më parë, por me një emërtim të ri kushtetues, të quajtur aleancë e epirotëve.
Ky shtet i epirotëve, siç rezulton nga të dhënat e ndryshme burimore të kohës, u formua nga bashkimi i shtetit të molosëve me aleatët (symahoi) e tij, me Kasopene dhe qytetet e Eleasë fqinje me të, si edhe me shtetin e thesprotëve.
Nuk njihen me saktësi motivet që çuan në konsolidimin juridik të këtij organizimi të ri shtetëror; po kështu ekzistojnë mendime të ndryshme rreth saktësimit të datës së kësaj ngjarjeje, duke e vendosur atë në kohën e Aleksandrit ose fill pas vdekjes së tij kur ishte regjente e shoqja e tij Kleopatra. Në qoftë se do të pranohet se organizimi i kësaj forme të re shtetërore u bë nga Aleksandri Molos, përpara se ai të fillonte fushatën luftarake në Itali, atëherë kjo duhet të ketë qenë rrjedhojë e fuqizimit të mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Por, nëse formimi i saj do të ketë ndodhur fill pas vdekjes së Aleksandrit, ky organizim duhet parë si rrjedhojë e dobësisë së autoritetit të sundimtarëve molosë. Megjithatë, është e sigurt, se rruga drejt kësaj zgjidhjeje të re në organizimin shtetëror të vendit qe hapur nga Aleksandri me politikën e federimit të territoreve të reja që i ishin atashuar Lidhjes Molose.
Federata epirote nga pikëpamja e formës së qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ me bazë monarkike dhe me të drejta të barabarta të të gjithë pjesëmarrësve në të. Në kuadrin e kësaj federate çdo bashkësi e madhe apo e vogël etnike kishte organizimin e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit, prostatin e tij. Bashkësitë merrnin pjesë në qeverisjen e shtetit epirot nëpërmjet kolegjit të përfaqësuesve (damiorgë) të tyre, që dilte nga çdo komunitet i veçantë etnik.
Institucionet drejtuese të këtij shteti nuk ndryshonin nga pikëpamja funksionale nga ato të Lidhjes Molose. Ndryshimi i emrave të tyre nga molos në epirot, nuk shprehin ende ndonjë diferencim real të institucioneve shtetërore. Në këtë drejtim mund të thuhet se Lidhja e Molosëve vazhdon, zgjerohet, por pa u dobësuar, në një formë të re, në atë të shtetit epirot.
Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili zgjidhej gjithnjë nga familja mbretërore e molosëve të dinastisë tradicionale të Eakidëve, por tani si mbret i shtetit epirot. Si edhe më parë, pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati, i cili megjithëse ruante titullin “i molosëve” ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin e shtetit epirot. Ai kishte për detyrë të ruante ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të nënshtetasve epirotë, t’i drejtonte ato, të bëhej interpret midis mbretit dhe nënshtetasve në këmbimin e premtimeve reciproke në faltoren e Zeusit Arcios, në Passaron etj.
Eklesia e molosëve, ia lëshon vendin tani një asambleje të re më të gjerë ku merrnin pjesë popullsia e tërë shtetit epirot. Kjo asamble me funksione legjislative, që miratonte edhe dekretet shtetërore quhej Symahia e epirotëve.
Kjo federatë me karakter të theksuar politik-ushtarak merrej edhe me çështje të veçanta ekonomike dhe financiare që ishin në funksion të saj. Kështu p.sh. në bazë të një mbishkrimi dekretor të viteve 317-312 p.e.sonë, gjetur në Dodonë, nxirret përfundimi se të ardhurat doganore ishin caktuar të mblidheshin për llogari të kësaj aleance.
Me krijimin e kësaj kushtetute konfederale epirote, ndryshoi dhe sistemi i mëparshëm monetar. Monedhat e molosëve, të thesprotëve dhe të kasopasve, të cilat qarkullonin deri atëherë në Epir si monedha autonome, zëvendësohen tani me një prerje të përbashkët për të tërë Epirin, gjë që pasqyrohet qartë dhe në legjendën e tyre, “e epirotëve”. Nuk dihet me saktësi se ku qenë prerë këto monedha të Symahisë. Mund të mendohet të ketë qenë Dodona, ku më vonë do të provohet dhe ekzistenca e një punishteje monetare. Por kjo nuk përjashton mundësinë që ato të jenë prerë dhe në ndonjë vend tjetër, si p.sh. në Pasaron.
