Me ardhjen e verës vjen edhe i nxehti, por edhe netët pa gjumë nga sikleti që shkakton ai. Kush ka një kondicioner në shtëpi është ndoshta më me fat, por megjithatë mbajtja ndezur e tij për një kohë të gjatë mund t’ju shkaktojë probleme muskulare dhe ftohje. Për këtë arsye, në këtë artikull ju sjellim një sërë këshillash interesante për t’ia dalë të flini gjatë netëve me temperatura të larta.
Zgjidhni çarçafët e përshtatshëm
Asnjëherë mos e harroni: hiqini çarçafët e dimrit dhe zëvendësojini me ata të verës. Ju e dini, ata kanë punim të ndryshëm nga njëri-tjetri për t’u përshtatur sipas stinëve.
Reduktoni futjen e të nxehtit nga dritaret
Edhe kjo është një këshillë e thjeshtë dhe e vlefshme. Më shumë se sa flladi, në verë nga dritaret futet i nxehti. Gjatë ditës, grilat dhe perdet mbajini mbyllur dhe gjatë natës hapini sa të dëshironi.
Nëse keni shtëpi me tarracë, mbusheni atë me vazo me lule ose bimë
Tarracat kanë tendencë që të thithin shumë nxehtësi, pasi janë shumë të ekspozuara ndaj diellit. Vënia e disa luleve apo bimëve në të është një e mirë kundër vapës në shtëpi dhe një e mirë për to, duke qenë se e “adhurojnë” diellin. Kështu do të mund të kaloni net më të freskëta.
Eliminoni prodhimin e nxehtësisë
Gjatë ditës nxehtësia prodhohet edhe nga furra, dushi por edhe nga lavatriçja. Ato, përveçse rrisin temperaturën e mjedisit, shkaktojnë edhe lagështi.
Shmangni ushqimet të cilat ju nxehin
Jo ushqimet e nxehta në kuptimin e parë të fjalës, por ato të cilat janë të vështira për t’u tretur. Tretja, në fakt, është një ‘punë’ dhe si e tillë ajo prodhon energji. Ndaj, mendojeni mirë ngrënien e ushqimeve të rënda për t’u tretur.
Lajini këmbët me ujë të ftohtë
I nxehti provokon qarkullim më të madh të gjakut te këmbët dhe siç e dimë temperatura e lartë qarkullon pikërisht me gjakun. Një këshillë shumë e vlefshme është ajo që t’i lani këmbët me ujë të ftohtë përpara se të flini, ose edhe gjatë natës.
“Spërkatni ajrin” me ujë
Një ide e mirë për të pasur një ambient më të freskët ndërsa flini është spërkatja me ujë e ambientit ku qëndroni. Këtë mund ta bëni duke përdorur një spërkatës (shishe me detergjent për pastrimin e pluhurave) duke i futur brenda ujë të ftohtë dhe pak akull. Në këtë mënyrë, ajri do të mund të freskohet paksa.
Krijoni “kondicionerin” e bërë nga vetë ju
Këshilla e fundit është që të blini një ventilator, i cili mund t’ju mundësojë freskinë për të cilën keni aq shumë nevojë. Mjafton që para tij të vendosni një enë me ujë të freskët e në këtë mënyrë kjo do të jetë një “shpikje” e juaja, e njëjtë sikur të kishit krijuar një kondicioner të vërtetë.