Një stërvitje policore u krye në aeroportin e Rinasit në rast të një pengmarrje të aeroplanëve të pasagjerëve. Stërvitjen e ndoqi nga afër Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Prej 4 ditësh, Forcat Speciale RENEA, në bashkëpunim me aeroportin e Rinasit (TIA), Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas dhe Drejtorinë e Anti-terrorit, kanë zhvilluar stërvitje në pistën e aeroportit, për zgjidhjen e një situate rrëmbimi avioni dhe pengmarrjeje.
Synimi i stërvitjes ishte kontrolli dhe rritja e kapaciteteve të forcave speciale, për zgjidhjen e situatave reale të ngjashme, nisur nga ngjarjet e ndodhura në aeroportin e Rinasit, siç janë dy rastet e grabitjes së vlerave monetare në këtë aeroport, ku është cënuar siguria e aeroportit dhe situata nga grabitje, mund të kishte kaluar në pengmarrje.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë bisedës me stafet drejtuese të FLO-së, Policisë Kufitare, Anti-terrorit dhe TIA-s, ka theksuar rëndësinë e madhe që ka kjo stërvitje dhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre strukturave, me qëllim rritjen e sigurisë së udhëtarëve dhe të transportit të vlerave monetare.
Në fund të stërvitjes, Nano vlerësoi efektivët dhe drejtuesit e Repartit Special RENEA, për përgatitjen e lartë fizike dhe profesionale që treguan gjatë demonstrimit të një rasti të improvizuar të pengmarrjes.