Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka dalë në përfundimin se qysh nga vitit 2014 analizat që kryen nga kjo agjenci kanë ardhur në ulje ndërkohë që nga nëntori 2019 nuk ka më asnjë të tillë.
“AKBPM është institucion përgjegjës, për kontrollin dhe analizimin e barnave, për të garantuar vendosjen në treg të barnave të sigurta, cilësore dhe efikase për popullatën. Njësia përgjegjëse në AKBPM për kryerjen e analizave mbi barnat është “Sektori i Laboratorit të Kontrollit”. Referuar të dhënave të këtij sektori për një mbi numrin e analizave të kryera nga institucioni gjatë një periudhë disa vjeçare, rezultoi se, nga 498 analiza të kryera në vitin 2014, numri i tyre në vitin 2018 ka arritur në 169 të tilla me një tkurrje të konsiderueshme me rreth 60% të tyre. Ndërkohë për vitin 2019 regjistrohen vetëm 68 analiza ose rreth 13.6% e analizave të realizuara në vitin 2014”, thuhet në raportin e KLSH.
Po kështu në raport thuhet se analiza e fundit në këtë sektor regjistrohet në muajin Tetor 2019.
“Pas kësaj periudhe institucioni nuk ka kryer më analiza dhe puna e sektorit në këtë drejtim bazë është paralizuar tërësisht. KLSH në auditimin e kryer nga Departamenti i Performancës në KLSH në AKBPM gjatë vitit 2019, me objekt “Cilësia dhe Siguria e Barnave në Rrjetin e Hapur Farmaceutik dhe Shërbimin Spitalor” veç aspekteve të tjera ka evidentuar gjithashtu problematikën mbi numrin e ulët të analizave të kryera nga institucioni, ndërkohë që kryerja e tyre në vijim ka stopuar. Për periudhën vitet 2019 dhe në vijim institucioni ka ushtruar veprimtarinë në ambientet pranë Institutit të Shëndetit Publik si rrjedhojë e procesit të rikonstruksionit të godinës së vet. Më tej ngjarjet e jashtëzakonshme si tërmeti i 26 Nëntorit dhe Pandemia COVID-19 shpallur në fund të muajit Mars 2020 kanë patur gjithashtu ndikimin e tyre negativ në situatën mbi ambientet dhe veprimtarinë e stafit”, argumenton KLSH.
Gjithsesi ky i fundit nënvizon se mungesa e analizave në barna në afatgjatë ka efekte negative në shëndetin e popullatës pasi ato duhet të monitorohen rregullisht në aspektin e sigurisë.
“Mungesa e analizave në afatgjatë ka ndikime të rëndësishme në ruajtjen e shëndetit të popullatës dhe për këtë institucioni përpara procesit të zhvendosjes dhe në vijimësi duhet të ishte treguar më i kujdesshëm në garantimin e vijueshmërisë së punës së laboratorit dhe përmbushjen e detyrimit institucional mbi analizimin e barnave”, thuhet në raport.