Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, ishte e ftuar në mëngjesin e së premtes në “Dita jonë” në A2CNN nga ku foli për situatën e pandemisë në vendin tonë, si dhe për procesin e vaksinimit dhe aplikimin e dozës së tretë.
“Dua të sqaroj diçka shumë të rëndësishme që ka lidhje me koronavirusin dhe me antitrupat. Shqipëria është një vend i vogël, po të mbështetesh vetëm tek të dhënat e vendit tonë është shpesh e pamjaftueshme. Komiteti ka mbledhur një seri të dhënash, jo vetëm nga artikuj shkencorë, por dhe rekomandime të ndryshme teknike, si për shembull ai i Mbretërisë së Bashkuar. Ne nuk kemi sot asnjë të dhënë për ndërlidhjet midis imunitetit me antitrupa dhe imunitetit qelizor. Kjo është një e dhënë e rëndësishme që të mendosh se pavarësisht nivelit të antitrupave që mund të jetë i ulët, t’i mund të kesh një imunitet të lartë qelizor dhe e kundërta. Kjo është edhe arsyeja pse nuk rekomandohet niveli i antitrupave”, u shpreh Bino.
Shefja e departamentit të Epidemiologjisë sqaroi edhe njëherë tjetër që infertiliteti nga vaksina e koronavirusit është një mit. “Kjo historia e infertilitetit është një mit. Kur u prodhua vaksina Pfizer ka qenë një ish-punonjës i Pfizer, bashkë me një mjek tjetër, të cilët kanë shkruar një letër pa pasur asnjë lloj baze. Kjo letër, ky hamendësim u përhap dhe u përkrah nga një biologe në Europë dhe një në Amerikë. Nuk kishte asnjë bazë. Studimet në jetën e vërtetë, që i kemi edhe ne, nuk kanë asnjë lloj efekti. Mua më marrin në telefon vajza të reja që kanë mbetur shtatzënë pasi kanë bërë vaksinën dhe më kërkojnë si të veprojnë”, tha Bino.
Më tej, Bino theksoi se ndërkohë mund të merret edhe doza e tretë e vaksinës edhe vaksina e gripit.