Aleanca epirote, me gjithë ndryshimet që mund të ketë pësuar gjatë jetës së saj, historikisht vazhdoi të ekzistonte rreth një shekulli deri në vitet 334-233 p.e.sonë, kur u zëvendësua nga Lidhja Republikane Epirote.
Shteti i ri epirot në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë
Pas vdekjes së Aleksandrit molos, shteti i Epirit u gjet përpara vështirësive serioze, të shkaktuara nga grindjet e brendshme midis grupeve të ndryshme politike të shtresave sunduese, si edhe nga krijimi i situatave të jashtme të jo të favorshme, që çuan në prishjen e ekuilibrit në marrëdhëniet midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë.
Në krye të luftës kundër Maqedonisë u vu tani Olymbia. Kjo, fill pas vdekjes së vëllait, qe kthyer në vendlindje për t’iu kundërvënë Antipatresit të Aleksandrit maqedon, me të cilin ishte në opozitë. Duke ardhur në Epir ajo zboi nga regjenca Kleopatrën (330-328 p.e.sonë) dhe filloi të sundojë shtetin epirot si tutore e të nipit të mitur, Neoptolemit II për një kohë dhe bashkë me Ajakidin të birin e Arrybës.
Në vitin 317 p.e.sonë, përpjekjet e Olymbisë për të marrë pushtetin në Maqedoni, u kurorëzuan me sukses, por vetëm për pak kohë, pasi qe e detyruar ta lëshojë atë nga presioni ushtarak që i bëri asaj Kasandri, i biri i Antipatrit. E ndjekur prej tij Olymbia u strehua në Pella, ku më kot priti ndihmën e Ajakidit, meqenëse një pjesë e madhe e ushtrisë së tij kundërshtoi vendimin për të hyrë në luftë me Maqedoninë. Kjo revoltë e ushtarëve, aktivizoi në prapavijë elementët promaqedonë, të cilët e detyruan këshillin e aleancës më në fund të dëbojë Ajakidin nga froni dhe të rivendosë lidhjet me Maqedoninë. Olymbia e lodhur nga rrethimi i gjatë, uria dhe nga sulmet e pareshtura të armikut, u dorëzua më në fund dhe u vra nga kundërshtarët e saj. Kjo disfatë në frontin e luftës, i dha shkas një vale të tërbuar ndjekjesh kundër përkrahësve të Ajakidit. Opozita kërkoi të zhdukte edhe të birin e tij, Pirron dyvjeçar, por nuk arriti, pasi njerëzit e tij e dërguan fshehurazi tek mbreti ilir Glaukia, me të cilin Ajakidët kishin lidhje.
Për të shuar qëndresën antimaqedone në vend, Kasandri vendosi në Epir një regjim pushtimi. Ai e bëri këtë siç duket, me qëllim që të ishte i lirë në zbatimin e politikës së tij pushtuese në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Por ky presion i vazhdueshëm politik dhe shoqëror i Maqedonisë, shkaktoi një valë të papërmbajtur zemërimi midis popullsisë epirote, e cila u hodh në opozitë të hapur me shkelësit e të drejtave të saj. Këtë pakënaqësi e shfrytëzoi Ajakidi. Ky, pasi u kthye në atdhe në vitin 313 p.e.sonë, me ndihmën e përkrahësve të tij nga Etolia, mundi të organizojë me lehtësi ushtrinë epirote dhe sulmoi kundërshtarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo ndodhi në një kohë kur Maqedonia sapo kishte filluar luftën kundër etolëve dhe ilirëve. Megjithatë kjo fushatë e Ajakidit nuk pati sukses dhe vetë mbreti mbeti i vrarë në fushën e betejës.
Gjendja në Epir nuk ndryshoi as më vonë, kur në krye të shtetit epirot u vendos Alketa II, i biri i Ajakidit. Ai bëri shumë përpjekje për t’u shkëputur nga Maqedonia, por pavarësisht nga sukseset e përkohshme, ai u detyrua më në fund të pranonte paqen me kundërshtarin në kushte të favorshme për këtë. Alketës II iu desh të ndryshonte dhe politikën e vet dhe të bënte aleancë me Maqedoninë. Ky veprim krijoi një opozitë të fortë në Epir, kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi, por pa rezultat. Ndërkaq, veprimet e tij arbitrare, shkaktuan zemërimin e popullsisë, që shpërtheu në një kryengritje hakmarrëse dhe që përfundoi me vrasjen e Alketës II dhe të bijve të tij.
