Bota Si po i kthen Kina me forcë ata që largohen nga vendi

Si po i kthen Kina me forcë ata që largohen nga vendi

Raporti i një OJQ-je spanjolle hedh dritë mbi taktikat që përdor Kina për të kthyer në atdhe qytetarët që largohen. “Safeguard Defenders”, me bazë në Spanjë, evidenton në raport tre taktika të përdorura nga Pekini për këtë qëllim: arrestimin e të afërmve të të arratisurit si kërcënim, dërgimin e agjentëve jashtë shtetit për të frikësuar personin në fjalë ose për ta rrëmbyer.

Organizata ka mbledhur informacione të tilla për 62 raste të tilla, në vende si SHBA, Kanada, Australi, Vietnam, Tajlandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kina ka dy programe të posaçme për kthimin e të larguarve, “Operation Sky Net” dhe “Tian Wang”. Përmes tyre, që prej vitit 2004 janë kthyer 10 000 të arratisur. Vetëm në vitin 2020, falë “Sky Net”, u ekstraduan në Kinë 1 421 të arratisur, ndërsa qeveria kineze e shpalli operacionin një fushatë kundër ryshfetit.

Kur Sky Net u lançua në vitin 2015, ai absorboi një operacion më të njohur riatdhesimi të quajtur Fox Hunt, i cili u lavdërua nga media shtetërore dhe u raportua gjerësisht nga lajmet perëndimore.

Autoritetet kineze rezulton se kanë punësuar amerikanë për të punuar me ekipet e tyre në terren – në një rast një ish-oficer policie i Nju Jorkut rezulton se ndihmoi një operacion ekstradimi nga viti 2017 deri në 2019. Në këtë mënyrë, ata shmangnin praninë e shumë agjentëve kinezë në terren.

Sipas OJQ-së, një nga grupet më të shënjestruara nga kjo strategji janë ujgurët, pakicë myslimane, për trajtimin e së cilës Kina është kritikuar shpesh në nivel ndërkombëtar.

Grupi përdor edhe rrëmbimin. Safeguard Defenders citoi raportime për rrëmbimin e aktivistëve të mërguar dhe manjatëve të biznesit në zona publike, hotele dhe madje edhe shtëpitë e tyre në vende si Myanmar, Tajlandë, Vietnam dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por kjo përpjekje e Kinës shtrihet edhe në rrugë të ligjshme. Ka një prirje për bashkëpunim mes vendit pritës të të arratisurit dhe autoriteteve kineze. P.sh. policia egjiptiane arreston dhe deporton ujgurët në operacione të përbashkëta me Pekinin.