Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, Sandër Kovaçi, në protestën e sotme të pedagogëve për rritjen e pagave dhe një arsim cilësor, deklaroi se në datën 17 tetor, bojkoti i vitit akademik do të jetë i pjesshëm.
“Data 17 është në fuqi pasi qeveria kokëfortë nuk dëshiron që të lëvizë. Ne nuk kërkojmë të prishim festën e studentëve të rinj dhe prindërve të tyre, kështu që do të bëhet kjo festë. Pas prezantimit të studentëve të rinj në orën 08:00 deri në orën 10:00, përfaqësues të Sindikatës do të jenë aty për t’u shpjeguar studentëve pse lëvizja jonë është edhe lëvizja e tyre”, u shpreh Kovaçi.
“Orët 10:00 deri në 12:00 do të jemi para fakulteteve çdo ditë. Në funksion të përgjigjeve të qeverisë, Sindikata do të informojë për veprimet e veta”, shtoi kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve.