Bota Si nisën trazirat në Britaninë Madhe nga një lajm i rremë

Si nisën trazirat në Britaninë Madhe nga një lajm i rremë

Për ditë me radhë ka pasur trazira me motiv ksenofobinë në disa qytete britanike, të nxitura prej një lajmi të rremë në rrjet. BBC ka mundur të gjurmojë burimin e lajmit.

E gjitha nisi me një lajm të rremë. Në Southport një 17-vjeçar sulmoi disa vetë në një shkollë baleti – tre fëmijë vdiqën. Shumë shpejt u përhap në rrjet informacioni, se dorasi ishte një i ri azilkërkues, mysliman dhe që kishte ardhur vitin e kaluar me anije përmes kanalit të Lamanshit. Por ky informacion ishte i rremë. Dorasi i pandehur ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar si fëmijë emigrantësh. Informacioni i rremë u shpërnda në rrjet duke nxitur shumë njerëz të protestojnë rrugëve në disa qytete për ditë të tëra.

Si mund të ndodhte kjo?

Në një investigim BBC ka gjurmuar burimin e informacionit, ku ai u publikua për herë të parë. Informacioni i rremë është publikuar në një portal lajmesh: Channel3Now. Kjo faqe është e specializuar për tema të kriminalitetit. Në një deklarim për BBC-në një pjesëtar i menaxhmentit, pranoi se publikimi i informacionit për dorasin e Southport ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Një punonjës i portalit tha, se sipërmarrja është komerciale, synon të publikojë sa më shumë ngjarje që të jetë e mundur. Lidhje me Rusinë BBC nuk ka mundur të verifikojë.

Desinformacion online me pasoja offline

Një informacion i rremë, që përshtatet me botëkuptimin e shumë njerëzve, të cilët e përhapin atë në rrjet. Në Telegram, në X (dikur Twitter) me pasoja konkrete: “Ajo që përjetuam këtu është, se një lajm i rremë në rrjet përhapet duke nxitur dhunë e trazira offline”, thotë Sander van der Linden, profesor psikologjie në Universitetin Cambridge dhe ekspert për fake-news. Informacionet e rreme përhapen shpejt, sepse kushdo mund t’i publikojë ato në rrjet. “Informationet janë pa dëshmi, të paverifikuara. Këto publikime mund të bëhen virale”, thotë van der Linden. “Koncernet mediatike kanë verifikues faktesh, redaktorë, producentë, të gjithë verifikojnë. Ndërsa këto platforma nuk kanë mekanizma kontrolli.”

Pushteti i medias zhvendoset tek koncernet e internetit

Javën e kaluar pikërisht edhe gazeta britanike “The Sun” i kushtoi vëmendje kësaj teme. Në titull shkruhej: “Media anti-sociale” – një lojë fjalësh me konceptin media sociale. Krahas titullit ishte printuar edhe një gurëhedhës. Nëntitulli ishte: “Si Facebook e të tjerë nxisin dhunën në rrugët tona.” Titulli tërheq vëmendjen edhe sepse kjo është një gazetë që i përket perandorisë mediatike të Rupert Murdoch, që po nxjerr në pah kthesën. Nuk janë më tabloidët, gazetat e përditshme të bujshme, që japin tonin në Mbretërinë e Bashkuar e bëjnë politikë, por janë koncernet e mëdha të internetit. Elon Musk, pronar i platformës X, javën e kaluar sulmonte vazhdimisht kryeministrin britanik Keir Starmer. Një luftë civile është e pashmangshme, shkruante ai.

Musk akuzoi Starmer p.sh., se po mban qëndrim krejt ndryshe ndaj “protestuesve të bardhë” në vend që t’u kundërvihet dorasve me prejardhje migracioni. Por për këtë ai nuk jepte asnjë dëshmi. Politikanë britanikë të skajit të djathtë e përdorën këtë argument – edhe ata pa ofruar prova. Shefi i X Musk e lejoi sërish në platformën X aktivistin ekstremist të djathtë Tommy Robinson, i cili ka 900.000 ndjekës dhe poston Tweets me përmbajtje djathtiste dhe informacione të rreme duke i nxitur protestuesit e dhunshëm.

Përpjekjet për rregullimin nga shteti të këtyre platformave janë në fillimet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Hannah Rose, eksperte për ekstremizmin në Institutin për Dialogun Strategjik, e quan këtë si një shembull për ligjin Online Safety Act: “Ky ligj duhet t’i detyrojë platformat që të shuajnë përmbajtjet ilegale. Kush nuk e bën këtë duhet të gjobitet. Por rregullorja ndodhet ende në fazë fillestare. “Se sa efikas është ky ligj, kjo është ende e paqartë. Do të varet nga pozicioni i strukturës rregullatore shtetërore./DW