Derek Thompson – The Atlantic
“Muajt e fundit kanë qenë të vështira për Mbretërinë e Bashkuar, por kjo krizë nuk nisi sot…”
Britania zgjodhi financat në vend të industrisë, masat shtrënguese mbi investimet dhe një ekonomi të mbyllur në vend të hapjes ndaj botës.
Muajt e fundit kanë qenë të vështira për Mbretërinë e Bashkuar. Çmimet e energjisë janë në rritje. Inflacioni kombëtar ka kaluar shifra dyshifrore. Ka vdekur monarku britanik më jetëgjatë.
Kryeministrja me mandatin më të shkurtër ka dhënë dorëheqjen. Ju ndoshta i dinit të gjitha këto tashmë. Lajmet britanike mbulohen mjaft (disa mund të thonë shumë) në mediat perëndimore.
Prapa titujve të zymtë, megjithatë, është një histori më e thellë e mosfunksionimit ekonomik prej dekadash që mban mësime për të ardhmen. Në imagjinatën amerikane, Britania e Madhe nuk është vetëm prindi ynë politik, por edhe partneri ynë kulturor, një komb i pasur që na dha kapitalizmin modern dhe Revolucionin Industrial.
Por sidomos kur vjen puna tek shifrat, Britania është goxha e varfër për një vend të pasur.
Standardet e jetesës dhe pagat në Mbretërinë e Bashkuar kanë rënë ndjeshëm pas atyre të Evropës Perëndimore. Sipas disa masave, në fakt, pagat reale në Mbretërinë e Bashkuar janë më të ulëta se sa ishin 15 vite më parë dhe ka të ngjarë të jenë edhe më të ulëta vitin e ardhshëm. Kjo krizë ka kohë që po formohet, në fakt prej dekadash të tëra.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e Britanisë u rrit më ngadalë se ajo e pjesës më të madhe të Evropës kontinentale. Në vitet 1970, britanikët kishin një debat kombëtar rreth asaj se pse po ngecnin prapa dhe sesi ish-perandoria ishte bërë një ekonomi relativisht e izoluar dhe e përgjumur. Nën kryeministren Margaret Thatcher në vitet 1980, tregjet u çrregulluan, sindikatat u shkatërruan dhe sektori financiar u shfaq si një xhevahir i ekonomisë britanike.
Injektimi i neoliberalizmit nga Thatcher pati shumë efekte të ndërlikuara, por që nga vitet 1990 deri në vitet 2000, ekonomia britanike ngulmoi përpara, me bumin financiar të Londrës në krye. Britania, e cila u pasurua në rolin e ‘fabrikës së botës’ në shekullin e 19-të, ishte bërë tashmë bankierja e botës në shekullin e 21.
Kur kriza globale financiare goditi në vitin 2008-të, ajo goditi rëndë, duke tronditur motorin e rritjes ekonomike të Britanisë. E kujdesshme ndaj rritjes së deficiteve, qeveria britanike ndoqi një politikë shtrënguese, duke u shqetësuar për borxhin dhe jo për produktivitetin ose kërkesën agregate. Rezultatet ishin katastrofike. Pagat reale ranë për 6 vjet rresht.
Duke u përballur me atë që shkrimtari Fintan O’Toole e quajti “ankthin e shurdhër të standardeve në rënie të jetesës”, politikanët konservatorë nuhatën një ‘gogol’ për të fajësuar për këtë katastrofë me lëvizje të ngadalta. Ata u shërbyen votuesve në ankth një menu me të huaj të frikshëm: burokratë nga Brukseli, emigrantë, azilkërkues – kushdo përveç vendimmarrësve aktualë që kishin gjunjëzuar konkurrencën britanike. Një grup votuesish të moshuar, të shtresës së mesme, me një nostalgji të akumuluar kërkuan Brexit dhe ata e arritën atë.
Në 30 vitet e fundit, ekonomia britanike zgjodhi financat në vend të industrisë, qeveria britanike zgjodhi masat shtrënguese në vend të investimeve dhe votuesit britanikë zgjodhën një ekonomi të mbyllur dhe më të varfër mbi një të hapur dhe më të pasur. Rezultatet e parashikueshme janë rënia e pagave dhe rritja mahnitëse e ulët e produktivitetit. Edhe pse mediat britanike shqetësohen për robotët që marrin punët e të gjithëve, realiteti është më afër të kundërtës. “Midis vitit 2003 dhe 2018, numri i lavazheve automatike me rul (domethënë robotët që lajnë makinën tuaj) ra me 50 %, ndërsa numri i lavazheve me dorë (d.m.th. burrave me kova) u rrit me 50 %.
