Para 20 vitesh në Minsk u zhdukën pa lënë gjurmë tre politikanë të opozitës dhe ish-ministri i Brendshëm Sacharenko. Një dëshmitar i mbrojtur, ish-pjesëtar i njësive speciale të ekzekutimit do të zbardhë të vërtetën.
Juri Garavski nuk do të heshtë më gjatë. Ai do të raportojë për vrasjet, në të cilat ka qenë i përfshirë para 20 vjetësh. Sot ai jeton si azilkërkues në një vend, që nuk duhet ta përmendim. Garavski jeton me frikë të vazhdueshme prej shërbimit sekret bjellorus. “Unë kisha informacione, që ata ose donin të më arrestonin ose të më fusnin në burg. Unë nuk doja as të futesha në burg dhe as të akuzohesha për diçka që nuk e kam bërë.”
Gracka ndaj ish-ministrit të Brendshëm bjellorus
Nga një aksident automobilistik në Bjellorusi Juri Garavskit iu dëmtua legeni. Në spitalin e vendit ku ai është strehuar 41-vjeçarin e operuan. Tani ai sërish mund të lëvizë pa paterica. Por Jurit i ka mbetur vragë nga aksidenti, që ai e konsideron si një atentat prej misioneve të fshehta të mandatuara nga shteti, që e kanë bërë atë kriminel.
Gjendja politike në Minsk në vitet ’90-të ishte dramatike. Ish-ministri i Brendshëm Sacharenko ishte koka drejtuese e opozitës. Ai dhe përkrahësit e tij donin ta pengonin devijimin e vendit në diktaturë dhe donin ta rrëzonin presidentin bjellorus Lukashenko. Ky i fundit me dy referendume të diskutueshme kishte kapur të gjithë pushtetin. Parlamentin e nxori jashtë loje. Greva e urisë e deputetëve nuk pati rezultat.
Juri Garavski rrëfen për DW, se më 7 maj 1999 ish-ministri i Brendshëm bjellorus, Sacharenko parkoi makinën pranë selisë së vjetër të zjarrfikësve në qendër të qytetit. Prej vendparkimit ish-ministri i Brendshëm metrat e fundit drejt shtëpisë ecën më këmbë. Rikonstruktimi i atentatit bazohet në dëshmitë e dëshmitarit të mbrojtur Juri Garavski. Dy burra e ndjekin Sacharenkon, që ai të mos ketë mundësi të arratiset. Më pas dy të tjerë i zënë atij rrugën nga përpara. Ata janë ushtarë të veshur civilë. I përkasin njësisë speciale “SOBR”. “Ejani me ne, policia”, i thotë njëri prej tyre.
Kur e rrëmbejnë, Sacharenko nuk bën rezistencë. Automjeti e çon atë në një shesh stërvitjeje të trupës, në veri-lindje të Minskut. Në makinë ai i thotë njërit prej rrëmbyesve: Bëjeni që të mos dhemb!
Garavski i jep një oficeri të komandës pistoletën e tij. Një njësi speciale e armatosur për ekzekutime – e stërvitur për të shtëna nga afër. Sacharenko vdes në vend.
Sundimtari i vetëm
Që nga ajo kohë Lukashenko është sundimtari i vetëm. Bjellorusia konsiderohet si diktatura e fundit në Europë. Një shtet i pastër policor. Dëshmitari i mbrojtur Juri Garavski asokohe ishte 18 vjeç. Përmes shërbimit ushtarak ai hyri në trupën e ndërhyrjes të sapoformuar me emrin “SOBR.” Atje ai qëndroi pesë vjet dhe u ngjit në karrierë.
Në vendstrehimin e tij sot Juri ruan kopje të rëndësishme të dokumentave. Origjinalet ndodhet në një vend të sigurtë, na thotë duke treguar një librezë të anëtarësisë në grupin e veteranëve të njësisë speciale. “Këtë e marrin vetëm njerëzit që kanë shërbyer në njësitë luftarake të Ministrisë së Brendshme. Unë isha zëvendëskomandant i grupit të parë (..). Këtë librezë e marrin ata, që kanë qenë në ‘SOBR'”.
Bjellorusia ka disa njësi speciale. Djem të fortë, që janë besnikë të presidentit. Këtu ata shfaqen në stadiumin e Minskut për të demonstruar aftësitë e tyre. “SOBR” duhej të angazhohej kundër kontrabandistëve, mafiozëve. Por Garavski thotë: Ky nuk ishte i vetmi mandat.
Presidenti bjellorus Lukashenko i mban sekret vrasjet e pandehura të politikanëve. Hetuesit e Këshillit të Europës madje dyshojnë se ai mund të jetë zanafilla e atentateve. Ndaj Lukashenko prej vitesh nuk është mirëpritur në Perëndim. Por në nëntor ai ishte për një vizitë shtetërore në Vjenë. Në konferencën e shtypit atë e pyetën për politikanët e zhdukur – por Lukashenko nuk u përgjigj.
Lidhur me aksionin e vrasjes ndaj Sacharenkos dëshmitari i mbrojtur thotë, se i është dashur të bashkëveprojë: Ai bashkohet me dhimbjen e familjarëve dhe do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Familja e Sacharenkos
Familja e Sacharenkos, gruaja dhe dy vajzat jetojnë në emigracion në Gjermani. Jelena Sacharenko është vajza më e madhe. Ajo punon si shitëse dhe është e vetmja që flet hapur për fatin e familjes. Për dëshmitë e Garavskit dhe detajet mbi vdekjen e të atit, Jelena mëson për herë të parë në bisedën me gazetarët Deutsche Welles. Reagimi i saj është skeptik dhe ajo përpiqet të kuptojë: “Natyrisht është e vështirë që t’i mësosh të gjitha këto dhe të shohësh vendin e varrimit, të mos flasim pastaj për aksionin e vrasjes dhe dëshmitarin e mbrojtur dhe se si ka ndodhur e gjitha. Duhet të kesh nerva çeliku.”
“Ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta, sepse unë kam qenë pjesëmarrës në këtë vrasje. Ju kërkoj falje. Mund t’ju tregoj vendin e varrimit në hartë. Gjithçka tjetër varet prej jush dhe drejtësisë sonë bjelloruse”. Këto janë fjalët që Garavski ka për vajzën e ish-ministrit.
Jelena Sacharenkos i duhet kohë të gjejë fjalët e duhura për njeriun, i cili ka kontribuuar në vrasjen e babait të saj: “Nuk është fjala për të – fjala është për të gjithë sistemin, që qëndron pas tij. Atë nuk mund ta akuzoj. Njerëzit si ai janë të varur prej këtij sistemi, ata detyrohen që të kryejnë këto krime të përgjakshme” .
Çdo vit në vjeshtë një roje nderi në Minsk përkujton Sacharenkon dhe politikanët e tjerë të zhdukur. Edhe për fatin e të tjerëve Garavski ka dijeni si një ndër pjesëmarrësit. Kështu pas 20 vjetësh mund të dalë në dritë e vërteta e mirëfilltë e skuadrave bjelloruse të vrasjeve.
Reportazhi bazohet mbi hulumtime ekskluzive të Deutsche Welles