Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, përsëriti sot në emisionin Open se bandat e Elbasanit janë angazhuar për mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
Ai tha se 10 minuta para se të mbante konferencën për mediat foli me dy zyrtarë të Elbasanit që i treguan për rastin.
“10 minuta para se të mbaja konferencën, kam pasur komunikim me dy zyrtarë të Elbasanit që më kanë treguar bisedën e kësaj bande në banesën e tij. Ky është presioni, prandaj nuk i bëjnë publike të dhënat. E dimë të gjithë se si ka qenë fushata në Elbasan. I kishim përballë përditë. Ju ftoj të shkoni në Elbasan e të takoni njerëz të pavarur, sot zihej gjithë qyteti i Elbasanit me këtë që ka ndodhur me PD-në. Këtë e di gjithë qyteti, ju ftoj që të shkoni të flisni, jua jap unë burimet, por ndoshta nuk më beson dhe i them të shkojë si gazetar. Një bandit pret në rezidencë, mund të ketë firmosur nën trysninë e këtij banditi. Unë nuk mendoj se Berisha e di këtë, por ata e kanë futur aty”, tha Bardhi.
“Ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim. E di dhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar te demokratizimi i Partisë Demokratike, pikërisht për këtë çështje, se nuk të pranojnë demokratët e Elbasanit të ja mbledhin Kuvendin Kombëtar të PD, Suel Çela. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, ka qenë shef i shtabit të Orlando Rakipit. E ka pasur përballë Flamur Noka në Vorë, nuk e kam pasur unë. Nuk thërret, harrojeni se thërret banda dhe krimi i organizuar Kuvend Kombëtar të Partisë Demokratike, Harrojeni te keni Kuvend të thirrur nga Qifja”, tha Bardhi.
Procedura e verifikimit të firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ka përplasur palët të cilat kanë interpretime të ndryshme të statutit të partisë.