Sa i përket najlonit, ai është padyshim një nga tekstilet më interesante në historinë e modës. Në vitin 2021, pëlhura najlon ka qenë më e përdorura për çantat dhe aksesorët.
Kohët e pazakonta kërkojnë një modë të pazakontë dhe najloni sigurisht që i përfshin të dyja. Është pothuajse apokaliptik; është i fortë, rezistent ndaj ujit, i përballueshëm dhe funksionon për një sërë artikujsh nga fustanet deri tek çantat e përditshme.
Për sezonin e vjeshtës 2021, markat kryesore por edhe ato të vogla “përqafuan” najlonin. Kishte çantë shpine prej najloni të Sacai-t, çantat e shpinës me logo të Alexander McQueen, koleksioni i Marnit dhe Miu Miu, të gjitha të bëra prej najloni.
Megjithëse u shpik zyrtarisht në vitin 1938, najloni mund të lidhet më së shumti me Luftën e Dytë Botërore, kur çorapet filluan të bëheshin me najlon për shkak të përballueshmërisë dhe faktit se ishte më e lehtë për t’u kujdesur për to.
“Najloni mund të ketë një ringjallje tani për të njëjtën arsye; është një alternativë e përballueshme dhe ofron lehtësi në përdorim dhe kujdes”, shpjegon Sarah Collins, stiliste.
“Kur dalin nga një kohë problemesh dhe pasigurie, si Lufta e Dytë Botërore ose, të themi, një pandemi, konsumatorët fokusohen në përdorimin me mençuri të parave të tyre”.
Në vitet 1950, najloni gjendej në çdo gjë, nga kompletet e trikove dhe kostumet e meshkujve deri te palltot e leshit dhe në vitin 1955, najloni tashmë ishte kudo në pistat e Parisit.
Coco Chanel, Jean Patou dhe Christian Dior filluan të përdorin fibra sintetike nga DuPont (shpikësi i najlonit). Fotografi Horst P. Horst u punësua për të dokumentuar përdorimin e najlonit dhe materialeve të tjera sintetike nga dizajnerët kryesorë të botës, duke përfshirë Nina Ricci, Emanuel Ungaro, Pierre Cardin dhe Madame Grès gjatë fundit të viteve 1950.
Por siç shpjegon edhe Collins, çantat e dorës prej najloni janë një modë relativisht moderne, ndaj kanë një histori të shkurtër. Ndërsa plastika si Lucite përdorej në vitet 1950 për çantat e dorës, najloni nuk përdorej shpesh në çantat e grave. Sidomos nga Prada. Marka debutoi me Vela-n, e njohur ndryshe si çanta e shpinës prej najloni, në vitin 1984. Sot, ju mund të gjeni pothuajse çdo gjë nga Prada në najlon: funde, fustane, madje edhe kapele dhe xhaketa puffer. Në vitin 2019, marka prezantoi Re-Nylon, një alternativë ndaj veshjeve prej najloni të së kaluarës, në të cilën çdo artikull është bërë nga Econyl, një fije e qëndrueshme e bërë nga mbeturinat.
Sigurisht, do të ishte e pamundur të injorohej efekti që Y2K (vitet 2000) ka pasur në modë dhe, si rezultat, në najlon. Në TikTok ka një det me çanta të Prada-s Re-Edition, të cilat, siç sugjeron emri, janë përsëritje të reja të çantave të Prada-s të lëshuara dikur në 2000, 2005 dhe 2006.
“Brezat e rinj po kërkojnë në google për të parë se çfarë kanë veshur vajzat në vitet ’90”, shton Collins.
“Ata shohin çantat e najlonit dhe mini-çantat e shpinës të kudogjendura dhe duan ta përsërisin atë stil sot dhe me gjithnjë e më shumë dizajnerë në zhvillim nga Sunnei në Marine Serre që eksperimentojnë me pëlhurën, nuk është çudi që Gen Z tërhiqet nga të gjitha gjërat najloni”.