Komentatori ekonomist Duncan Weldon më tha në një intervistë për podcast-in tim, Plain English: “Duket më shumë sikur njerëzit po marrin punët e robotëve.” Ky mund të tingëllojë si një shembull i çuditshëm, sepse ekonomia britanike është padyshim më komplekse sesa blloqet që fërkojnë makinat me sapun. Por është një rast ilustrues. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Robotikës, industria e prodhimit në Mbretërinë e Bashkuar ka më pak automatizim teknologjik se çdo vend tjetër po aq i pasur. Me gati 100 robotë të instaluar për 10,000 punëtorë prodhues në vitin 2020, dendësia mesatare e robotëve ishte nën atë të Sllovenisë dhe Sllovakisë. Një analizë famëkeqe nga “Puzzle” për sa i përket produktivitetit të Mbretërisë së Bashkuar arriti në përfundimin se jashtë Londrës dhe financave, pothuajse çdo sektor britanik ka produktivitet më të ulët se kolegët e tij të Evropës Perëndimore.
Kështu, Britania e Madhe, kombi i parë që u industrializua, ishte gjithashtu i pari që u de-industrializua. Britania shkaktoi revolucionin e produktivitetit që ndryshoi botën dhe tani ajo ka disa nga statistikat më të këqija të produktivitetit të çdo ekonomie të madhe. Ajo që dikur ishte perandoria më e fuqishme e globalizuar në botë, tani ka votuar për të reduktuar në mënyrë eksplicite aksesin global në tregti dhe talent. Që nga Brexit, emigracioni, eksportet dhe investimet e huaja kanë rënë të gjitha, duke ulur me gjasë madhësinë e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar me disa pikë përqindjeje në afat të gjatë.
Amerikanët që kanë vizituar Britaninë e Madhe mund të mos e njohin portretin që po pikturoj. Kjo ndoshta sepse ata janë të njohur me Londrën, jo me vendin në tërësi. Siç vë në dukje shkrimtari i ekonomisë Noah Smith, aftësia financiare e Londrës ka fshehur dobësinë e përgjithshme të ekonomisë në inovacion dhe prodhim. Ose, siç thotë analisti ekonomik Matt Klein, “Nxirrni Londrën e Madhe – prosperiteti i së cilës varet në një shkallë të pakëndshme nga gatishmëria për të ofruar shërbime për oligarkët nga Lindja e Mesme dhe ish-Bashkimi Sovjetik – dhe Britania e Madhe është një nga vendet më të varfra në Evropën Perëndimore”.
Sot, Britania duket e bllokuar mes një neverie të krahut të majtë ndaj rritjes dhe një neverie të krahut të djathtë ndaj hapjes. Në të majtën akademike, Britania e Madhe ka qenë kohët e fundit shtëpia e një lëvizjeje në rritje të quajtur de-growtherism, e cila pohon se shpëtimi i planetit kërkon që vendet e pasura të ndalojnë kërkimin e rritjes. Në të djathtë, elektorati dominohet nga votues më të vjetër që kujdesen më shumë për luftërat kulturore sesa për konkurrencën.
“Në vitin 2019, kur Boris Johnson dhe Partia Konservatore fituan një shumicë të madhe në Dhomën e Komunave, shumica e njerëzve në moshë pune nuk votuan për ta,” më tha Weldon. “Jam shumë i sigurt se kjo është hera e parë që ndodh ndonjëherë. Ju keni këtë bllok votimi post-ekonomik, më të vjetër, të izoluar ekonomikisht që mund të përballojë të jetë kundër rritjes pothuajse si një luks, sepse ata nuk duhet të kujdesen për rezultatet ekonomike.”
Britania e Madhe është tani një objekt mësimi për vendet e tjera që kanë të bëjnë me një treshe të errët të deindustrializimit, de-zhvillimit dhe denigrimit të të huajve. Duke pasur industrinë në det të hapur në favor të financave, ekonomia e saj nuk ishte elastike. Erozioni që rezultoi në standardet e jetesës e bëri publikun të dëshpëruar për të gjetur diçka apo dikë për të fajësuar. Konservatorët që kërkonin faj, ja vunë gishtin ‘gogolit’ nga jashtë, vendit që vinte me varka ilegale përtej detit.
Brexit ia ndaloi ekonomisë rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm dhe krijoi kushtet perfekte për vënien në skenë të një cirku të mirëfilltë politik.
SHBA-të kanë një meny problemesh të ndryshme nga ajo e Mbretërisë së Bashkuar. Por edhe (atje), politikanët po lundrojnë në një sektor industrial në rënie strukturore, një të majtë politike që shpesh është skeptike për virtytet e rritjes ekonomike dhe një të djathtë politike që është organizuar pjesërisht rreth urrejtjes ndaj të huajve. Armiqtë e progresit mund të kritikojnë trashëgiminë e industrializimit, produktivitetit dhe globalizimit. Por Britania e Madhe na tregon se çfarë mund të ndodhë kur një vend i pasur duket se i refuzon të treja bashkë. Në vend që të shndërrohet në një lloj Edeni post-ekonomik të frymëzimeve pozitive, ai bëhet i hidhur, i dobët dhe i pakuptimtë.