Në vitin 307 p.e.sonë u duk sikur gjendja do të ndryshonte. Glaukia, duke mos e parë me sy të mirë fuqizimin e ndikimit maqedon në Epir, ndërhyri me forcë në punët e brendshme të tij dhe vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar dhe bashkë me të edhe ndikimin e tij. Por ky nuk zgjati më shumë se 5 vjet, pasi Kasandri organizoi me njerëzit e vet shfronësimin e Pirros, në një kohë kur ai ende nuk kishte forcuar mirë pozitat e tij, dhe vendosi në fron Neoptolemin II. I ndodhur në këtë kohë jashtë Epirit, Pirroja u vu në shërbim të sundimtarëve helenistikë, Demetër Poliorketit dhe Ptolemeut të Egjiptit për disa vite me radhë. Në këto vende ai pati rast që të shohë e të mësojë shumë si nga jeta shoqërore, ashtu edhe nga arti luftarak i këtyre vendeve, ku dhe u dallua së tepërmi duke treguar shkathtësi, guxim dhe trimëri të rrallë në një varg betejash.
Në vitin 297 vdekja e Kasandrit të Maqedonisë dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj sundimit arbitrar të Neoptolemit II, e ndihmuan Pirron që të rikthehej në atdhe. Për këtë veprim ai qe përkrahur dhe nga Ptolemeu, i cili shpresonte të kishte në personin e Pirros një mbështetje efektive për planet e tij në Greqi. Pasi zbarkoi në brigjet e Epirit me forcat e veta ushtarake të sjella nga Egjipti dhe duke gjetur përkrahjen e popullit që, sipas Plutarkut, e priti duke e përshëndetur me mbiemrin “Shqiponjë”, Pirroja u vendos më në fund në fronin e Mbretërisë Epirote. Në fillim ai u përpoq të përforconte pozitat e tij në Epir, dhe këtë e arriti me durim, duke e ndarë për një kohë fronin me Neoptolemin II, i cili kishte ende përkrahës në qarqet sunduese. Kur ia arriti këtij qëllimi, dhe, pasi mori vesh se rreth tij po kurdisej një kurth nga përkrahësit e Neoptolemit, Pirroja e vrau këtë, dhe pas kësaj shpejtoi të përqendronte të tërë pushtetin mbretëror në duart e veta.
Epiri në kohën e sundimit të Pirros (297-272 p.e.sonë)
Nga një politikë e paqëndrueshme e brejtur nga kontradikta të brendshme dhe presione nga jashtë, shteti epirot kalon tani në një politikë energjike të pavarur, me një perspektivë të gjerë në fushën e forcimit të pushtetit shtetëror dhe të zgjerimit territorial të tij, që u realizuan me një shpejtësi dhe me një mënyrë të paparë deri atëherë. Gjatë sundimit të Pirros shteti epirot bëhet një fuqi imponuese e kohës me një pushtet të fortë mbretëror, me një potencial të madh ushtarak si dhe me një autoritet politik të shquar në botën mesdhetare të kësaj kohe.
Pirroja vendosi marrëdhënie diplomatike me disa shtete të fuqishme të asaj kohe dhe i forcoi lidhjet me martesa të shumta që bëri me bijat e sundimtarëve të tyre. Që kur ishte në oborrin e Ptolemeut I, Pirroja qe martuar me të bijën e tij Antigonën, më vonë pas vdekjes së saj, me Lanasen, të bijën e Agathoklit të Sirakuzës, prej së cilës mori si prikë dhe Korkyrën që ai kishte pushtuar dhe pastaj edhe me të bijat e sundimtarëve ilirë, Audoleonit të paionëve dhe të Bardhylit të Ri. Pirroja i kushtoi vëmendje të posaçme organizimit të ushtrisë, përpunimit të një strategjie efektive luftarake, për të cilat kishte njohuri të mëdha teorike, si dhe rritjes së aftësisë luftarake të ushtrisë. Ai favorizoi gjithashtu dhe përparimin ekonomik dhe kulturor të vendit që u pasqyrua në zhvillimin dhe në intensifikimin e mëtejshëm të urbanizimit të Epirit. U zhvillua një veprimtari e dendur ndërtuese në qytetet ekzistuese si në Dodonë, Ambraki apo në qytetet e tjera të reja epirote, midis të cilëve Berenike, Kasopi dhe Antigonea në Kaoni, të cilët mbajnë emra që kanë të bëjnë me siguri me kohën e sundimit të Pirros. Për një nivel të lartë të artit të ndërtimit në këtë kohë dëshmojnë edhe shtëpitë shumë të bukura dhe të ruajtura mirë të Amotoposit në Molosi, ku mendohet të ketë qenë dhe Fylakeja antike.
Pirroja projektoi një politikë të jashtme aktive ekspansioniste. Ai ndërhyri në çështjet e ndërlikuara të botës greko-maqedone dhe italike me mendimin që të krijonte një shtet të madh epirot, i cili do të përfshinte Ballkanin dhe përtej detit, Gadishullin Italik.
Së pari, Pirroja e drejtoi vëmendjen nga Maqedonia, ku pas vdekjes së Kasandrit kishin shpërthyer turbullira për trashëgimin e fronit. Këtë gjendje të vështirë të Maqedonisë e shfrytëzoi për të ndërhyrë në punët e brendshme të saj si përkrahës i Aleksandrit, të birit të Kasandrit. Me këtë rast Pirroja i shkëputi Maqedonisë mjaft krahina që gjendeshin në atë kohë nën kontrollin e saj dhe pikërisht Tymfenë e Paraunenë epirote të pushtuara nga Filipi II, Amfilokinë, Akarnaninë dhe Ambrakinë, të cilën e bëri kryeqytet të mbretërisë së tij.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë nuk vazhduan shumë dhe u prishën në vitin 294 p.e.sonë, kur Demetër Poliorketi zhduku aleatin e tij Aleksandrin dhe mori në duar frenat e Mbretërisë Maqedone. Në këtë situatë Pirroja duke mos qenë më i sigurt në kufijtë lindorë të mbretërisë së tij, u vu në opozitë të hapur me sundimtarin e ri maqedon dhe aderoi në aleancën antimaqedone që u krijua pak më vonë në Greqi. Në vitin 289 p.e.sonë, Demetri duke dashur t’u imponohej kundërshtarëve të vet, pushtoi Etolinë dhe sulmoi Epirin, por Pirroja kundërveproi menjëherë. Pasi theu maqedonët në Etoli, duke u shkaktuar atyre humbje shumë të mëdha, i detyroi ata të tërhiqeshin dhe nga Epiri.
Kundër Demetrit të Maqedonisë filloi të veprojë pak më vonë koalicioni i sundimtarëve helenistikë: Ptolemeu i Egjiptit u nis me një flotë të madhe dhe ngriti kundër tij qytetet e Greqisë, kurse Lysimaku, sundimtar i Trakisë dhe i një pjese të Azisë së Vogël, hyri në Maqedoninë Veriore duke e shkretuar atë. Kjo gjendje vuri në lëvizje edhe Pirron, i cili e sulmoi Maqedoninë nga jugu. Ky iu drejtua qytetit Edisa, dhe e pushtoi atë pa hasur në ndonjë qëndresë të madhe, meqë forcat më të rëndësishme të ushtrisë së Demetrit ishin dislokuar në veri kundër Lysimakut. Pirroja ndërkaq përparonte pa ndonjë qëndresë nga ana e maqedonëve dhe arriti, madje, të shpallej mbret i tyre. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi qe detyruar t’i ndante zotërimet e tij në Maqedoni me Lysimakun, i cili pretendonte se kishte dhënë ndihmesë në sukseset e Pirros duke mbërthyer për një kohë forca të shumta të Demetrit në kufirin verior të Maqedonisë. Këto lëshime të Pirros mënjanuan konfliktin e mundshëm me Lysimakun, por nuk zhdukën kontradiktat midis tyre.
