Nga Lutfi Dervishi
Një ditë e bukur, mund të jetë një ditë si kjo e sotmja, për disa arsye: e shtunë, ditë festë, mot i freskët pas temperaturave përvëluese të korrikut! Çfarë mund ta shkatërrojë një ditë të tillë? Një fatkeqësi? Një ngjarje e pakëndshme? Një lajm i keq?
Duke shikuar lajmet me titra që përcjellin sot televizionet informative (janë mbi 10 televizione me 24 orë lajme) të bën përshtypje fakti që janë mbushur me lajme krimi që në mëngjes dhe çfarë lajmesh:
1- Fier plagosi nënën – arrest me burg për të birin (i shtjelluar me disa lajme të tjera)
2- Gjendet një 67 vjeçar në kanal! (8 lajme sqaruese me titra)
3- Tiranë, në pranga A. M dhe I. F (me identitet të plotë)
4- Procedohen 3 shtetas, punonin operatorë në call center
5- Dhunonte ish bashkëjetuesen – arrestohet 27-vjeçari! (Detajuar me lajme vijuese)
6- Prangoset 33-vjeçari nga Zall Mneri për armëmbajtje pa leje!
7- Pezullohen 5 punonjës policie!
8- 880 hektarë tokë të djegur në Francë!
9- Urimet e krerëve të politikës për Kurban Bajramin
10…
Lajmet e pasqyruara nuk janë fake news, nuk janë propagandë apo dezinformacion të servirura nga politika! Nuk kanë probleme me etikën. Janë lajme të vërteta. Por sërish shumatorja e këtyre lajmeve deformon realitetin!
Jo çdo gjë që ndodh detyrimisht duhet ta dimë! Media është për të përzgjedhur, përpunuar dhe transmetuar lajme me rëndësi dhe me interes për publikun!
Vështirë se lajme të tilla të ngjallin interes për publikun, sigurisht nuk kanë interes për familjarët e tyre, ndoshta kanë interes për komunitetin ku jetojnë! Në rastin ekstrem mund të përbëjnë lajm për median e qytetit ku ndodh ngjarja, por assesi lajm që të informohet gjithë Shqipëria!
Një nga kriteret kryesore që një ngjarje të kthehet në lajm është kriteri gjeografik! Sa më afër aq me interes përbën ngjarje! Jo rrallë informohemi në televizione me mbulim kombëtar për tragjedi që ndodhin në Sri Lanka, për zjarre në Australi apo për dhunë me armë në SHBA! (Më e keqja është kur ngjarje të ndodhura mijëra kilometra larg nesh në një përpjekje për të marr më shumë vëmendje e klikime paraqiten sikur të kenë ndodhur në Shqipëri).
Nëse në Kinë, SHBA apo gjetkë do të jepej lajm çdo aksident me biçikletë, çdo ndalim që bën policia, apo viktimat e trafikut duhet të kishin qindra televizione që të arrinin të pasqyronin këto “ngjarje”!
Më shumë se mungesa e lajmeve ndoshta është mungesa e gazetarëve që çon në pasqyrimin e komunikatave të policisë me detaje! Rezultati: neurozë e përgjithshme. Duket se në këtë vend ka vetëm vrasje, aksidente, viktima, arrestime dhe deklarata politikanësh!
Është në natyrën e medias dramatizimi, zmadhimi, tensioni, konflikti, por është në interes të gjithëve për të pasur një tablo jo vetëm të zezë, as Bardh e Zi, por një tablo reale të jetës me gjithë të mirat e të këqijat, me gjithë befasitë dhe sfidat që ajo sjell!
Nga natyra jemi kureshtar të dimë sa më shumë jo vetëm për çfarë ndodh në komunitetin tonë, por edhe përtej tij. Por si çdo gjë tjetër edhe kureshtja ka masë! (Lajmi 4-vjeçari sulmohet nga leopardi, sigurisht merr shumë klikime, por nëse në titull shkruhet: Indi, 4-vjeçari sulmohet nga leopardi “lajmi” nuk do të klikohej më, pra do të ishte pa vlerë)
Lajmi keq është lajmi i mirë! Por ka plot raste që lajmi i keq, jo vetëm që nuk është i mirë, por nuk është fare lajm!
Gazetaria e mirë bën Kurban të keqen dhe jo të mirën!