Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shkruan në rrjetet sociale se kjo datë hapi një faqe të re në historinë e qëndresës shekullore antiosmane. Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti e nënshkroi veten, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve.
Me të mbërritur, u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. “Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj”, citohet (“Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti) të ketë thënë heroi ynë kombëtar duke iu drejtuar turmës entuziaste, më 28 nëntor 1443, kur për herë të parë në histori, në Krujë u ngrit flamuri kuq e zi.
Që prej këtij viti e gjersa u shua, qëndroi i pathyeshëm në krye të Shqipërisë në luftën 25-vjeçare kundër osmanëve. Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historiografisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.