Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 44 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat 34 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 10 vatra mbeten ende aktive, por janë nën monitorim pa ndërprerje.
Gjatë ditës së sotme, strukturat operacionale në nivel vendor dhe qendror, mbështetur edhe me ndërhyrje nga ajri nga ekipi rumun janë angazhuar për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit.
Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bollotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë, të cilat janë larg qendrave të banuara.
Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile u kërkon autoriteteve lokale, në zbatim të ligjit, të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e situatës nga zjarret.