Aktualitet Siguria portuale, certifikohet personeli i Autoritetit Portual Durrës

Siguria portuale, certifikohet personeli i Autoritetit Portual Durrës

Ka përfunduar trajnimi i personelit të Autoritetit Portual Durrës, të cilët në bashkëpunim me Forcat Detare në bazën e Pashalimanit, zhvilluan kursin bazë të zhytjes dhe kursin për mjetet e vogla lundruese të sigurisë portuale. Një hap që ndikon në rritjen e mëtejshme të parametrave të sigurisë portuale.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në bazën e Pashalimanit, ku u zhvillua edhe ceremonia për certifikimin e personelit të portit të Durrësit të cilët ishin pjesë e trajnimit të zhvilluar.

Në fjalën e saj, Balluku vlerësoi bashkëpunimin mes Forcave Detare dhe agjencive të tjera që operojnë në det, duke theksuar se përballimi me sukses i sfidave që paraqiten sjell edhe nevojën për një bashkëpunim gjithëpërfshirës mes të gjitha agjencive.

“Më vjen mirë që Qendra Stërvitore e Forcës Detare vijojë të trajnojë personelin e të gjitha agjencive shtetërore me interesa në det, ashtu siç ka bërë me Policinë e Shtetit, kemi realizuar dhe kemi përmbyllur një trajnim shumë të rëndësishëm me personelin e Autoritetit Portual të Durrësit. Suksesi në përballimin e çdo sfide vjen vetëm përmes rritjes së gatishmërisë kolektive dhe nuk ka më mirë se një Forcë Detare dhe Roje Bregdetare që operojnë në sintoni me portet që po njohin një rritje të numrit të pasagjerëve dhe të volumeve të mallrave”, u shpreh Balluku.

Drejtori i Autoriteti Portual Durrës, Pirro Vëngu bëri të ditur se këtë vit janë certifikuar 7 punonjës, ndërsa në total falë bashkëpunimit me Forcat Detare edhe gjatë vitit të kaluar, numri i personelit të trajnuar shkon në total 120. “Sot është një ekip prej 7 vetash me 4 pëlumbarë që do të shtohen, si pjesë e vendimit të Qeverisë, edhe për patrullimin nënujor në Porto Romano dhe tre drejtues të mjetit detar do ti shtohen patrullës të portit të Durrësit, pasi do kemi dy ekipe patrulluese për të mbuluar të dyja portet sipas detyrimeve ligjore”, tha Vëngu.

Kundëradmiral Adnan Agastra në fjalën e tij nënvizoi se Forca Detare është gjithmonë e gatshme për të dhënë eksperiencën e saj edhe në agjencitë e tjera.
Pjesëtarët e ekipit të Autoritetit Portual Durrës zhvilluan një ushtrim demonstrues, ndërsa në përfundim u shpërndanë edhe certifikatat.