Një test i ADN-së ka ribashkuar një grua nga Teksasi me familjen e saj duke i dhënë fund një misteri që zgjati mbi 50 vjet.
Lajmi i një historie të pabesueshme me një fund të lumtur vjen nga SHBA. Bëhet fjalë për 53-vjeçare Melissa Highsmith, e cila u rrëmbye nga dadoja në Fort Worth kur ajo ishte vetëm 22 muajshe. Pas 51 vitesh, ajo ka gjetur prindërit dhe vëllezërit e motrat e saj. Pamjet e takimit u publikuan në profilet në Facebook të familjarëve të Melisës, të cilët nuk kishin reshtur së kërkuari në gjithë këto vite.
“Ne menduam se nuk do ta shihnim më kurrë”, thanë ata.
Ishte viti 1971 kur nëna e Melisës kishte vendosur një reklamë në gazetë për një dado që mund të kujdesej për vajzën kur ajo ishte në punë. Kur gruaja që i ishte përgjigjur reklamës u shfaq në derë, nëna e Melisës nuk ishte në shtëpi dhe ishte shoqja e dhomës ajo që ia dorëzoi vajzën e vogël kujdestares së fëmijëve, e cila më pas u zhduk pa gjurmë.
Familja nuk hoqi dorë kurrë nga shpresa për ta gjetur Melisën dhe i organizonte asaj një festë çdo vit në ditëlindjen e saj. Deri në shtator të këtij viti.
Familja Highsmith mori një mesazh anonim që i informonte se gruaja ishte në Charleston, më shumë se 2000 kilometra nga vendi ku u rrëmbye.
Testi i ADN-së dhe testet e tjera konfirmuan identitetin e Melissa-s dhe familja mundi ta përqafonte sërish pas 51 vitesh shumë të gjata.