Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka kujtuar nisjen e një kalvari ndaj Koçi Xoxes, një prej figurave qendrore të regjimit komunist, i fillimeve të tij.
“Si sot, më 31 tetor 1948, Koçi Xoxe u shkarkua nga posti i Ministrit të Industrisë.
Bashkëngjitur në videon më poshtë, një raport mbi punën e Xoxes, dekreti i heqjes së imunitetit parlamentar dhe vendimi për shkarkimin e tij nga posti i zëvendëskryeministrit dhe i ministrit të Industrisë”, shkruan Arkivi bashkangjitur videos së dedikuar për këtë figurë të komunizmit shqiptar, rënë më pas viktimë e tij.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, u dënua me vdekje nga Enver Hoxha duke u akuzuar si bashkëpunëtor i jugosllavëve. Katër vjet pas çlirimit të vendit, Koçi Xoxe që deri në atë kohë ndodhej në majën e pushtetit u shpall tradhtar i vendit. Pikërisht më 28 nëntor të vitit 1948 ai arrestohet dhe disa muaj më pas në maj të vitit 1949, ai pushkatohet nga regjimi asaj kohe. Eshtrat e njeriut që ishte numri dy në hierarkinë e pushtetit pas Enver Hoxhës ende nuk janë gjetur edhe sot. Të shumta janë dyshimet pse u mor një vendim kaq i rëndë nga ana e diktatorit Hoxha për njeriun e tij më të besueshëm, që përveçse kishin qenë të afërt gjatë Luftës, ata i sollën marrëdhëniet drejt një konsolidimi sidomos me vendosjen e Pushtetit Popullor deri në vitin 1948, ku Koçi arrestohet.
Fakte mbi gjyqin
-1948, në Plenumin e KQ-së të PPSH-së hidhen akuzat e para ndaj Koçi Xoxes, ku shpallet armik i popullit nga Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike të asaj kohe.
-11 qershor të vitit 1948 bëhet gjyqi për Koçi Xoxen, ku ai shpallet fajtor. Gjyqin e drejtonte Bedri Spahiu, i cili kishte qenë së bashku Koçin në grupin e Gjyqit Special ku kishin dënuar shumë figura të asaj kohe. Gjyqi u bë pa praninë e Koçit dhe pas këtij gjyqi ai arrestohet.
-28 nëntor 1948 arrestohet Koçi Xoxe si armik i popullit dhe agjent i huaj, dhe burgoset në burgun e ri të Tiranës, ku mbahej nën masa të rrepta sigurie.
-Fillim maji i 1949-s, shpallet fajtor për të gjitha akuzat dhe nga gjykata i jepet dënimi kapital, ai me vdekje. Deri më sot akuzat më të rënda janë ato të bashkëpunimit me jugosllavët si shkelja e parimeve të Partisë duke u bërë pjesë e agjenturave të huaja.
-Maj 1949, në moshën 38-vjeçare pushkatohet sipas vendimit të marrë më parë nga Gjykata e Lartë edhe sot nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e Koçi Xoxes.
Aktiviteti
– Themelues dhe kryetar i parë i Grupit Komunist të Korçës.
– Pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Anëtar i Byrosë Politike dhe KQ të saj që nga krijimi.
– Në vitin 1941 dhe 1942 burgoset si antifashist nga italianët.
– Nga 10 korriku i vitit 1942, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
– Në 24 maj 1944 gradohet gjeneral-leitnant në Kongresin e Përmetit.
– Në shkurtin e vitit 1945 emërohet kryetar i Gjykatës së Lartë.
Në vitin 1945, nënkryeministër dhe ministër i Brendshëm dhe njëkohësisht shef i Sigurimit të Shtetit.
– Në vitin 1945 merr pjesë në legjislaturën e parë si deputet i Kuvendit Popullor.
– Në vitin 1945 bëhet Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të PKSH-së.
-Në vitin 1948, ministër i Industrisë dhe Minierave.
– I dekoruar “Hero i Popullit” dhe me medaljet më të larta në Shqipëri.
– I dekoruar dhe me shumë medalje të larta nga Bullgaria, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik etj.
– Në 28 nëntor 1948, arrestohet.
– Në maj të vitit 1949 dënohet me vdekje dhe pushkatohet.
– Gjuhët e huaja që njihte: latinisht, greqisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, serbokroatisht dhe frëngjisht
– Ishte 38 vjeç kur u pushkatua. Ai ishte i martuar dhe kishte gjashtë fëmijë.