Nga Risto Popovski* / Regjimi i Nikola Gruevskit, të cilin ai e ndërtoi për më shumë se një dekadë në Maqedoni tashmë është rrëzuar. Kalimi i pushtetit tek lideri socialdemokrat Zoran Zaev shënoi bashkë me ndryshimin e qeverive edhe fundin e një pushtetit totalitar, i cili për nga arroganca dhe arbitrariteti mund të krahasohet me regjimet ortodokse staliniste.
Regjimi që nuk deshi ta pranojë humbjen pas të enjtes së përgjakshme në parlament (më 27 prill) dhe pas përpjekjes së pasuksesshme për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme këtej e tutje do ti takojë historisë.
Ndërsa qytetarët që për gati tre vjet jetuan në kushtet e një krize të përhershme u gëzuan, disa madje edhe festuan, që presidenti Gjorge Ivanov i dha fund shkeljeve të Kushtetutës, dhe ia dha mandatin koalicionit që arriti të bëjë një shumicë.
Presidenti Ivanov për më shumë se dy muaj e bllokoi formimin e qeverisë për shkak të rrezikut të pretenduar nga e ashtuquajtura platformë e Tiranës, por ai u dorëzua nën presionin e fortë ndërkombëtar
Presioni i fortë
Mbështetësit e socialdemokratëve, të cilët e sulmonin Ivanovin për shkak se nuk lëshonte pe, tani tallen me rolin e tij kukull. Është më tepër se e qartë që Ivanovi e mohoi qëndrimin këmbëngulës vetëm pasi mori leje nga Gruevski, pa miratimin e të cilit nuk mund të merrej vendimi me të cilin u shënua fundi i karrierës së tij si lider i padiskutueshëm.
Gruevski luftoi gati tre vjet çmendurisht për t’u kthyer në pushtet, duke e çuar vendin në një krizë gjithnjë e më të thellë. Por iu desh të lëshojë pe për shkak se u përball me argumente të pakundërshtueshme. Më i rëndësishmi, me sa duket, ishte konflikti i hapur me bashkësinë ndërkombëtare, e cila iu përgjigj me presion të fortë, që u luajt kryesisht në prapaskenë.
Megjithëse Bashkimi Europian (BE) u angazhua dhe ndërhyri vazhdimisht nuk arriti kurrë, së paku jo me diplomaci publike, ta evitojë krizën.
Të pasuksesshme ishin vizitat e presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk, të kreut të diplomacisë së BE-së Federica Mogherini dhe komisarit të BE-së, Johannes Hahn. Njëra nga arsyet ishte se Gruevski e kishte mbështetjen e një pjese të partive popullore europiane me ndikim në BE.
Por, me sa duket, vendimtare ishte vizita e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, menjëherë pas të enjtes së përgjakshme në Kuvend.
Presidenti Ivanov, i cili për shkak të axhendës së ngjeshur fillimisht e refuzoi takimin, papritmas gjeti kohë, dhe pas bisedës tregoi shenja të qarta se do të lëshonte pe dhe do ta miratonte qeverinë e Zaevit. Hoyt Brian Yee zhvilloi së pari takime me liderët e partive politike, përfshirë edhe Gruevskin.
Ikja nga drejtësia
Shpresat e Gruevskit se administrata e presidentit Donald Trump, të cilit iu vardis në një mënyrë të paskrupullt, do ta merrte nën mbrojtje, u shuan. Për këtë qëllim nuk ndihmuan as lobistët amerikanë të paguar shtrenjtë. Por, sigurisht, ajo që i prishi më shumë punë liderit autoritar të ËMRO ishin sulmet e pashembullta dhe të vrazhda ndaj ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Bailey.
Argumentet që e detyruan Gruevskin të tërhiqet ishin bindëse. Ai dështoi të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Ai tentoi fillimish ta arrinte këtë me sulmin ndaj parlamentit në të cilin ishte përfshirë edhe një pjesë e udhëheqjes së policies që bashkëpunoi me njerëzit e keqpërdorur të ftuar në rrugë për të protestuar.
Gruevski ishte i kushtëzuar të bënte gjithçka për tu kacavjerrë pas pushtetit.
Që nga afera «Përgjimet», kur u bë e qartë se karriera e tij politike po shkonte drejt greminës dhe se mund të gjendej para gjykatës, ai po përpiqet t’i shmanget drejtësisë. Fakti se ai e përmend me përçmim Prokurorinë Speciale, mandati i së cilës me siguri do të zgjatet pas formimit të qeverisë së re, nxit dyshime se ai ka arsye t’I shmanget ligjit dhe të përpiqej ta bënte këtë duke nxitur kaos.