Në këtë kohë, zotërimet e shtetit epirot në Ballkan arritën zgjerimin e tyre më të madh. Pirroja sundonte tani jo vetëm mbi tërë Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të Thesalisë në lindje, mbi krahinat greke në jug të Epirit, ku bënin pjesë Ambrakia, Amfilokia e Akarnania. Në veri zotërimet e tij shtriheshin dhe mbi një pjesë të vogël të Ilirisë, si edhe mbi disa ishuj të Jonit ku bënte pjesë edhe Korkyra. Kjo hapësirë territoriale, megjithatë, nuk përbënte një organizim të qëndrueshëm politik rreth një bërthame të fuqishme qendrore, as edhe një komunitet territoresh dhe popullsish të bashkuara me interesa të përbashkëta, por një konglomerat popujsh me zhvillim jo të njëllojtë social, ekonomik dhe politik, të nënshtruar nga ushtria epirote në krye të së cilës qëndronte si komandant Pirroja. Kjo ishte arsyeja që këto zotërime, në rastin më të volitshëm, u shkëputën nga varësia e Epirit. Dhe ky rast u shfaq menjëherë pas shpartallimit të Demetrit në Azi. Lysimaku që e ndiente tani veten të lirë dhe kohën të përshtatshme për të aneksuar tërë Maqedoninë, u drejtua me forca të mëdha kundër Pirros dhe e detyroi atë të hiqte dorë nga pushtimet në Maqedoni dhe në Thesali.
Ndërkaq në Italinë e Jugut u zhvilluan ngjarje, të cilat nuk lanë pa tërhequr vëmendjen e sundimtarit epirot, sidomos tani pas humbjes së Maqedonisë. Qytetet greke të Italisë së Jugut, me të cilat Epiri kishte vendosur me kohë lidhje tregtare, të dobësuara nga lufta e konkurrenca ndërmjet tyre, nuk qenë në gjendje të zhduknin kontradiktat e ashpra që karakterizonin marrëdhëniet midis tyre.
Këtë gjendje e shfrytëzoi me sukses Roma, e cila ndërhyri për t’i zgjidhur këto kontradikta në të mirën e vet. Por ky fakt ngjalli pakënaqësi tek Tarentinët, që hynë në konflikt të hapur me romakët. Duke mos e përballuar epërsinë e forcave romake, me të cilët u bashkuan si aleatë edhe lukanët, mesapët dhe tarentinët kërkuan ndihmën e Pirros.
Shtetit epirot iu dha për të dytën herë mundësia që të ndërhynte aktivisht në punët e brendshme të qyteteve të Italisë së Jugut. Qarqet sunduese të Epirit e mirëpritën këtë ftesë, duke shpresuar se lufta në Itali do t’u sillte përfitime të mëdha. Pirroja iu përgjigj me kënaqësi kësaj thirrjeje, duke menduar se kishte ardhur koha për të bërë hapin e rëndësishëm në formimin e një perandorie të madhe në perëndim.
Pirroja në Itali
Në vitin 280 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe të përbërë kryesisht nga kontingjente molosësh, thesprotësh dhe kaonësh (20 000 këmbësorë, 3 000 kalorës, 2 000 varkëtarë e 500 hobetarë), Pirroja u nis për në Itali, duke pasur me vete dhe 200 elefantë. Pasi arriti në Tarent ai mori menjëherë masa për ta vënë qytetin në pozita lufte; rekrutoi ushtarë nga popullsia qytetare dhe në krye të forcave të bashkuara i doli përpara ushtrisë romake që po përparonte në drejtim të qytetit. Të dy ushtritë kundërshtare u ndeshën pranë Heraklesë. Këtu u zhvillua beteja e parë, në të cilën Pirroja korri një fitore të shkëlqyer, që ia ngriti lart autoritetin mbretit epirot në sy të aleatëve. Në anën e tij kaluan tani dhe fiset italike kundërshtare të Romës, si edhe pjesa më e madhe e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Fitorja e Heraklesë, megjithatë nuk e zgjidhi fatin e luftës. Në vitin 277 p.e.sonë, Roma grumbulloi forca të tjera të mëdha dhe e detyroi Pirron të hynte përsëri në luftë me të. Por në një betejë të ashpër dhe të përgjakshme që u zhvillua pranë Askulit, Pirroja arriti t’i thyente për të dytën herë romakët. Ata nuk mundën t’i qëndronin manovrimit taktik luftarak të Pirros dhe aq më pak sulmit të tërbuar të elefantëve, të cilët sollën panik në ushtrinë romake. Pirroja fitoi edhe kësaj radhe, por kjo fitore i kushtoi atij humbje shumë të mëdha. Që atëherë fitore të tilla me humbje u bënë zakon të quhen fitore pirrike ose “fitore e Pirros”. Pavarësisht nga sukseset e para të shpejta dhe të bujshme të Pirros, gjendja e tij në Itali sa vinte e vështirësohej. Forcat epirote të ndodhura larg atdheut të tyre, vinin gjithnjë duke u pakësuar dhe duke u dobësuar, ndërsa Roma kishte ende rezerva të shumta materiale e njerëzore për të vazhduar luftën. Pirroja, megjithatë, nuk u tërhoq nga fushata e tij në Itali. Mirëpo, pa përfunduar ende paqen me romakët, ai u nis për në Sicili për t’i shkuar në ndihmë Sirakuzës, të cilën e kishin sulmuar kartagjenasit. Për të kontrolluar gjendjen në Itali, ai la vetëm disa garnizone.
