Ndërsa mandatit të Presidentit Trump po i vjen fundi, të enjten e kaluar para Inaugurimit, pjesë të Shtëpisë së Bardhë ku ka qasje media, dukeshin gjithnjë e më bosh.
Kuti të shumta ishin të mbushura me sende personale të ekipit të Shtëpisë së Bardhë në largim, ndërsa disa punonjës pozonin për foto në Kopështin e Trëndafilave.
Me betimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën me 20 janar para Kongresit amerikan, një tjetër komponent i kalimit paqësor të pushtetit do të jetë duke u zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, por jashtë syrit të publikut, rreth 3.5 kilometra larg ceremonisë së inaugurimit.
Dita e Inaugurimit është gjithashtu edhe dita e largimit të banorëve nga godina ekzekutive. Në vetëm pak orë, familja presidenciale të cilës i mbaron mandati, largohet nga banesa. Shtëpia e Bardhë pastrohet dhe bëhet gati për banorët e rinj që do të qëndrojnë aty për katër vitet e ardhshme.
“Qëllimi përfundimtar atë ditë është t’i japim lamtumirën e fundit presidentit dhe familjes së tij dhe brenda pesë ose gjashtë orësh, në mënyrë të përpiktë, të krijojmë një mjedis të ngrohtë e mikpritës që mishëron shtëpia për presidentin e ri dhe familjen e tij”, thotë Angella Reid, ish-drejtuese e stafit që siguron mirëmbajtën e Shtëpisë së Bardhë dhe që ka mbikëqyrur këtë proces në vitin 2017.
Por ky proces mund të duket ndryshe këtë vit. Para se zoti Biden të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ku janë identifikuar të paktën tre raste me koronavirus, mjediset do të pastrohen në thellësi. Ende nuk është thënë se kur familja presidenciale do të zhvendoset në rezidencën ekzekutive.
Planifikimet e hershme
Planifikimet për ditën e madhe tradicionalisht fillojnë disa muaj më parë dhe transformimi organizohet me kujdes. Rrjeti televiziv CNN raporton se zonja e parë, Melania Trump, tashmë ka dërguar shumë gjëra në vendpushimin Mar-a-Lago në Florida, ku familja Trump pritet të zhvendoset pas mbarimit të mandatit të Presidentit Trump.
CNN-i raportoi gjithashtu se drejtuesi kryesor i personelit të mirëmbajtjes së Shtëpisë së Bardhë, Timothy Harleth, i cili më parë ka punuar në hotelin Trump në kryeqytetin amerikan, po konsultohet me ekipin e zotit Biden për të lehtësuar transferimin aty të familjes së presidentit të ardhshëm.
Tradicionalisht, familja e re presidenciale zgjedh orendi e vepra arti para se të futet në Shtëpinë e Bardhë nga një koleksion i gjerë, që ruhet në një depo në Merilend. Ata po ashtu kanë bërë të ditura preferencat e tyre personale kur bëhet fjalë për gjëra të tilla si ushqimi, pijet, çarçafët apo peshqirët. Zonja Reid thotë se dita e ndërrimit të presidentëve shoqërohet me një “koreografi” shumë të spikatur.
“Bëhen planifikime shumë të thella dhe ka një organizim shumë të detajuar e të kujdesshëm. Është një përvojë e shpejtë dhe shumë energjike”.
Anita McBride ka punuar për tre administrata presidenciale. Si shefe e stafit e zonjës së parë Laura Bush, ajo e di se çfarë e pret familjen presidenciale Biden prej ditës së parë.
“Kur ata të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, sipas traditës pas paradës së inaugurimit, të gjitha rrobat e tyre do të jenë të varura në dollap. Të gjitha fotot e tyre personale do të jenë vendosur atje ku ata kanë zgjedhur të jenë. Transformimi është i mahnitshëm”.
Punonjësit e Shtëpisë së Bardhë bëjnë gjithçka munden para kohe për të mundësuar një transferim sa më të qetë nga një familje presidenciale tek tjetra. Për shembull, disa lyerje me bojë dhe meremetime bëhen kur presidenti në largim ndodhet me pushime gjatë festave në fund të dhjetorit. Por pjesa tjetër kryhet në ditën e zhvendosjes.
