Extra SIRIANËT

SIRIANËT

Nga Edmira Xhaferi

Shiu përplasej me zhurmë në asfalt, duke mundur që të ndërfutej edhe  në mendimet e mia.

Atë ditë të fillim janarit, po qëndroja e strukur ne cepin e lokalit, ulur në tavolinën time të përhershme.

Ajo ishte tavolina e mendimeve të mia, e bisedave të mia, e trishtimeve… Sa herë që e gjeja bosh, nxitoja të ulesha aty dhe mbështillesha në botën time. Edhe atë ditë, po rrija e zhytur në vorbullën e mendimeve të mia, të cilat rendnin që t’ia linin vendin njëra-tjetrës.

⁃Më falni,- dëgjova një zë që foli mbyturazi pranë meje. – A mundet, të më jepni një cigare?

Ngrita kokën dhe pranë meje vura re dy djem të lagur nga shiu, të cilët po dridheshin nga të ftohtët.

⁃Ah, sërish ju?! – buzëqesha dhe si mora paketën time të duhanit që kisha lënë mbi tavolinë, i ofrova secilit nga një cigare.

⁃Faleminderit,- mu përgjigjën  me përzemërsi të dy njëherësh, me atë shqipen e tyre të çalë, të cilën nuk ishte e vështirë ta kuptoje se e kishin mësuar brenda një kohe shumë të shkurtër.

I vura re me kujdes. Si me komandë, të dy kryenin të njëjtat veprime njëherësh. Ndërkohë që ndezën cigaret e tyre, sytë e tyre u fiksuan në filxhanin tim të kafesë.

⁃ A mundet t’ju qeras me një kafe?… Është kënaqësia ime të më shoqëroni.

Sytë e tyre të mbërthyer nga trishtimi, befas shkëlqyen nga kënaqësia.

– Uluni, – u thashë dhe bëra më shumë vend duke larguar paksa karrigen time.

Brenda një çasti të shkurtër ndjeva një lumturi të beftë që t’i pushtonte. Ende pa u ulur ata të dy, unë i bëra shenjë kamarierit të sillte në tavolinë edhe dy kafe të tjera.

– Ne jemi sirianë,- nxitoi e foli njëri prej tyre, më i gjati dhe pak më thatim në fytyrë. – Na fal, nëse shqipja jonë nuk është kaq e kuptueshme. Kemi pak kohë që kemi ardhur në Shqipëri.

⁃ Ju kuptoj! – ia ktheva djalit me një ton miqësor .- Mos u shqetësoni fare! Ju kuptoheni mjaft mirë.

Kamarieri u afrua tek tavolina dhe si la dy filxhanët e kafesë të porositura për ta, u largua në heshtje.

-Faleminderit! – m’u drejtuan të dy thuajse në të njëjtën kohë, dhe afruan secili filxhanët më pranë vetes.

Një çast të shkurtër ra heshtja. Nuk ua ndaja sytë. Dukej se kjo situatë ishte e re për ta. Hodhën sheqerin në filxhanë dhe si e trazuan, ngritën kokat, panë njëri-tjetrin një hop dhe e ndeshën vështrimin me sytë e mi.  Më bënte përshtypje sinkronizimi i veprimeve të tyre. Dikur, nga im atë, i cili gjithë jetën kishte qenë oficer karriere, kisha dëgjuar se në ushtri dhe në luftë njerëzit mësohen instinktivisht të veprojnë njëkohësisht me të tjerët me të cilët jetojnë përreth. Gjithmonë shoqërohen nga një gjendje ankthi dhe gatishmërie.

– Faleminderit për mikpritjen! – foli djali tjetër, i cili qe më i shkurtër, por tonin e zërit e kishte më të trishtë se tjetri. Ai gjerbi pak kafe dhe si e la filxhanin  mbi tavolinë, vazhdoi: – Ne vijmë nga drama, nga tragjedia… dhe e mbartim atë me vete. Nuk është vetëm e ne të dyve, por e shumë njerëzve që jetojnë në vendin tonë…

Heshta. Nuk dija se ç’të thosha.

Pas disa çastesh heshtjeje, biseda vazhdoi përsëri, me po të njëjtin trishtim dhe dhimbje që reflektohej në sytë e secilit prej tyre.

⁃ Ne jemi vëllezër… Jemi jetimë… Prindërit tanë humbën jetën nga bombardimet. Ndodhi një ditë të bukur të diele. Qe një ditë kur mendon gjithçka që mund të të falë jeta, por jo vdekjen. –Ai fliste disi më rrjedhshëm se tjetri. –  Qysh prej asaj dite, jeta jonë është si një fill i këputur që çdo ditë zgjohet nga drama e përfundon në dhimbje… Ëndrra ime ka qenë që të bëhesha artist, të bëhesha aktor dhe të shkoja në Hollivud, por… asnjë ëndërr nuk ekziston më…

Fjalët dhe toni i tij i trishtë kishin pushtuar tavolinën. Ndieja se ky djalosh ëndrrathyer kishte nevojë të shprehej e të nxirrte brengën që e mbante gjithmonë me vete, të cilën nuk arrinte që ta shuante kurrë prej vetes. Tjetri heshtte. Heshtte thellë.

