Nga Agime Kastrati*
Sigurimi i pronës, ende nuk shihet si nevojë për financat e çdo familje shqiptare, duke reflektuar kështu kulturën e ulët të sigurimit të saj në vend.
Sa herë ndodhin përmbytje, zjarre, tërmete, pra fatkeqësi natyrore, vëmendja përqendrohet tek hartimi i menjëhershëm i projekt ligjit për sigurimin e detyrueshëm të pronës, por që deri më tani nuk është realizuar asgjë konkrete.
Ndërgjegjësimi për të paguar një sigurim prone (shtëpi,biznes etj) është ende në shkallë të ulët në vend dhe vlerësimet tregojnë se minimalisht vetëm 2 banesa janë të siguruara në 100 të tilla. Ky nivel do të ishte edhe më i vogël nëse bankat të mos detyronin ata që marrin kredi, që të sigurojnë banesën apo pasurinë e paluajtshme që blejnë përmes kredisë.
Shkatërrimi i objekteve që la pas tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019, dhe pasojat që po lë përmbytja e ditëve të fundit, në disa rajone të vendit, vuri një theks të rëndësishëm në krijimin e një kulture sigurimi të pronës dhe çdo gjëje, në mënyrë që kompanitë e sigurimit t’u përgjigjen qytetarëve për përballimin e dëmeve.
Fatkeqësitë natyrore gjithmonë kanë nxjerrë në pah mungesën e theksuar të kulturës për sigurimin e pronës nga katastrofat.
Ekspertët e tregut të sigurimeve theksojnë se është jetike krijimi i një kulture sigurimi për pronën, në mënyrë që edhe qytetarët të kuptojnë se tarifa që do të paguajnë nuk është një taksë vjetore e detyrueshme por një shërbim vetjak, në dobi të financave të çdo familje.
Ekspertët e marrjes në sigurim sqarojnë se, me një pagesë minimale prej 50-60 euro në vit, nëse kthehet në pagesë të detyrueshme, arrihet që të mbulohet një pjesë e madhe e dëmeve të katastrofave natyrore.
Aktualisht është bërë i detyrueshëm vetëm sigurimi i objekteve, për 10 vite, nga ndërtuesit.
Sipas ekspertëve të tregut të sigurimeve, vendosja me ligj e sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat, në raporte të përballueshme, dhe sipas risqeve të katastrofave, sipas zonave dhe mundësisë së pagesës së primit nga qeveria, për familjet me mundësi të pakta ekonomike, rezulton se do të ishte një zgjidhje efikase.
Kjo, sepse do të transferonte riskun e buxhetit të shtetit te kompanitë e sigurimit dhe çfarë është më e rëndësishme te risiguruesit jashtë Shqipërisë.
Ndërsa projekt ligji ka mbetur në sirtarët e AMF-se dhe së fundmi të Ministrisë së Brendshme, e cila koordinon projektin e Bankës Botërore për katastrofat.
Sigurimi nga katastrofat, projektligji i “mykur” në sirtar
Ka qenë viti 2011, në të cilin kanë filluar diskutimet e shumta dhe efikase, kur Banka Botërore, në bashkëpunim me IFC, propozuan zhvillimin e sigurimeve përballë sfidave të reja përfshirë dhe sigurimin nga katastrofat.
Por debatet mes të qenit të detyrueshme apo vullnetare kanë kompleksuar edhe AMF-në, e cila në një sqarim të datës 2 Tetor 2018, lidhur me sigurimin për pasuritë e patundshme apo fatkeqësitë natyrore, shprehej se drafti teknik “Për sigurimin nga katastrofat”, është hartuar nga Banka Botërore dhe është depozituar në Autoritet në Tetor 2015.
Materiali është pjesë e një nisme të Bankës Botërore, e cila përfshin edhe vende të tjera të Rajonit, të cilat vitet e fundit janë prekur shpesh nga fatkeqësi natyrore, sidomos nga përmbytjet.
Materiali teknik i sjellë nga ekspertët e Bankës Botërore është përcjellë edhe tek agjencitë e tjera shtetërore, që kanë objekt të punës së tyre ngjarjet nga fatkeqësitë natyrore.
AMF sqaronte se që prej fillimit të vitit 2016, nuk ka zhvillime të reja lidhur me këtë draft teknik dhe rekomandimet e dhëna nga ekspertët e Bankës Botërore. Ndërkohë AMF-ja thekson se çdo nismë ligjore që do të propozohet nga Autoriteti, do të bëhet në transparencë të plotë, me të gjithë grupet e interesit, duke patur në vëmendje mbrojtjen e të gjitha interesave të qytetarëve.
Çfarë përmban projekt ligji i propozuar?
Në projekt ligj qartësohet se kompensimi i dëmit mund të refuzohet nga kompanitë e sigurimeve për objekte që nuk kanë respektuar kushtet teknike të ndërtimit ose janë modifikuar apo dobësuar nga ndërhyrjet në strukturë. Qytetarët, sipas ligjit, do të paguajnë një tarifë të përvitshme dhe kjo do të vendoset në bazë të zonës së banimit dhe riskut që mbart. Po ashtu, shoqëritë e sigurimeve mund të refuzojnë ç’dëmtimin edhe për ato raste që nuk është ofruar informacion i saktë.
I gjithë ky proces, nga lidhja e kontratës me qytetarët e deri tek mbulimi i humbjeve financiare, mendohet paraprakisht të menaxhohet nga Qendra Shqiptare e Sigurimit nga Katastrofat, që do krijohet si një entitet juridik publik jo-fitimprurës, i cili vetë-financohet nga primet e sigurimit, me menaxhimin e pavarur, e krijuar ekskluzivisht për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të detyrueshëm të banesave.
Qendra do të krijojë një bazë të dhënash elektronike dhe policat e sigurimit do të shiten online, nga kompanitë e sigurimit të regjistruara në këtë Qendër.
Tërmetet e vitit 2019 “ndërgjegjësojnë” vetëdijen e tregut të sigurimeve për dëmshpërblime
Shoqëritë e sigurimeve përballuan me sukses fluksin e dëmeve të shkaktuar nga dy tërmetet e vitit 2019. Madje jo vetëm kaq, por shoqëritë e sigurimeve dëmshpërblyen klientët në kohë rekord dhe kundrejt cdo procedure ligjore. Ata që përfituan dëmshpërblim nuk ishin vetëm individët që kishin siguruar banesën për efekt kredie por edhe bizneset.
Sipas statistikave zyrtare të AMF-së, për periudhën Janar- Nëntor 2020, analiza e treguesve zyrtarë të tregut të sigurimeve në portofolin “Sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës”, tregon se ka patur një rritje prej 9.67% të vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.25% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën Janar-Nëntor 2019.
Në portofolet e Pronës, Përgjegjësive e Garancive të cilat gjatë periudhës Janar-Nëntor 2020 siguruan mbi 2,533 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zë “Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronës”, me rreth 60.21%, të pasuara nga sigurimi i “Përgjegjësisë së Përgjithshme” me 30.68% në total.
Ndërkohë për sa i përket dëmshpërblimeve, në zërin e sigurimit të pronave nga katastrofat, vlerat janë pesëfishuar.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, volumi i dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve, për periudhën Janar-Nëntor 2020, është pesëfishuar. Nga 4.1 milionë dollar në vitin 2019, volumi total i dëmshpërblimeve që kanë paguar kompanitë për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ka kapur shifrën prej 27 milionë dollarë për njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2020.
*Kryetare e Komitetit të Marrëdhënieve me Publikun, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë