Makthi i Lauren Miranda nisi në një ditë të zakonshme në shkollë. Ajo po jepte lëndën e matematikës në shkollën e mesme të Bellport, Long Island, në New York kur mori një mesazh nga një mike.
Një fotografi nudo po qarkullonte rreth e rrotull dhe fëmijët po thonin që ishte ajo.
“Mendova që është thjeshtë e pamundur”, rrëfen Miranda për The Guardian. “Isha thuajse e ofenduar që ajo kishte menduar se ishte foto e imja”.
Por kur shkoi në zyrën e drejtorit, ai i ktheu monitorin e kompjuterit për t’i treguar imazhin në fjalë. Dhe në fakt në ekran ishte pikërisht ajo, në një foto topless. Imazhin në fjalë ia kishte nisur vetëm një personi, një kolegu me të cilin ishte në një lidhje dashurie.
“Është një nga ato gjërat që lexon nëpër gazeta. Nuk të shkon kurrë ndërmend që mund të të ndodhë ty”, rrëfen Miranda.
Atë të premte, 11 Janar 2019, jeta e saj ndryshoi përgjithmonë, duke ngjallur një debat për të drejtat e qytetarëve, privatësisë e medias sociale, me Mirandën në qendër të tij.
“Nuk doja të bëja asgjë tjetër në jetë”, tha ajo duke folur për ëndrrën për të qenë mësuese matematike. “Isha kaq krenare për veten dhe kaq krenare për gjithçka kisha arritur duke qenë vetëm 25 vjeçe dhe gjithçka u shkatërrua për shkak të një fotografie të pjesës së sipërme të trupit tim”.
Menjëherë pas takimit me drejtorin e shkollës, më 11 janar, Miranda u pezullua nga puna. Disa muaj më vonë, pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura bordi i shkollës vendosi që ta pushonte atë nga puna.
Tashmë çështje e saj ka shkuar në gjykatë, ku Miranda e ka paditur shkollën dhe administratorët e saj për diskriminim gjinor dhe kërkon një dëmshpërblim prej 3 milionë dollarësh.