– Ne luftoje çdo ditë me urinë dhe lotët, – vazhdoi  djali me zë më të trishtë. – Kjo është brenga e shpirtit tonë.   Dhe si e thithi cigaren  fort, e shuajti mbi tavëll.

-Historia jonë është e parë me sy dhe e përjetuar me zemër, – vazhdoi djali që kishte ëndërr të behej aktor në Hollivud. – Lufta na çorientoi. Ndodhi aq papritur, sa nuk kuptonim kush ishim e nga vinim. Në pak kohë, u thye çdo gjë; e djeshmja, e ardhmja, dashuria,… gjithçka e bukur… Çdo herë, ditën dhe natën, zgjoheshim dhe jetonim me tmerrin se pas një çasti nuk do të ishim më, nuk do të ndienim puthjet e prindërve dhe përqafimet e motrave e vëllezërve… Kushedi sa herë, pafund rendnim nxitimthi mes plumbave e lëndëve kimike, sepse donim te ndjenim që jetonim, që ishim mes të tjerëve… – Ai gjerbi sërish kafen dhe si më vështroi një hop, me filxhan në dorë, vazhdoi:

– Shpesh, mëngjeseve zgjoheshim me ulërimën e grave e të nënave që qanin sepse mbi to kishin shfryrë epshin e tyre ushtarët, burrat që ishin rritur mes tyre, e tashmë shkelnin egërsisht mbi dinjitetin dhe moralin e grave që i kishin mësuar të ndërtonin moralin e shoqërisë…

Ndërkohë që ai fliste, mua gjithçka më shfaqej përpara si një film…

-O zot! Ç’dhimbje!… Ç’tmerr!… – psherëtiva thellë brenda vetes.

Në sytë e tyre shihje frikë, një frikë të paskajshme… Përballë meje ishin vetëm dy njerëz, por përpara, në atë tavolinë qe një popull i tërë, një vuajtje e pambarimtë…

-Më vjen shumë keq! – fola një çast dhe nga vetja ndjeva të më shpërthente një psherëtimë.

Rrëfimet e tyre, nisën t’ia linin rradhën njëri-tjetrit…

Unë dëgjoja dhe nuk dija se ç’të thosha. Zërat e tyre herë-herë më vinin si nga një botë e largët dhe përziheshin aty me mendimet e mia. Ndjeva dhimbje; dhimbje për dramën njerëzore, për jetët e humbura dhe vuajtjet e këtyre djemve, të cilët tashmë qëndronin përballë meje dhe flisnin… Ata flisnin dhe tregonin se dhimbja e tyre nuk ishte vetëm e tyrja, por e një kombi të tërë, e miliona njerëzve, që nuk po u dëgjohej zeri dhe nuk po u viheshin re vuajtjet, nuk po iu kuptoheshin dhimbjet…

Fjalët e dala nga trishtimi i tyre, nga dhimbja e tyre, nuk reshtnin. Qëndroja përballë tyre dhe heshtja…

Më ishin shterrur fjalët përballë kësaj drame njerëzore. Ndjeva  se fytyra po më lagej nga lotët dhe pamundësia për t i ndihmuar më shtynte me forcë në karrigen time.

Heshtja …  Gjithçka përbrenda meje luftonte me dhimbjen.

-Ne po çohemi! – tha ai më i gjati dhe vështroi një çast nga tjetri. Faleminderit për kafen! – dhe sakaq u ngritën të dy.

-Nuk do ta harrojmë kurrë këtë takim – tha tjetri me një ton, si të qe takimi ynë i parë dhe i fundit.

Unë buzëqesha. Ndoshta jeta e kaluar mes luftës dhe dramës, i kishte mësuar që të mos mendonin kurrë për një takim të dytë me një person tjetër, pasi filli i jetës mund t’u këputej në çdo çast.

-Ishte kënaqësi! – ua ktheva unë.

Ata përshëndetën me kokë duke vizatuar nga një buzëqeshje të lehtë në fytyrat e tyre dhe u larguan.  Sapo kaluan derën e lokalit,ula kokën mbi tavolinë dhe vura re se kafja kishte mbaruar dhe se taketukja e duhanit ishte mbushur plot me bishta cigaresh të fikur.

I vështroja ata djem që largoheshin me hapa të avashtë e të kërrusur nga pesha e dhimbjes së tyre e me vete thosha:

– Ejani sërish nesër!… Do t’ju pres, për të vazhduar tashmë historinë time…

Ndërkohë shiu binte me rrëmbim dhe unë ndeza cigaren e fundit që kishte mbetur në paketë.

EDMIRA XHAFERI

Tiranë, 5 korrik 2021