Dy ashensorë përdoren për heqjen e orendive të presidentit në largim ndërsa futen brenda gjërat e presidentit të ri. Disa prej tyre me përmasa të mëdha transportohen përmes shkallëve.
“Lyhen mure e gjithashtu duhen ndryshuar veprat e artit e sende të tjera si shandanë, krevatë apo dysheqe. Pra ka shumë gjëra që duhen bërë”, thotë zonja Reid.
Presidenti i ardhshëm zgjedh se si do ta mobilojë Zyrën Ovale. Shumica e presidentëve zgjedhin një tryezë të bërë nga druri i një anijeje britanike që Mbretëresha Viktoria ia dhuroi Presidentit Rutherford B. Hayes në fund të viteve 1800.
“Edhe qilimi shërben për përcjellë ndjenjat që ka një president apo emocionet ndërsa futet në atë zyrë. Padyshim që portreti i Presidentit George Washington ka vendin e spikatur mbi oxhak dhe praktikisht askush nuk e ka ndryshuar atë”, thotë zonja McBride.
Persona të caktuar në Shtëpinë e Bardhë sigurohen që objekte në pronësi të qeverisë të mos dalin prej saj ditën e largimit të presidentit që i ka mbaruar mandati. Gjithçka etiketohet, duke ndarë gjërat personale të presidentit nga ato që duhet të rrinë aty.
Ish-Presidenti Bill Clinton ktheu mbrapsht dhurata me vlerë 28 mijë dollarë mes konfuzionit nëse ato i ishin dhënë familjes së tij personalisht apo i përkisnin koleksionit të Shtëpisë së Bardhë.
Ditë emocionale
Emocionet mund të jenë të larta kur stafi do të duhet t’i japë lamtumirën familjes presidenciale.
“Ata kanë krijuar miqësi dhe lidhje me shumë njerëz dhe atë ditë është fundi. E kupton që dita ka ardhur ose po vjen dita që këto lidhje të shkëputen”, thotë zonja Reid.
Zonja McBride kujton emocionin e largimit nga Shtëpia e Bardhë.
“Marrëdhënia mes një punonjësi të përhershëm dhe familjes presidenciale, kryesisht nëse kanë fëmijë dhe sidomos kur fëmijët janë të vegjël bëhen shumë e afërt. Është e vështirë të thuash lamtumirë”, thotë ajo.
Kjo ndjesi përjetohet edhe nga njerëz si punonjësi veteran Dale Haney, i cili kujdeset për kafshët shtëpiake të familjes së presidentit.
“Për të ka qenë eksperiencë e dhimbshme ndarja nga kafshët shtëpiake për të cilat është kujdesur për vite, sepse kanë qenë si pjesë e familjes së tij”, thotë zonja McBride.
Largimi nga Shtëpia e Bardhë mund të jetë veçanërisht i vështirë për një president me një mandat, thotë zonja McBride, ndërsa kujton rastin e Presidentit George H.W. Bush i cili humbi përballë zotit Clinton në vitin 1992.
“Ndihesh sikur nuk ke bërë gjithçka ashtu sikur ke shpresuar. Kur largohesh pas katër vitesh dhe veçanërisht për një familje presidenciale është emocionuese. George H.W. Bush shkruante në kujtimet e tij se ishte e dhimbshme dhe kështu u ndje edhe Barbara Bush. Ata e ndjenë thellë dhimbjen, por ata janë gjithashtu familje patriote dhe vepruan si duhet”.
Për punonjësit e Shtëpisë së Bardhë si zonja Reid, Dita e Inaugurimit mund të zgjasë 21 orë, por ndjenja e misionit dhe detyrës ndaj vendit tejkalon çdo lodhje. Zonja Reid thotë se dita e futjes në Shtëpinë e Bardhë është pikërisht aty ku fillon dhe mbaron transferimi paqësor i pushtetit, duke shtuar se shkathtësia, profesionalizmi dhe angazhimi i punonjësve të rezidencës e bëjnë të mundur tranzicionin pa ndërprerje.
“Mendoj se kjo është një pjesë e gjithë ditës dhe fillimit të presidencës. Është një ditë kaq domethënëse dhe me ndikim sa që asgjë tjetër nuk e tejkalon domosdoshmërinë e krijimit të një përvoje pozitive e të paharrueshme për të gjithë ata që janë të përfshirë”, thotë ajo./VOA