Pandemia e koronavirusit COVID-19 nuk ka ndalur zgjedhjet në Korenë e Jugut. Qytetarët kanë dalë sot në votime për të zgjedhur 300 anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
Megjithatë, masat janë të larta. Votuesit duhet të jenë të pajisur me maska, doreza dhe të ruajnë distancën nga njëri-tjetri. Deri më tani pjesëmarrja në votime është mbi 50%.
Dalje masive në votime u vu re në qytetin Daegu, që është një nga më të goditurit nga koronavirusi në vend. Diskutimi për pandeminë e koronavirusit ka mbizotëruar gjatë këtyre zgjedhjeve që po zhvillohen në kushte të pazakonta.
Mes votuesve të shumtë në Korenë e Jugut është edhe 116-vjeçarja Lee Yong-geum, e cila hodhi votën e saj.
E pajisur me maskë dhe doreza, ajo shoqërohej nga vajza e saj. 116-vjeçarja Lee Yong-geum është personi më i madh në moshë në jug të kryeqytetit Seul.