Në vitin 276 p.e.sonë, forcat aleate epirote, greke dhe italike të udhëhequra nga Pirroja, i shpartalluan keqas pushtuesit e ishullit dhe i zbuan ata pothuaj nga tërë Sicilia. Kjo fitore e shpejtë dhe e shkëlqyer e rriti pushtetin politik dhe ushtarak të Pirros, saqë siçilianët e deklaruan atë prijës dhe mbret të tyre. Por Pirroja, si gjithnjë i papërmbajtur në aspiratat e tij të guximshme politike, filloi menjëherë të ushqejë mendimin për t’u hedhur në Afrikë edhe pse nuk e kishte të sigurt akoma gjendjen në Itali. I prerë në vendimin e tij, ai iu vu përgatitjes së flotës dhe organizimit të ushtrisë, pa menduar se ata kërkonin rezerva të mëdha njerëzore dhe financiare, të cilat siçilianët e lodhur nga luftërat dhe anarkia që kishte pllakosur vendin pas vdekjes së Agathoklit, nuk mund t’i siguronin. Nga ana tjetër, ndërhyrja arbitrare e Pirros në punët e brendshme të qyteteve të Sicilisë dhe shkelja nga ai e traditave të tyre demokratike, bëri që Pirroja të humbiste dita-ditës e më shumë besimin në ishull dhe të bëhej objekt sulmesh dhe komplotesh të rrezikshme për jetën e tij dhe fatin e ushtrisë epirote. Këtë situatë të brendshme plot turbullira dhe pasiguri, e shfrytëzoi menjëherë Kartagjena, e cila dërgoi ushtri të mëdha për ripushtimin e ishullit. Të përkrahur tani edhe nga qytetet opozitare, kartagjenasit arritën me lehtësi t’i shkaktonin humbje mbretit epirot. Në duart e tij mbeti vetëm Sirakuza, por edhe prej saj atij iu desh të hiqte dorë, meqenëse në këtë kohë romakët kishin rifilluar sulmet kundër aleatëve dhe garnizoneve të tij në Itali. Me t’u kthyer në Itali, Pirroja riorganizoi forcat e veta dhe të aleatëve të tij dhe u drejtua menjëherë kundër dy konsujve romakë, të cilët me legjionet e tyre po vepronin në drejtime të ndryshme. Në këtë situatë ai vendosi t’i thyejë ato veçmas, sa kohë që ende nuk ishin bashkuar. Sulmoi në befasi legjionin romak që gjendej pranë Beneventit. Këtu u zhvillua edhe beteja e tretë dhe e fundit për Pirron në Itali, ku pësoi disfatë të plotë. Pasi qe tërhequr me humbje të mëdha në Tarent, Pirroja provoi të kërkojë ndihma nga Antigon Gonata dhe Antiohu i Sirisë për ta vazhduar luftën kundër Romës, por më kot. I lodhur dhe pa pasur ndonjë shpresë për të realizuar i vetëm qëllimet e tij në Gadishullin Italik, ai u kthye në Epir me ushtrinë epirote që i kishte mbetur, duke lënë në Tarent vetëm të birin e tij Helenin.
Në luftën kundër Romës Pirroja angazhoi forca të mëdha epirote dhe aleate, që mbulonin mjaft mirë legjionet e kundërshtarit dhe manovroi me sukses për një kohë në operacionet luftarake, duke vënë në përdorim një sistem taktik luftimi nga më të përparuarit e kohës. Mirëpo ushtria që komandonte Pirroja, ndryshonte nga përbërja dhe fryma luftarake nga ajo e kundërshtarit. Ajo nuk e kishte kompaktësinë e ushtrisë romake të përbërë nga nënshtetasit e vet, por ishte një ushtri më tepër mercenarësh, të armatosur më së miri dhe të udhëhequr nga një strateg i talentuar, por që kishte hyrë në një aventurë ushtarake.