E drejta e ekzekutorëve
Gruevski ndoshta ka frikë, se edhe atij po i vjen radha e dënimit, duke pësuar të njëjtin fat që patën armiqtë e tij në kohën kur ai qe kryeministër.
Pronari i stacionit më të shikuar televiziv A1,Velija Ramkovski, u dënua me 13 vjet burg, pasi nga mbështetës ai u kthye në kundërshtar të liderit të ËMRO. Edhe lideri i njërës prej partive opozitare, Lube Boshkovski, u dënua në një proces shumë të dyshuar se ishte i montuar politikisht.
Se çfarë drejtësie ka instaluar dhe çfarë regjimi ka ndërtuar dhe rindërtuar Gruevski e tregon monumenti kushtuar Andon Janev-Qosetit. Historia dëshmon që ai ka vrarë 100 njerëz, si ekzekutues i VMRO-së, në fund të shekullit ’19 dhe në fillim të shekullit ’20. Vetëm mendjet e çakorduara mund ta hyjnizojnë një terrorist dhe vrasës masiv, ndërsa dihet se kush dhe si ka vendosur për monumentet.
Regjimi i Gruevskit, në kuadër të projektit «Shkupi 2014», për të cilin u harxhuan më shumë se 670 milionë euro, ndërtoi plot 34 monumente. Por njëri nga monumentet ai i terrorristit Qoseti, është vendosur para kompleksit të gjykatave në Shkup. Ai ka një mesazh të dyfishtë.
Së pari ai tregon se çfarë i pret kundërshtarët e partisë së Gruevskit, VMRO, ndërsa së dyti ai i kërcënon gjyqtarët që të mos sillen në kundërshtimin me direktivat e partisë.
Fundi i regjimit
Marrja e mandatit të kryeministrit nga Zaevi shënoi edhe formalisht fundin e regjimit. Këtej e tutje ai nuk do të mund ta luajë rolin e kryeministrit real në vend të marionetës Emil Dimitriev, të cilin në janar të vitit të kaluar e emëroi si kryetar të qeverisë teknike, dhe i cili mezi u shfaq në opinion.
Pas disfatës përfundimtare të regjimit, Gruevski do të përballet me kërkesën për t’u dorëhequr edhe nga drejtimi i VMRO-DPMNE. Kriza shumëvjeçare, e cila është thelluar me përpjekjet e vazhdueshme që me të gjitha mjetet të kthehet në pushtet, e ka rrezikuar edhe pozitën e tij prej lideri.
Themeluesit dhe anëtarët më të devotshëm të VMRO-DPMNE-së në mënyrë të hapur dhe të vendosur kërkojnë që Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të largohen nga pozicionet udhëheqëse të partisë.
Dalja e vështirë nga kiza
Disa nga anëtarët me ndikim e mbrojnë Gruevskin, gjë që vetëm dëshmon se ka filluar lufta për pushtet në parti. Në të njëjtën kohë, në skenën politike po shtohen përpjekjet e partive të djathta për ta përvetësuar anëtarësinë e pakënaqur. Njërën prej tyre e udhëheq Lupço Georgievski, njëri nga themeluesit e VMRO-DPMNE-së, kryetari i parë i saj dhe ish-kryeministër. Ai e solli Gruevskin në krye të partisë, por për shkak të tij u detyrua të largohet dhe të themelojë Partinë Popullore VMRO.
Për qytetarët është me rëndësi që regjimi i Gruevskit është përmbysur përfundimisht dhe që Maqedonia si shtet po hyn në një fazë të re, e çliruar nga disiplina partiake dhe shtrëngimi i arbitraritetit. Dalja nga kriza do të jetë e gjatë dhe plot vështirësi.
Shumica e qytetarëve të Maqedonisë janë optimist për ndërrimin e pushtetit, por edhe të kujdesshëm në pritshmëri edhe pse besojnë se vështirë se mund të jetë më keq se nën regjimin e Gruevskit. Pasojat e pushtetit të tij dhjetëvjeçar do të përjetohen shumë gjatë dhe do të duhet një kohë relativisht e madhe që jeta e përditshme dhe shteti të kthehen, më shumë ose më pak, në binarë normalë.
(*Autori është publicist nga Shkupi)