Eksperti i CNN për shëndetësinë, Doktor Sanjay Gupta u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve lidhur me koronavirusin.
Ndiqni këshillat e tij sesi duhet të sillemi në një ambient pune apo në kushtet e izolimit.
Kur bëhet fjalë për marrjen e masave paraprake kundër Covid-19 ose koronavirusit të ri në zyrë, çfarë mund të bëjnë punonjësit?
“Unë mendoj se rregullat bazë duhet të zbatohen, padyshim. Nëse jeni i sëmurë, mos shkoni në punë. Kjo duhet të zbatohet me apo pa përhapjen e koronavirusit. Nëse shihni dikë të sëmurë, padyshim nuk duhet të qëndroni afër atij personi dhe kur them se mos qëndroni afër atij personi, distanca që ato pika spërklash përhapen është zakonisht nga 1 deri në 2 metra. Pra, kjo është një lloj largësie e sigurt për sa i përket një distance sociale brenda një hapësire zyre, gjithashtu brenda çdo lloj hapësire tjetër. Kjo është arsyeja pse shumë evente me grumbullime masive po anulohen, pasi është e vështirë të ruash distancën sociale, duke qenë se personat ulen apo qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. Prandaj, ruani distancën dhe qëndroni në shtëpi nëse jeni sëmurë. Pastroni hapësirat sa më shumë që të jetë e mundur, bëhuni ai personi i fiksuar pas pastrimit për pak kohë. Unë kam qenë i tillë për shumë kohë. Mendoj se ju mund të përfitoni nga kjo”.
Çfarë rekomandoni për të ruajtur shëndetin tonë mendor, ndërsa rrisim distancën sociale dhe punojmë nga shtëpia?
“Kjo është një pyetje e mirë dhe personalisht po mendoj shumë për këtë në fakt, kryesisht për miqtë dhe familjen time. Para së gjithash, distancimi social nuk do të thotë izolim social. Mendoj se ka shumë mënyra, me të cilat mund të qëndrojmë në kontakt dhe ndoshta më shumë se sa bëjmë zakonisht. Diçka rreth këtij virusi, që kam kuptuar ndërsa kam raportuar për të dhe kam biseduar me shumë persona në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, është se ne jemi në këtë betejë të gjithë së bashku. Ky është një virus që prek këdo dhe nuk kursen askënd. Ne jemi të gjithë bashkë në këtë situatë dhe jemi në një pozicion ku sjelljet tona individuale kanë një ndikim të madh për personat përreth nesh. Shëndeti juaj varet shumë në sjelljet e mia dhe shëndeti im është kaq i varur në mënyrën e sjelljeve tuaja. Kështu që nëse ju praktikoni një higjienë të mirë dhe po siguroheni që nuk jeni një burim shpërndarjeje, ju nuk po e bëni këtë vetëm për veten, por për të gjithë personat që ju rrethojnë”.