Pas dështimit të fushatës italike, Pirroja u përpoq të shfrytëzonte në favor të tij gjendjen e krijuar në Ballkan. Së pari, vendosi të shtinte në dorë Maqedoninë. Në vitin 274 p.e.sonë ai hyri në luftë me sundimtarin e saj Antigon Gonatën, i cili sa kohë që Pirroja luftonte në Itali, kishte arritur suksese në konsolidimin e pushtetit të tij qoftë në Maqedoni, qoftë dhe mbi një pjesë të Greqisë. Ai arriti të pushtojë një territor të gjerë të Maqedonisë. Antigonit i mbeti vetëm pjesa në lindje të lumit Vardar. Ishte e qartë se epirotët nuk mund të bëheshin zot të tërë Maqedonisë sa kohë që Antigoni mbante akoma në dorë Maqedoninë bregdetare dhe rrugët e komunikacionit detar. Në këto rrethana Pirroja vendosi ta luftonte kundërshtarin në Peloponez, i cili gjendej nën kontrollin e tij. Në vitin 272 p.e.sonë, pa siguruar ende mirë pozitat e tij në tokat e pushtuara të Maqedonisë, ai arriti në Lakoni. Këtu iu desh të përballonte presionin e forcave spartane dhe maqedone të bashkuara kundër rrezikut epirot. Pasi korri një sërë fitoresh të reja, Pirroja sulmoi më në fund Spartën dhe Argosin, me të cilat zhvilloi luftime të ashpra, por pa rezultate. Gjatë përleshjeve në rrugët e Argosit, Pirroja u plagos dhe ashtu siç ishte i dërrmuar, ra në duart e kundërshtarëve, të cilët e vranë. Ushtria epirote e mbetur pa prijës qe çorganizuar dhe më në fund u shpartallua.
Me luftërat e tij pushtuese në Ballkan, Itali dhe në Sicili, Pirroja e rriti shumë fuqinë politike të shtetit epirot dhe autoritetin e tij në botën mesdhetare. Gjatë sundimit të tij, Epiri arriti të bëhet një nga shtetet më të fuqishme të kohës helenistike.
Në këto luftëra Pirroja pati përkrahjen e plotë të aristokracisë e të skllavopronarëve epirotë, gjithnjë të etshëm për pushtime e lavdi, kurse si mbështetje kishte ushtrinë e vet të stërvitur mirë, të përbërë kryesisht nga fshatarë të lirë, të gatshëm për të luftuar, meqë lufta për ta ishte një mjet fitimi, burim plaçke dhe pasurie. Në këto suksese të veprimeve ushtarake ndikoi edhe situata e jashtme e favorshme për të, dhe pikërisht turbullirat e anarkia që krijoheshin herë pas here në shtetet fqinje nga rrethanat e ndryshme politike.
Këto suksese të shpejta luftarake, megjithëse jo të qëndrueshme, i duhen atribuar në një farë mase dhe vetë manovrimit taktik, të përsosur për atë kohë, të forcave ushtarake gjatë luftimit, që ishte kryesisht meritë e aftësive të shquara taktiko-luftarake të Pirros.
Fitoret e njëpasnjëshme dhe guximi i tij i provuar në beteja të shumta, e rritën së tepërmi autoritetin e Pirros në sy të bashkëluftëtarëve të vet dhe e forcuan aq shumë pushtetin e tij, sa që arriti të sundonte dhe të vepronte i lirë nga çdo kufizim kushtetues i aleancës epirote mbi territoret e pushtuara. Në këtë drejtim ai shkoi aq larg sa caktoi, siç duket, edhe fëmijët e tij si mbretër trashëgimtarë në Itali dhe në Sicili.
Në këto vende Pirroja preu, në kundërshtim me kushtetutën federative epirote, edhe monedha ari e argjendi personale me legjendë “Mbreti Pirro”; por ato, siç kuptohet nga mungesa e tyre në trevat e Epirit, nuk duhet të jenë lejuar të qarkullonin brenda territorit të Aleancës, ku vazhdonin të kishin vlerë vetëm prerjet tradicionale të Federatës së epirotëve.
