Bosi dhe bashkëthemeluesi i Kartelit të Sinaloas, Ismael “El Mayo” Zambada u arrestua të enjten nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas, bashkë me djalin e madh të ortakut të tij, Joaquin “El Chapo” Guzman.
Arrestimi i bujshëm u njoftua nga autoritetet amerikane, duke shënuar një kapitull të ri në luftën kundër grupeve të organizuara kriminale që trafikojnë lëndë narkotike në Shtetet e Bashkuara.
Por mediat amerikane raportojnë se arrestimi i “El Mayo”-s erdhi pas bashkëpunimit të djalit të El Chapo-s, Guzman Lopez, me autoritetet amerikane.
Sipas “New York Times” dhe “Wall Street Journal”, Zambada u mashtrua pikërisht nga Guzman për të hipur në një avion privat, për të parë disa pista në Meksikë, nga ku do të niseshin avionët e mbushur me drogë, drejt Shteteve të Bashkuara. Por në fakt avioni përfundoi në El Paso, ku e prisnin agjentët e Sigurisë Kombëtare dhe të FBI-së.
Gjithashtu, “Fox News” raportoi se djali i El Chapo-s tradhtoi ortakun dhe mikun e vjetër të babait të tij, pasi mendonte se El Mayo ishte përgjegjës për arrestimin e babait të tij.
Zambada bënte një jetë të qetë në Meksikë, ndryshe nga jeta luksoze e El Chapo-s. Raportohet se ai ishte në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet amerikane për t’u dorëzuar, por kurrë nuk e bëri këtë. Në një intervistë të rrallë mediatike në vitin 2010, El Mayo citohet të ketë thënë se “do të vras veten para se t’i dorëzohem policisë”.
Guzman Lopez pritet të transferohet në Çikago, aty ku do të zhvillohet gjyqi kundër tij, ndërsa Zambada do të shkojë në Nju Jork.
Kush është Ismael Mario Zambada García
I lindur në Sinaloa, Meksikë, Zambada e ka nisur karrierën e tij ilegale në drogë që në adoleshencë, kur punonte ngushtë me kartelet Juárez dhe Carrillo, ndërkohë që mbante lidhje edhe me furnizuesit e kokainës nga Kolumbia.
Zambada, 76 vjeç është bashkëthemelues i kartelit dhe është përshkruar nga InSight Crime si një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në historinë amerikane.
Besohet se ai nuk ka vuajtur kurrë ndonjë dënim në burg dhe se autoritetet amerikane po e ndiqnin atë për dekada me radhë. Saqë për çdo informacion që do të depozitohej dhe do të ndihmonte në kapjen e tij autoritetet kishin vendosur një shpërblim prej më shumë se 15 milionë dollar.
Karteli, që është themeluar në shtetin veriperëndimor të Sinaloas, është një prej grupeve më të fuqishme dhe më të dhunshme kriminale të Meksikës.
Viktimat e luftërave mes karteleve të drogës përfshijnë pjesëtarë të bandave, personel të sigurisë dhe gazetarë, të cilët janë në mesin e më shumë se 450 mijë personave të cilët kanë mbetur të vrarë, që kur qeveria e Meksikës nisi ofensivën ushtarake në vitin 2006 kundër kartelave të drogës.
Ndërkaq në SHBA janë regjistruar më shumë se 107 mijë vdekje si pasojë e mbidozës së drogës dhe fentanyl është përgjegjëse e rreth 70% të numrit të vdekjeve. Kjo drogë më e fuqishme se marijuana shpesh prodhohet nga produkte që merren nga kina më pas përpunohet dhe kontrabandohet nga Meksika, kryesisht nga karteli Sinaloa.