Vlera prej 18 milion e 400 mijë eurove e sekuestruar në “Alfa Bank” në Tiranë, është pikasur jo vetëm nga prokuroria e Palermos që përgjonte biznesmenët, por dhe nga Drejtoria e Pastrimit të Parave në Shqipëri.
Në muajin korrik 2021, kur në llogarinë e Françesko Zummos në Shqipëri kanë ardhur eurot nga Zvicra, stafi i “Alfa Bank” ka raportuar këtë megatransaksion në Drejtorinë e Pastrimit të Parave që ndodhet në Ministrinë e Financave.
Kjo Drejtori mësohet se sapo është vënë në dijeni për prezencën e 18 milion e 400 mijë eurove ka urdhëruar bankën të mos veprojë me kalimin eurove në Hong Kong dhe Singapor.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Paravee ka vendosur një masë të përkohshme të bllokimit të pasurisë, ndërsa menjëherë ka njoftuar dhe Prokurorinë e Posaçme SPAK në Tiranë.
Për bllokimin e eurove në Shqipëri nuk kishte dijeni Françesko Zummo dhe këshilltari ekonomik i tij, Fabio Petruzella.
Të dy këta shtetas italianë prisnin që eurot të kalonin nga Shqipëria në kontinentin e Azisë, në Singapor. Por eurot nuk po kalonin dhe menjëherë ata nga vila e tyre në Palermo kanë vendosur të telefonojnë biznesmenin Rezart Taçi.
Ekonomisti Petruzella, edhe ai i arrestuar tashmë, ia kishte besuar operacionin Rezart Taçit, i cili bashkë me njerëzit e tij në Tiranë, Artur Balla dhe Bledar Lilo, kishte ndjekur të gjitha fazat, por pa informuar që pak ditë pas derdhjes së shumës me 28 korrik 2021, Drejtoria kundër Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, e kishte bllokuar llogarinë e Zummos, duke e sinjalizuar atë transfertë si te dyshimtë.
Nga Palermo, dy italianët telefonojnë Rezart Taçit në Milano, duke i kërkuar atij llogari dhe informacione direkte, se përse “Alpha Bank” i ka bllokuar eurot që kishin mbërritur nga Zvicra në Shqipëri.
Sipas dosjes hetimore, Rezart Taçi, siguron plakun Zummo mbi faktin se paratë e tij janë të sigurta dhe në të njëjtën kohë thotë se për këtë shumë prej gati 19 milionë euro ai garantonte me pasuritë e veta.
Rrethanat e kësaj bisede mes Zummos dhe Rezart Taçit janë përgjuar nga prokuroria italiane në shtëpinë e Fabio Petruzellës, i cili të nesërmen ia ka treguar detajet bashkëjetueses së tij, duke i thënë se:
“…dje plaku mori në telefon Rezartin dhe me tone shumë të acaruara i tha: ”…Miku im, çfarë dreqin po kurdis…!”
Në këtë pikë Rezart Taçi e siguroi se:
“…Jam unë garant! Të kam thënë, jam unë garant…!”-duke marrë përgjegjësi edhe me pasuritë e veta, nëse do dështonte si operacion.
Në këtë situatë të ndërlikuar dhe jo shumë të këndshme për bosin plak, rezulton se Zummo i ka kërkuar Rezart Taçit që t’i japë një financim paradhënie prej 500 mijë eurosh për disa shpenzime urgjente që duhet të bëjë në Milano nëpërmjet Fabios.
Por në fakt këta para nuk janë dhënë asnjëherë nga Taçi. Nga gjithë operacioni i pastrimit të parave, Rezart Taçi, bashkë me Fabio Petruzellan, do të përfitonin një fitim prej 16 për qind të shumës së pastruar, baraz me 3.088.000 euro.
/Ora News