Në qoftë se në territoret e pushtuara Pirroja sillej si monark i pakufizuar, brenda Aleancës ai mbetej ashtu si dhe më parë mbret i molosëve dhe udhëheqës me pushtet të kufizuar i Federatës epirote.
Pirroja qe një nga strategët më të mëdhenj të kohës helenistike. Kur e pyetën njërin nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë, se kush ishte tani strategu më i shquar, ai iu përgjigj: “Pirroja kur të arrijë moshën e pjekurisë”.
Sipas Plutarkut, gjenerali i madh Hanibali e cilësonte Pirron si komandanti më i madh në botë që ai e kishte parë dhe e renditi atë menjëherë pas Aleksandrit të Madh, ndërsa veten të tretin pas Pirros së Epirit.
Dhe për të mbyllur më thënien e Plutarkut: “Opinioni i përgjithshëm për Pirron ishte: ai kishte një përvojë të madhe luftarake, të guximshme, por kishte dhe trimëri e vlera personale, nuk kishte asnjë të barabartë me të në mesin e mbretërve të kohës”.
Talenti i tij ushtarak nuk plotësohej me largpamjen e një politikani të matur dhe të pjekur. Synimet e tij ambicioze u bënë pa llogaritur mirë tendencat e zhvillimit të vrullshëm ekonomik dhe politik të shtetit të ri romak dhe potencialin ushtarak të tij, si dhe mundësitë e kufizuara materiale e njerëzore të Aleancës Epirote. Për këtë arsye dhe humbja përfundimtare e Pirros në këtë ndërmarrje të madhe përtej Adriatikut qe një përfundim i natyrshëm dhe i pashmangshëm.
Fundi i sistemit monarkik në Epir
Pas vdekjes së Pirros, Aleanca Epirote filloi gradualisht të humbiste fuqinë e saj të mëparshme politike dhe ushtarake. Me gjithë përpjekjet e bëra për të ruajtur zotërimet e mëparshme në Maqedoni, në Greqi dhe në Iliri, ajo qe e detyruar më në fund të tërhiqej prej tyre. Trashëgimtarit të Pirros, Aleksandrit, që në fillim iu imponua një luftë e rrezikshme nga mbreti i ilirëve Mytili, të cilën më vështirësi mundi ta përballonte. Kurse Demetri II, e detyroi atë të hiqte dorë jo vetëm nga Maqedonia, por për një kohë dhe nga vetë Epiri, mbi të cilin vendosi kontrollin e tij. Pasi qe rikthyer në atdhe me ndihmën e etolëve, Aleksandri u përpoq edhe një herë që të rimëkëmbte fuqinë e dikurshme të Aleancës Epirote por më kot, pasi ajo kishte marrë tatëpjetën.
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë, Mbretëria Epirote përjetoi periudhën e fundit të ekzistencës së saj, e mbërthyer në një krizë të ashpër, e cila rrëmbimthi e çoi deri në brerjen e themeleve të regjimit monarkik. Depërtimi gjithnjë e më i thellë i skllavopronarisë në fshatin epirot, po shkatërronte dhe po shpronësonte përherë e më shumë prodhuesit e vegjël të lirë fshatarë, që dikur përbënin masën kryesore dhe më energjike të ushtrisë federative epirote dhe çoi në dobësimin e fuqisë dhe të kompaktësisë ushtarake. Kjo krizë e brendshme u acarua dhe më tepër nga situatat e jashtme jo të favorshme për Aleancën Epirote. Përreth saj vepronin tani shtete të tilla të fuqishme, si Maqedonia, Lidhja Etole dhe Shteti ilir, të cilët kërkonin secili të fusnin nën kontrollin e vet Epirin, meqë ai zinte një pozitë kyçe në planet e politikës së tyre pushtuese. Në këto situata sundimtarët epirotë u treguan të paaftë të qeverisnin vendin.
Aristokracia epirote, duke parë më në fund se ata nuk ishin më në gjendje të mbronin dhe të përkrahnin si dikur qëllimet e saj, e shfrytëzoi pakënaqësinë e popullit për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë regjimit të vjetruar monarkik në Epir. Ajo e realizoi këtë me vrasjen në vitin 234/233 p.e.sonë të mbretëreshës Deidames, që ishte dhe sundimtarja e fundit prej dy shekujsh e dinastisë së Ajakidëve.