Të gjithë ata që janë në punë dhe kërkojnë të marrin leje-dalje për të lëvizur me automjet apo motoçikletë, mund ta marrin këtë të fundit nëpërmjet e-Albania, https://e-albania.al/. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama shkruan se marrja e leje-daljes me automjet përmes e-Albania i jep fund email-eve dhe pritjeve të deritashme për përgjigje.
“Ju lutem atyre që duan autorizim për të shkuar në punë javën tjetër të ndjekin me vëmendje video-udhëzimin dhe të testojnë sistemin e ri që përmes e-albania i jep fund pritjeve për aprovimin e autorizimit. Lexoni me vëmendje në hyrje të portalit e-albania lajmërimin që ju shfaqet, ku do të gjeni qoftë kategoritë e lejuara këtë javë për punë, qoftë protokollin sanitar të sigurisë”, shkruan Rama.
Kryeministri thotë se sistemi po testohet ende ndaj kërkon që qytetarët të mos mërziten nëse ka vonesa në aprovimin e lejes. Rama u kujton gjithashtu qytetarëve që të lexojnë me vëmendje pasojat për shkelësit e kufizimeve të vendosura.
“E përsëris, sistemi po testohet që deri nesër të jetë plotësisht funksional, prandaj mos u mërzisni nëse do të hasni ndonjë vonesë në aprovim, sepse pjesëmarrja juaj në testim ndihmon në kolaudimin e sistemit. Lexoni po ashtu me vëmendje pasojat ligjore e penale për shkelësit e kufizimeve të posaçme anti-covid të qarkullimit në këmbë apo me automjet”.