Katër diplomatë amerikanë që punojnë në Gjenevë dhe Paris janë sëmurë me sëmundjen neurologjike të njohur si “Sindroma e Havanës”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Qeveria amerikane është duke punuar për të gjetur thelbin e këtij misteri. Ai tha se janë të “kapur në befasi nga rastet e reja”.
Ekziston frika se ndonjë kundërshtar apo armik mund të ketë vënë në shënjestër diplomatët amerikanë përmes rrezatimit. Blinken tha se çështja është diskutuar me Rusinë, mirëpo nuk është arritur te ndonjë përfundim.
Rreth 200 persona janë prekur nga kjo sëmundje që nga viti 2016.
Blinken bëri të ditur se ka biseduar me punëtorë që kanë përshkruar sëmundjen dhe mënyrën se si u ka ndryshuar jeta dhe ka thënë se njerëzit janë “prekur drejtpërdrejt dhe fuqishëm”.
“Deri tani nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, dhe nuk e dimë saktësisht se kush është përgjegjës. Ne jemi duke punuar vazhdimisht për të kuptuar çfarë ka ndodhur”, tha Blinken.
Çfarë është “Sindroma e Havanës”?
Sëmundja shkakton simptoma si: marramendje, përzierje, migrenë dhe humbje të kujtesës.
Ajo quhet “Sindroma e Havanës”, sepse është shfaqur për herë të parë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Havanë në vitin 2016. Sëmundja ka prekur diplomatë amerikanë, spiunë dhe pjesëtarë të familjeve të tyre, si dhe një numër të stafit diplomatik kanadez, të angazhuar në Kubë.
Në vitet më pas, dhjetëra raste të reja janë raportuar në objektet diplomatike të SHBA-së në Kinë, Rusi, Evropë dhe Azi Qendrore.
Zyrtarët amerikanë nuk janë të sigurt se kush ose çfarë saktësisht fshihet pas sindromës, por dyshohet se është një sulm përmes radiofrekuencave ose energjisë.
Disa persona që kanë përjetuar sindromën, janë përballur me marramendje dhe lodhje për muaj të tërë.
Rusia, Kina dhe vetë Shtetet e Bashkuara, kanë thënë se kanë bërë hulumtime rreth mikrovalëve për qëllime ushtarake, mirëpo Moska ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur “armë me mikrovalë” kundër misioneve amerikane.
CIA është duke hetuar “Sindromën e Havanës”
Drejtori i CIA-s, William Burns, në korrik të vitit 2021 tha se agjencia ka rritur përpjekjet për të përcaktuar shkakun e kësaj gjendjeje misterioze shëndetësore.
Që nga ajo kohë, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden po heton raportet e dhjetëra oficerëve të inteligjencës, diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë në Vjenë, të cilët janë ankuar për simptoma të ngjashme me ato të Sindromës së Havanës.
Burns kishte thënë se ekziston një “mundësi shumë e madhe” që simptoma të shkaktohet qëllimisht.
Ai tha se ka caktuar një oficer të lartë për të udhëhequr një task-forcë, që heton sindromën.
“Jam absolutisht i vendosur për të gjetur përgjigjen se çfarë dhe kush e shkakton këtë”, tha Burns.
Ai tha se rreth gjysma e 200 zyrtarëve amerikanë dhe familjarëve të prekur janë oficerë të CIA-s ose të afërm të tyre.