Janë rikthyer edhe njëherë tensionet përpara selisë së Kuvendit, ku deputetët e përjashtuar të opozitës kërkojnë të hyjnë me forcë.
Teksa Garda kishte aplikuar masa sigurie shumë të forta, opozita e cilësoi gardhin e hekurit të vendosur përpara Kuvendit si një veprim që ndodh vetëm në Korenë e Veriut.
“Ky parlament është shndërruar në burg të sigurisë së lartë. Parlamenti i një vendi që nisi negociatat. Ky është narkosi”, tha Flamur Noka.
Teksa Gazment Bardhi iu drejtuar gardistëve duke iu thënë se “Kjo nuk është qelia e Pëllumb Gjokës, është parlamenti i shqiptarëve”.
Garda kishte rrethuar me gardh metalik Kuvendin për të mos lejuar futjen e deputetëve të përjashtuar, por disa prej deputetëve tentuan të hynë me forcë. Deputeti Petrit Doda u përplas fizikisht me një gardist, ndërsa Flamur Noka e Bledion Nallbati tentuan të prishnin rrethimin.
Brenda sallës së Parlamentit, socialistët kanë nisur punimet, ndërsa deputetët e opozitës që kanë mundur të futen në sallë, si Petrit Doda, Tritan Shehu dhe Albana Vokshi, kanë grumbulluar disa karrige pranë foltores së Kuvendit.