Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Paris-soir” ka botuar, të mërkurën e 12 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me gjendjen shëndetësore të mbretëreshës Geraldinë, asokohe e strehuar në Greqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Mbretëresha Geraldinë seriozisht e sëmurë
Thuhet se e kanë zënë gjatë largimit ethet e lehonisë (puerperale)
Athinë, 11 Prill.
(Nëpërmjet telefonit.)
Mbreti Zog mbërriti me mbretëreshën Geraldinë, fëmijën dhe të afërmit e tyre, në Portaria, pranë Volos, në Thesali. Sovranët shqiptarë do të qëndrojnë në Portaria derisa të përmirësohet mbretëresha Geraldinë, sepse ajo është sëmurë rëndë për shkak të lëvizjeve të shkaktuara nga largimi i saj prej Tirane, 48 orë pas lindjes.
Mbretëreshën Geraldinë e kanë zënë ethet e lehonisë (puerperale).
Profesori Luros, gjinekologu më i madh (i talentuar) grek, u dërgua në shërbim të sovranes nga vetë Mbreti Jorgo i Greqisë.
Gjendja shëndetësore e mbretëreshës, e cila ishte përkeqësuar natën e kaluar, duket se është përmirësuar lehtësisht këtë mëngjes.
Le të shtojmë se Mbreti Zog i ka kërkuar Turqisë një leje qëndrimi.
* Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania